Home / Politika / Ruçi: Data për hapjen e negociatave, arritje e madhe për Shqipërinë

Ruçi: Data për hapjen e negociatave, arritje e madhe për Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi sot se vendimi për hapjen e negociatave në qershor të 2019 është një arritje shumë e madhe për vendin tonë. “Të kesh një datë konkrete për hapjen e negociatave dhe të fillosh procesin përgatitor për hapjen e tyre është arritja më e rëndësishme drejt Europës”, theksoi kryeparlamentari.

Në një konferencë për shtyp pas konkluzioneve të Këshillit të BE-së për negociatat me Shqipërinë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi e vlerësoi këtë si një vendim që na afron më pranë familjes europiane.

“Këshilli e mori këtë vendim pasi disa nga vendet anëtare kanë detyrimin ligjor të marrin edhe opinionin e parlamenteve kombëtare për çështjen e zgjerimit dhe hapjen e negociatave”, theksoi Ruçi.

Kreu i Kuvendit u shpreh se “të gjithë kemi përgjegjësinë politike dhe kombëtare ta lexojmë qëndrimin e Këshillit në emër dhe të interesave të vendit tonë. Shqipëria është e përbashkët për të gjithë”, nënvizoi Ruçi.

Sipas tij, tashmë qeveria dhe opozita së bashku janë në testim, ndërsa Këshilli i BE-së kërkoi realizim të shpejtë të Reformës në Drejtësi, ngritjen e SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet.

Për këtë arritje, Gramoz Ruçi është shprehur se rolin kryesor e ka luajtur Kuvendi i Shqipërisë përgjatë të gjithë procesit të integrimit europian.

“Ky vendim nuk është suksesi vetëm i qeverisë, as i shumicës qeverisëse. Kjo arritje është meritë e të gjitha qeverive dhe opozitave, partive politike, udhëheqësve të tyre, grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që kanë kontribuar në realizimin e aspiratës europiane të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit”, tha Ruçi.

Kreu i Kuvendit shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e të gjithë paraardhësve që kanë shërbyer në këtë detyrë me pergjegjësi: Kastriot Islami, Pjetër Arbnori, Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli dhe Ilir Meta.

“Kjo arritje është gjithashtu meritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët si me mbështetjen, ashtu edhe me kundërshtimin ndaj qeverive dhe opozitave, na kanë bërë më të përgjegjshëm për fatet e Shqipërisë dhe më llogaridhënës para tyre”, tha Ruçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.