Para se të qe burrë i madh, Mid’hat Frashëri rezulton të ketë qenë një djalosh gjenial. Dy copë shkrime të thjeshta që mbajnë vitin 1887, të parat e botuara prej tij, nuk janë veçse hartime të një adoleshenti 16-vjeçar, mirëpo ja që njëri syresh i kushtohet “Skanderbegut”, kurse tjetri dallimit mes koncepteve “fe” dhe “komb”. Të ishte gjallë nuk besoj t’u bënte vend në Veprat e veta, ndërsa përfshirja e tyre sot në botimin e Veprave të Zgjedhura të tij ka vlerë unikale për të përfytyruar atë mjedis intelektual dhe njëherësh atdhetar në të cilin u formua ky djalosh gjenial.

Pothuaj nuk ka tërhequr vëmendjen që, fill mbas tyre, pasioni i 17-vjeçarit qe përkthimi i letërsisë. Dhe çfarë përkthente? Një kryevepër e vogël botërore: “Gyjom Tell” të frëngut Lamartin, d.m.th. atë ndodhi të hershme të shek. XIV, në të cilën aspirata e çlirimit të atdheut triumfonte mbi tiraninë. Dishepujt e Freud-it mund të mendonin me të drejtë që në atë vit 1898 djaloshi përkthyes të ketë parë të projektuar në atë tragjedi heroike veten dhe sidomos të atin: sakrificën e Abdyl Frashërit për atdheun, duke rrezikuar jo vetëm jetën e vet, por edhe familjen e tij. Mirëpo jo, 17-vjeçari u ka ofruar lexuesve të shqipes të tjera ide, të përmbledhura në një “Mbithënie” të botimit. U ka ofruar modelin e luftës për çlirim të një populli “me trimëri e me dëshirët të mëmëdheut”; të jetesës dhe përparimit të atij populli prej punës së ndershme, që e bën të lumtur e të pasur; të një sistemi republikan, me të cilin populli organizon jetën e vet shoqërore e politike: “s’kanë mbret, po një të parë, i cili s’bën dot ligësi as sa një mizë”; të barazisë së qytetarëve përpara ligjit, madje dhe të mirëkuptimit ndërfetar mes katolikësh e protestantësh; më në fund, edhe të progresit të një vendi të tillë nëpërmjet arsimimit falë universiteteve dhe akademive.

Ideve të dy faqeve prezantuese të Vilhelm Telit të tij Mid’hat Frashëri do t’u kthehej edhe më vonë, me një libërth kërshëror të konceptuar si Letra nga Zvicera (1915), përsëri duke e marrë modelin zviceran si shkas. Ndërkaq është një e papritur emocionuese të konstatohet që në ato dy faqe të vogla pasthënieje të djaloshit gjenial kanë zënë vend të sintetizuara idealet që kanë për t’ia shenjuar në mënyrë të qëndrueshme të gjithë jetën dhe të gjithë veprën, deri në momentin kur zemra iu ndal në një hotel të Nju Jorkut më 1949. Aty, tek ato ideale të sintetizuara, do ta gjejnë edhe fillin ku lidhen më vonë antifashizmi i tij i shpallur dhe aktiv, sikurse edhe antikomunizmi i tij po aq i shpallur dhe po aq aktiv, ata që interesohen veçan për këto dy fusha të betejës së tij. Guxoj të pohoj me bindje që një qëndrueshmëri të tillë në kufizat e idealeve nuk e dëshmoi asnjëri nga bashkëkohësit e tij, të mëdhenj edhe ata, prandaj Mid’hat Frashëri do ta meritonte apelativin “i patjetërsueshmi”. Duke qëndruar përmbi jetën dhe vdekjen, duke e ruajtur balancën e shpirtit edhe ndër fatkeqësi, ai mbeti i patjetërsueshëm në përmbushjen mbi tokë të misionit me të cilin e kishte ngarkuar veten.

Ishte krijuar në kulturën tonë, që nga Rilindja Kombëtare e këndej, një traditë enciklopedike. Asaj i brendashkruhet, krahas Konicës pesë vjet më të madh dhe Nolit dy vjet më të vogël, edhe Mid’hat Frashëri. Ky enciklopedizëm, kjo etje për të njohur gjithçka dhe njëherësh për të kontribuar në fusha ndër më të ndryshmet, në të cilat kombi kishte zbrazëti, shfaqet si një nga punët e mëdha – mirabilia – të kulturës shqiptare, le ta shihnin sa të donin me skepticizëm të huajt. Mendimtarë dhe njëherësh veprimtarë të tillë nuk mund të mos ishin enciklopedistë. Të ushqyer në takim me kultura të mëdha, ata dinin domosdoshmërish më shumë. Kur studionin në Stamboll, në Paris, në Nju Jork a gjetiu, kishin ndaj të tjerëve avantazhin të dinin tri, katër ose pesë gjuhë, siç njihnin më shumë se një kulturë, në kohë e sipër që të rinjtë e andejshëm dinin shpesh vetëm gjuhën e tyre dhe lëviznin brenda një kulture të vetme. Mbas shkëputjes nga mjedisi familjar i Frashërllinjve, produkt i këtyre rrethanave kulturore rezulton Mid’hat Frashëri shkrimtar, publicist, politikan, diplomat, albanolog, librar, mësues.

Të qenit “mësues” madje Mid’hat Frashërit do t’i duhej numëruar më parë në radhë. Sepse, ndërsa i është mëshuar me të tepërt përfshirjes së tij në politikë ose të qenit ministër a diplomat, ngjan të jetë shpërfillur kontributi i tij për mësimin dhe shkollën shqipe në një ndërkohë kur arsimi shqiptar në lindje e sipër s’priste, kur nuk kishte ende shtet shqiptar dhe zotëria e tij flijonte potencialet e veta mendore duke zbritur te nevojat e nxënësve, çfarë zor se e bën sot ndonjë prej nesh mendjemëdhenjve, edhe pa qenë gjeni. Ka ndodhur madje që Mid’hat Frashëri as të mos i nënshkruante libra të tillë dore, si Këndime për reshtatë filltare (1910), Dheshkronja pas programit të mësonjëtorevet të para (1912), Këndime për shkollat e para (1910), Këndime pas programit të mësonjëtoreve të para (1912), deri edhe “Metodat praktike” për të mësuar gjuhën frënge (1902), gjuhën angleze (1908) etj.

Nëse mes pirgut madhor të kontributeve të tij në fushat nga më të larmishmet të dijes, të kulturës dhe të politikës do të hulumtohej për të gjetur se cila është kryevepra e tij, mendoj se përgjigjja do të ishte: kryevepra që Mid’hat Frashëri i dhuroi kombit të tij është vetë personaliteti i tij. Ai personalitet që te njerëzit e mëdhenj funksionon si thelb i tyre dinamik dhe që, nga të gjitha format e ekzistimit, rezulton ai që nuk zhgënjen. Historianë të përkushtuar Mid’hat Frashërit, si miqtë e nderuar Sherif Delvina, Uran Butka, Luan Malltezi etj., kanë shkruar gjerë e gjatë për jetën dhe veprën e tij. Të distancuar tanimë nga epoka dhe mjedisi kur ai jetoi dhe punoi, e quaj me vlerë didaktike të vështrohet se çfarë mund të na interesojë neve të sotmëve nga modeli i personalitetit të këtij burri të madh, ndërkohë që eshtrat e tij po i kthehen dheut të Shqipërisë. Dhe çfarë mund të na interesojë mendoj që janë përbërësit e atij aliazhi alkimik që formuan personalitetin e tij të patjetërsueshëm, falë të cilave Mid’hat Frashëri të shërbejë ende sot si manual i gjallë edukate atdhetare dhe morale, kulturore dhe politike po që po.

Z. Mid’hat qe i pajisur me dhantinë e krijimit

Është fjala për atë dhanti që natyra ta fal ose nuk ta fal, ndërsa njeriu vetë nuk ka ç’i bën. Edhe vetëm tri vëllimet e para të Veprave të Zgjedhura të tij, botim i sipërmarrë nga “Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo””, po zbulojnë në përmasa reale jo vetëm veprën e tij publicistike dhe shkencore, por edhe tekste të vyera të një rrafshi të lartë vlerash estetike. Të lumtur botuesit e Veprave në fjalë që kanë depërtuar në parajsën e dorëshkrimeve të tij! Sot, për shembull, mund të na befasonte konstatimi i tij modern për kohën: “Cili mund ta mohojë që poezia dhe aktiviteti mendor në përgjithësi nuk kanë një burim tek instinkti seksual i njeriut?” Ndërkaq, për ç’i takon shkrimtarisë së z. Mid’hat, saktësimi që do të duhet bërë është qortimi i tezës së zhvendosjes së tij të baraspeshuar nga letërsia në politikë dhe anasjelltas. Për Lumo Skëndon, siç e quajti ai veten, një baraspeshë e tillë nuk ka ekzistuar. Dhe as ka pasur si të ekzistojë: për të shkrimtaria dhe politika nuk qenë entitete të barabarta. E ka sqaruar vetë këtë kur saktësoi: “Zgjimi dhe përparimi i popujve ka nisur me veprën e shkrimtarëve”. Fjalë që meritojnë të gdhenden. Nuk gjej të ketë formuluar për politikën ndonjë vlerësim të ngjashëm të epërm.

Z. Mid’hat qe promovues i kultit të kombit

Promovimi i kultit të kombit lexohet si mision që ia ka përshkuar atij tej-e-tej veprimtarinë, të shkruarën dhe të folurën. “Po qe se nuk e zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, – këshillonte ai, – nuk mund të kemi as shqiptarë, as Shqipëri”. Ishte nga fundi i jetës kur ngulmonte që organizatës politike që themeloi dhe drejtoi në emigracion t’i ushqente pikërisht kultin e kombit. Në vëll. III të Veprave të Zgjedhura mund ta gjeni se si shkruan: “Është një gjë e natyrshme, pra, që qysh në hapat e parë organizata jonë të kujdesej për çdo send që ka të bëjë me shqiptarizmën, me Shqipërinë, me kombin. Të zgjojë në shpirtin e njerëzve ndjenjën e patriotizmës me rrënjë të thella, të ekzaltojë çdo gjë në lidhje me shqiptarësinë. Të zgjojë mistikën e Atdheut”. Për kombin që e lindi dhe e përftoi një promovues si ai ngjan një bekim.

Z. Mid’hat qe edhe një europian mes europianëve.

Jo thjesht ngase jetoi dhe veproi në Shqipërinë si pjesë e kontinentit europian. Të qe për këtë pozicion ai e kishte formuluar një herë konstatimin dërrmues: “Evropa mbaron në Budapest dhe Orienti nis në Brusë e në Kalip; midis këtyre vendeve është një kloak [fr. llagëm, gjiriz], ku rrjedhin ndyrësitë e Perëndimit dhe të Lindjes”. Qe europian sepse dëshmoi që mundi të merrte pjesë me denjësi në debatet e mëdha të politikës europiane të kohës, për shembull me tekstet e veta mjeshtërore në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Po lejohem të përmend disa pak tituj të tij në ato debate: L’Affaire de l’Epire: le martyre d’un people (1915), L’Albanie et les Albanais ( 1918), Albanais et slaves (1919), Pour l’Albanie (1919), Les Albanais chez eux et à l’étranger (1919), Le Différend albano-serbe (1921) etj. Nuk di të them me siguri nëse ne “europianët” e sotëm jemi në gjendje të shkruajmë tekste të një cilësie të tillë profesionale.

Z. Mid’hat qe një luftëtar

Si burrë i vërtetë që ishte, dëshmoi që e gjithë jeta e tij qe ajo e një trimi që ngrihet mbi të zakonshmen, ngritje nga ato që kërkojnë pareshtur luftë. Dhe, si të gjithë njerëzit e mëdhenj në jetën politike shqiptare, u dëshmua edhe ai një nga ata që me potencialet e tyre kërkojnë armiq ashtu si mushkëritë kërkojnë ajrin. Dhe ja vërtetimi: paska ende sot armiq.

Z. Mid’hat ushqeu devocionin e punës

Njëri ndër të rrallët shkrimtarë atëherë të rinj, që Lumo Skëndo e vlerësoi duke i shkruar ndoshta të vetmen parathënie për një vepër letrare shqiptare, ishte Vedat Kokona. Duke treguar për neve, që z. Mid’hat nuk e njohëm në të gjallë, Vedati ka shënuar: “Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë Bella Venezia dhe Kursal të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe. Lumo Skëndon mund ta gjeje vetëm në librarinë “Lumo Skëndo”…”. Refuzimi i atij që e kam quajtur qytetërim i kafehanes nuk ishte për Lumo Skëndon ndonjë ngërç individual. Që e gjithë jeta e tij pati qenë punë dhe vetëm punë, e dëshmojnë shqiptarë e të huaj sa herë ia rendisin shkrimet, fjalimet, konferencat, letërkëmbimet diplomatike, veprimtaritë kulturore dhe ato politike. Punën dhe vetëm punën, si e vetmja veprimtari për të prodhuar gjithçka të dobishme në funksion të progresit, – mbrothësisë, siç e quante, – ai ua ka rekomanduar shqiptarëve në shkrime pa fund të publicistikës së vet. Madje edhe duke i qortuar rëndë për mungesën e zellit të punës shqiptarët e thjeshtë, sikundër ata të shkolluarit duke i cilësuar “pjellorë dështakë”. Sa herë ia numëroi shoqërisë shqiptare plagët e shumta, ndër të parat përmendi mungesën e zellit për punë dhe kalimin e kohës kafene më kafene, njëzet e katër orë në ditë, “duke hapur gojën që t’u bjerë një hallvë e gatuar në kuzhinën e Evropës”. Ashtu e përshkroi situatën deri te fataliteti i një Shqipërie që rrezikonte të shndërrohej në “një kafene të madhe”. Penës së tij do të duhet t’ia njohim trajtimin e konceptit origjinal “jeta mendore e kafeneve”.

* * *

Z. Mid’hat qe një nismëtar. – Ai nuk do të kishte qenë njeri i madh, sikurse e vlerësojmë, po të mos ishte edhe “nismëtar”. Duke e vlerësuar nga këndvështrimi i sotëm, nuk mund të mos konstatosh që, si nismëtar, ai jo vetëm propozoi zgjidhje për problemet shqiptare atëherë në rendin e ditës, por dëftoi edhe cilat qenë nevojat e reja të shoqërisë që vetë zhvillimi i marrëdhënieve sociale parashtronte. Ashtu sikundër u ndodh të shumtës së nismëtarëve, me kontributin e tij në fushat atëherë pa-fund-e-anë të problematikës shqiptare ai fshiku caqet e një heroi. Ky status i duhet pranuar sidomos në këtë moment historik kur ndodhemi para eshtrave të tij të sapokthyera në atdhe. Hero jo në kuptimin se mundi të ndryshonte a të ndalonte rrjedhën e natyrshme të ngjarjeve, por në kuptimin që veprimtaria e tij rezultoi shprehje e vetëdijshme dhe e lirë e asaj rrjedhe të domosdoshme dhe njëherësh të paqëndrueshme të zhvillimeve. Këtu qëndron domethënia e nismëtarit, këtu buron forca e tij befasuese.

Z. Mid’hat qe një vetëflijues i ndërgjegjshëm

Vetëflijimin për idealet, qofshin ato sociale, kulturore ose politike, ai e ka formuluar më se një herë në parim, si vetëflijim vullnetar, me vetëdije të plotë dhe pa kurrfarë shtrëngimi, “pa le të mos e dijë bota”, sikurse përsëriste. Nuk përjashtohet mundësia që në propagandimin e vetëflijimit të ketë ndikuar tek ai mistika e bektashinjve si në parashtrimin befasues: “Ata që s’kanë ndier ngazëllimin mistik të sakrificës së inteligjencës padyshim janë zvjerdhur prej një nga më të mëdhenjtë faktorë të lumturisë”. Por të zbresim në truallin shqiptar dhe të kujtojmë largimin e tij prej detyrës diplomatike si Ministër i Shqipërisë në Athinë dhe tërheqjen në një librari të vetën. Historianët e kanë faktuar tanimë, edhe në bazë të burimeve diplomatike britanike, që shkak për largimin e Mid’hat Frashërit nga misioni i tij diplomatik në Athinë u bënë shqetësimet që ai i krijonte shtetit fqinj me ngritjen e problemit të Çamërisë: “For the Tchamuria agitation”. Në bashkëpunim në autoritetet fqinje, “Kryetari i Republikës” i asaj kohe gjeti vjegën për ta detyruar të jepte dorëheqjen. Që t’i flasim gjërat shqip: kjo do të thotë që Mid’hat Frashëri flijoi karrierën e vet diplomatike për hir të problemit të Çamërisë. Flijimi i vetes për të mirën e të gjithëve – idealisht të kombit – do të duhet numëruar si virtyti më i lartë i zhvillimit të personalitetit të Mid’hat Frashërit.

* * *

Z. Mid’hat qe historibërës. – Nuk mund të ketë dyshim që, në historinë e kombit shqiptar, Mid’hat Frashëri është nga aktorët veprues që bënë historinë e kombit. Që aktorë të tillë veprues të jenë gjithnjë fitimtarë, nuk është e thënë. Le të kuptojmë më në fund që rrjedha e ngjarjeve historike nuk përcaktohet vetëm nga aksionet e vetëdijshme të individëve: shpesh janë vetë kushtet historike më të fuqishme se potencialet e personaliteteve më të fuqishëm. Një personalitet si Mid’hat Frashëri është historibërës jo sepse aftësitë e tij vetjake mundën t’ia ndryshojnë rrjedhën historisë, por sepse qe pajisur me cilësitë më të përshtatshme për t’u shërbyer atyre nevojave që zhvillimi historik i nxirrte përballë shoqërisë shqiptare të kohës së tij.

Z. Mid’hat, ndonëse aristokrat, nuk lakmoi kamje

Me gjasë, ndër ata që e njohën, vetëm Vedat Kokona e pati penën për të na transmetuar më të gjallin portret të tij: “Ajo që më ra në sy posa e pashë ishte jaka e ngrirë, e kollarisur, me dy cepa të ngritur siç e mbanin ata të shekullit XIX, kapaku i kollarisur i mëngës së këmishës, që dilte nga xhaketa e kostumit krem shantung, që binte menjëherë në sy nga pastërtia dhe pastaj ajo fytyrë që s’ishte si fytyrat e tjera, një fytyrë ndryshe nga të tjerat është ajo që të godet menjëherë vështrimin si një rreze dielli. Ajo që më bëri përshtypje në fytyrën e thatë ishte shkëlqimi i syve. Thashë se ky njeri ishte ndryshe nga ata që kisha njohur deri atëherë, me përjashtim, sigurisht, të babait tim”. Në fillimet e shtetit shqiptar zotëria e tij ishte ministër. Dhe ç’ka treguar? Ka treguar që në Vlorë e pati të vështirë të gjente një banesë sadokudo të rëndomtë sepse: “s’kisha as para në xhept dhe as nga kush të merrnja”. Ndërsa kur shkon në Shkodër i mbetet borxh hamallit që i barti plaçkat, sepse nuk kishte as t’i paguante “një grosh”. Të tillë ministër ka pasur dikur Shqipëria! Edhe kur u tërhoq në jetën private, në librarinë e tij emërmadhe, nuk ngurroi ta pohonte: “m’u desh të zë një punë landore për të siguruar jetën”. Të durosh mizerjen dhe të mbetesh i ndershëm ishte një model jetese të cilin ai ia këshillonte edhe çdokujt tjetër, që për të ruajtur ndershmërinë dhe integritetin: “mund të rrijë një ditë me këpucë të vjetëruara dhe të hajë buk’ e djathë”. Një model i tillë nuk e pengoi të ruante deri në fund atë që po e quaj aristokratizëm intelektual, si në gjestin kur i mësoi shkrimtarit të ri traditën angleze të pirjes së çajit me vetëm një petë sheqeri duke i cituar edhe thënien e një De Quincey: që çaji do të jetë gjithnjë pija e parapëlqyer e intelektualit. Turpi, para eshtrave të tij, le t’u mbetet atyre që në tekstet e historisë zyrtare e përmendën deri si “feudali Mid’hat Frashëri…” burrin i cili gjithë pasurinë që pati – librat! – ia la Shqipërisë.

* * *

Z. Mid’hat i gëzoi treguesit e gjenialitetit. – Kur Mid’hat Frashërin e kanë quajtur gjeni, janë ngritur edhe ata që e kanë kundërshtuar ose – më e pakta – e kanë vënë në diskutim gjenialitetin e tij: A mundet të jetë gjeni dikush që paska në veprimtarinë e vet edhe gabime, edhe dështime? Padyshim që po, mund të pohohet sot. Sepse gjenitë, si nismëtarë të mëdhenj, si sipërmarrës sprovash mbas sprovash, nuk janë të përjashtuar as nga dështimet, as nga gabimet. Vlen kjo jo vetëm për njerëzit, por edhe për popujt: dështime më shumë regjistrojnë ata popuj që kanë eksperimentuar më shumë përgjatë historisë së tyre dhe që kanë arritur më shumë: ata janë sot edhe popujt më të zhvilluar e më të përparuar. Por të vëmë re: shpesh të ashtuquajturat “gabime” dhe “dështime” të tij janë vështruar si të tilla ngaqë ai pati qenë i rrethuar nga gjëja më e trishtë në botë: nga mediokriteti. Dhe për mediokritetin nuk ka ngazëllim më të madh se të gjejë te njeriu i jashtëzakonshëm “gabime”, sikundër nuk ka ngushëllim më të madh për mediokrit se ai që edhe gjenitë vdesin.

Z. Mid’hat qe kritiku i vetvetes

Të tillë janë pothuaj gjithnjë njerëzit e mëdhenj. “Beteja nga vetja kundër vetes sonë”: kështu e quajti ai këtë proces çudibërës. Ky proces donte të thoshte për të pranim i çdo përgjegjësie për gjithë sa ke bërë ose sa nuk ke bërë mirë. Pati edhe ndër bashkëluftëtarët e tij që nuk e kuptuan, për të mos thënë që edhe ia tradhtuan idetë. Siç nuk e kuptuan kur ai porosiste detyrën për të luftuar ushtrinë e Rajhut të Tretë në Shqipëri dhe as kur porosiste që Komiteti “Shqipëria e Lirë” duhej të formohej “prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut”.

Z. Mid’hat, më në fund, qe edhe vizionar

E pati këtë aftësi dhe nuk mund t’i mohohet: që të vështronte më përtej nga shumë të tjerë. Lexon vizionin e tij për të ardhmen e zhvillimit ekonomik e kulturor të një shoqërie të lirë, për shoqëritë e kapitalit dhe bankat, për emancipimin e njeriut shqiptar dhe veçan të gruas shqiptare, deri dhe për formimin e një elite të re, dhe gati s’të besohet se bëhet fjalë për shkrime që fillojnë qysh në krye të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Do të mjaftonte për t’u përmendur pikërisht në rrethanat tona vizioni i tij për ndihmën që do të duhej t’i jepej Shqipërisë për një periudhë të caktuar nga një fuqi jo drejtpërsëdrejti e interesuar në Ballkan dhe kjo fuqi për të nuk mund të ishte veçse “Amerika”, siç e quajti. Si nëpërmjet ndonjë procesi shelbimi pikërisht ajo “Amerikë” ia pranoi trupin dhe ia ruajti varrin. Sepse ndodh edhe më zi në Shqipëri: më 28 nëntor 1996 kam qenë i nderuar të mbaja fjalën në ceremoninë solemne të rindërtimin të varrit të At Gjergj Fishtës. Dhe ishte edhe më e dhimbshme, sepse bëhej fjalë për një varr të rindërtuar pothuaj bosh. Historinë i dihet. Të mos habitemi pra me vizionarin Mid’hat Frashëri që edhe për këtë ceremoni tonën, athua se për këtë varr që po ia pret eshtrat, i pati marrë masat të na paralajmëronte: “Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore, fillon kur mbaron fryma. Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit në qoftë se ideja rron, kur ajo ide ngjall njëmijë shpresa dhe entuziazëm te të tjerët? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”.