Home / Bota / ROMË – Oettinger: Lega nuk do të pranohet në PPE

ROMË – Oettinger: Lega nuk do të pranohet në PPE

Partia qeverisëse e ekstremit të djathtë të Italisë, Lega, nuk do të pranohet në Partinë Popullore Europiane (PPE), aleancën e partive kryesore konservatore, deklaroi Guenther Oettinger, anëtari gjerman i Komisionit Europian.

“Tani për tani nuk është një çështje për diskutim dhe për më tepër Lega nuk qëndron në të njëjtën linjë me vlerat tona, pra nuk mendoj se do të ketë zhvillime”, tha në një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica” komisioneri për Buxhetin i BE-së, Guenther Oettinger.

Ndonëse besonte se Lega nuk do të bëhej anëtare e PPE, Oettinger nuk përjashtoi një aleancë midis PPE dhe partive populiste, euroskeptike si Lega, por pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian vitin e ardhshëm.

“Ky është një vendim i lirë i partive dhe si rrjedhojë nuk kam ndonjë koment apo nuk mund të bëj parashikime”, tha ai.

PPE, aktualisht forca kryesore në parlamentin e BE-së, po kërkon mënyra për të ruajtur pozicionimin e saj ndërsa flitet se partitë populiste mund të fitojnë bindshëm në votimet për parlamentin europian  vitin e ardhshëm.

Një eurodeputet gjerman, Manfred Weber, ka nisur një përpjekje për të garuar si kandidati kryesor i PPE-së në zgjedhje, për t’u zgjedhur më vonë kryetar i komisionit. Merkel dhe Oettinger janë pro këtij kandidimi.

EPP tashmë përfshin në gjirin e saj edhe partinë Fidesz që drejtohet nga kryeministri hungarez Viktor Orban, pikëpamjet euroskeptike dhe anti-migratore të të cilit bien ndesh me shumicën e anëtarëve të të PPE-së por janë në një linjë me ato të Salvinit.

Megjithatë, një votim në parlament javën e ardhshme për nisjen e procedurave ligjore kundër Hungarisë mund të çojë në një përçarje dhe pse jo në largimin e Fideszit nga PPE.

Leave a Reply

%d bloggers like this: