Home / Politika / Balla: Kemi identifikuar të gjitha problematikat nga ministrat në këtë llogaridhënie

Balla: Kemi identifikuar të gjitha problematikat nga ministrat në këtë llogaridhënie

“Dialogu me opozitën është thelbësor dhe ne jemi të gatshëm për dialog konstruktiv në shërbim të integrimit të Shqipërisë në Europë,  të zhvillimit ekonomik të vendit”, theksoi sot sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste pas mbledhjes së kryesisë së PS-së.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Balla në një deklaratë për mediat tha se “ne kemi identifikuar të gjitha problematikat nga ministrat në këtë llogaridhënie, por dhe nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste”.

Anëtarësimet e reja dhe riorganizimi i strukturave të Partisë Socialiste ishte një temë e cila u diskutua në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste.

“Për ne është shumë e rëndësishme që përkrah procesit të llogaridhënies të fillojmë prej sot një fushatë kombëtare të anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste me qëllim të bëjmë një riorganizim më të mirë strukturor dhe elektoral në të gjithë territorin në përgatitjen e zgjedhjeve të reja vendore të vitit të ardhshëm dhe përkrah kësaj do të jemi të fokusuar në një proces më të hollësishëm komunikimi dhe dëgjesash ku përfaqësuesit vendorë të Partisë Socialiste në nivel kryetar bashkish apo anëtarë të këshillave bashkiakë do të rikthehen sipas kësaj fushate që kemi miratuar sot në çdo cep, në çdo fshat në çdo lagje, në çdo komunitet për të dëgjuar dhe mbajtur shënim, se për ne është shumë e rëndësishme që PS, si partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve të kemi vëmendjen tek njerëzit”, tha Balla.

Duke folur për dialogun me opozitën Balla ironizoi shpifjet e opozitës, por shprehu bindjen se dialogu me opozitën është i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Ne nuk mund të humbasim kohë dita-ditës me tre konferenca për shtyp shpifjesh të Partisë Demokratike apo pjesëve të tjera të opozitës. Për ne e gjithë vëmendja duhet  të jetë te njerëzit te ata që na kanë votuar, ata që na kanë dhënë nderin për të qeverisur vendin por në këtë kontekst dua t’u them se dialogu me opozitën është thelbësor”, thekson Balla.

I pyetur për ligjin e magjistraturës dhe dialogut me opozitën Balla tha se “për ne vëmendja te njerëzit është pjesa e rëndësishme, por çështja është që ne jemi të gatshëm të zhvillojmë dialog për gjetjen e një zgjidhjeje e cila bën të mundur vijimin e një organizimi të rëndësishëm për të furnizuar sistemin e drejtësisë me prurje të reja që sigurisht garantojnë cilësi, integritet të prokurorëve dhe gjyqtarëve”.

I pyetur për ndonjë një ofertë konkrete për opozitën, Balla shton ne jemi të gatshëm për një dialog konstruktiv me përjashtim të shpifjeve.

Një çështje tjetër është  se kemi marrë miratimin e kryesisë për të formatuar sekretariatin e Partisë Socialiste për t’i dhënë më shumë efektivitet dhe një ndarje më të mirë të detyrave të sekretarëve në funksion të përgatitjeve të zgjedhjeve vendore”, tha në fund Sekretari i Pergjithshëm i PS-së Balla.

Leave a Reply

Your email address will not be published.