Home / Politika / “Bularati”, Rama: Shkaktarët e trazirave nuk do të hyjnë më në Shqipëri

“Bularati”, Rama: Shkaktarët e trazirave nuk do të hyjnë më në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama zgjodhi rubrikën “Përgjigja ime”, për t’iu përgjigjur komenteve të disa prej qytetarëve, të cilët kanë shprehur rezerva rreth qëndrimit të qeverisë shqiptare, përsa i përket rastit të Bularatit.

Sipas Kryeministrit ngjarja e ndodhur së fundmi në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ishte një rast i izoluar dhe turpi i një grupi njerëzish, të cilët nuk do të hyjnë më në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Mendojeni vetëm për një sekondë, sikur shteti ynë të ishte përplasur me polici me ata jabanxhinj, që erdhën lanë namin e tyre të zi edhe në Shqipëri, edhe ikën pasi keqtrajtuan të ashtuquajturin heroin e tyre. Shumë prej tyre nuk do të hyjnë dot më në Shqipëri, të tjerët do të mendohen mirë nëse do të vijnë përsëri dhe kush thotë se për atë përçudnim të ceremonisë mortore fajin e paska varreza e ushtarëve të rënë gjatë luftës Italo-Greke, duhet të vizitohet, nuk është mirë. E paska fajin respekti për të vdekurit, se kanë ikur prej fiqiri të gjallët? Broçkulla. Shqipëria e mirë e tregoi edhe një herë veten në ditën e turpërimit të flamurit fqinj nga një grup njerëzish që nuk përfaqëson askënd. Por kush e merr për dobësi vendin tonë, e mori dje mesazhin se në këtë vend nuk hyjnë dot prapë ata që kur vijnë, kujtojnë se gjejnë këtu sheshin dhe përsheshin e konfliktit mes Shqipërisë dhe Greqisë që e kanë përshkuar rrugën e historisë duke ndihmuar njëri-tjetrin”, – u shpreh Rama.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë Rama nuk kurseu edhe sugjerimet rreth të qenit një patriot shembullor.

“Sot kam një përgjigje të veçantë jo për një ndër ju, por për disa ndër ju, të cilët ja qajnë hallin kombit të cenuar nga të fandaksurit me flamurin e Greqisë në krah dhe me klithma antishqiptare në fyt i ndërsehen shtetit tonë prej letre veç për show, siç thonë, vajtojnë të turpëruar vrasjen e krenarisë kombëtare, mallkojnë politikanët që të kenë fatin e të vdekurit, shkruan Benito. Ah, sikur këtë që bëhen shqiptarë zemërzjarr kur shohin flamurin grek mbi një arkmort në TV, ta kishin flamurin shqiptar në mendje kur plehrat në shtëpi, ja hedhin ku të munden, mbi fytyrë atdheut në rrugë, park, oborr lagjeje, plazh me gurë a me rërë, çfarë vendi i pastër për zilinë e çdo greku do të ishte Shqipëria. Ah, sikur kush bëhet shqiptar me mendjen pushkë dhe gjuhën barut, kur kafeneja hap luftën me fqinjët e Shqipërisë në ‘Facebook’, të mos kishte vjedhur aq shumë drita, shpërdoruar aq shumë ujë dhe bërë aq shumë paudhësi ndaj këtij vendi, saqë asnjë pushtues nuk ja ka bërë dot. Çfarë vendi i kamur dhe i lulëzuar, për inat të serbit dhe të grekut do të ishte sot Shqipëria! Ah, sikur ky soj si vëllezërit dhe motrat tona që donin që shteti shqiptar t’i zinte rrugën me tanke varrimit në një fshat minoritar, ta donin shtetin me të një qindtin e pasionit atdhetar, kur duhet të kontribuojnë me taksat, detyrimet dhe me respektin e tyre për rregullat e shtetit”, – theksoi Kryeministri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: