Home / Kosova / Thaçi, në Shkup bën thirrje për votë masive pro referendumit

Thaçi, në Shkup bën thirrje për votë masive pro referendumit

Gjatë vizitës së tij në Shkup, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë dhe sidomos shqiptarëve të atjeshëm, që pa hezitim të dalin dhe të votojnë në referendumin për emrin, që organizohet më 30 shtator.
Sipas tij, votimi pro marrëveshjes së Maqedonisë me Greqinë për emrin do të vuloste të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë. Thaçi u takua me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, takim pas të cilit u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

“Ftoj me autoritetin tim modest, në emër të Kosovës, si një vend fqinj me Maqedoninë, që të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim të marrin pjesë në referendum dhe natyrisht të votojnë pro. Maqedonia në NATO është paqe më shumë për të gjithë rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu që ky është një moment historik që duhet të shfrytëzohet”, tha Thaçi.

Thaçi është ndalur edhe këtë herë te dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se arritja e marrëveshjes do të jetë e vështirë, por siç theksoi ai, të dyja shtetet nuk duhet të mbeten peng i mosmarrëveshjeve.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka përshëndetur dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se “është shumë e rëndësishme që udhëheqësit e rajonit të bashkohen në rrugën drejt integrimit euroatlantik”.

“Përparimin në këtë drejtim e vlerësojmë si vendimtar për një stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal. Maqedonia mbështet zgjidhjen pozitive për Kosovën, një zgjidhje që do të përmirësojë gjendjen dhe mirëqenien si të shqiptarëve, ashtu dhe të serbëve, por edhe qytetarëve të tjerë në Kosovë”, tha Zaev.

Vizita e Thaçit në Maqedoni vjen pas asaj në Malin e Zi, ku me presidentin Gjukanoviç ka diskutuar po ashtu mbi proceset në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published.