Politika

Raporti i KiE për Shqipërinë: Është arritur progres, sfidë pavarësia e gjyqësorit

keshilli_i_europes_823320-616x350Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka miratuar raportin për Shqipërinë, duke theksuar se pavarësisht progresit të arritur, vazhdojnë të mbeten shqetësuese çështje të tilla si paanshmëria e institucioneve të shërbimit civil, pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni.

Asambleja parlamentare e KiE thekson se është mjaft e rëndësishme që të zbatohen reformat dhe paketat legjislative të miratuara.

Asambleja vë theksin te reformat parlamentare për të cilat është rënë dakord nga mazhoranca dhe opozita, me qëllim funksionimin e duhur te parlamentit dhe dialogut politik.

Megjithatë, Asambleja nënvizon se bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, nuk mund të bëhet i ligjshëm vetëm me rregulla procedurale, por për të nevojitet një ndryshim në sjellje dhe një kulturë bashkëpunimi, bazuar në vlerat demokratike dhe kulturore.

Asambleja shpreh keqardhjen për vazhdimin e retorikes së ashpër midis dy palëve, duke i bërë thirrje opozitës mos të vazhdoje bojkotin e parlamentit e të komisioneve parlamentare.

Gjithashtu, në raport i bëhet thirrje shumicës së majtë të mos përdorë shumicën konsitucionale për të shmangur opozitën dhe palët të gjejnë konsensus për reformat e rëndësishme.

Në raport vihet në dukje shtyrja e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, e cila mundëson zbatimin e rregullave strikte për punësim në bazë të meritokracisë.

“Moszbatimi i ligjit dhe ndryshimet e personelit në një shkallë të madhe, janë tregues për politizimin e shërbimit civil dhe përpjekjeve për ta sjellë atë nën kontrollin e një partie”, thuhet në raport.

Asambleja shpreh shqetësimin se pavarësisht reformave të shumta, pavarësia dhe paanshmëria në sistemin gjyqësor nuk është siguruar mjaftueshëm dhe sistemi vazhdon të jetë nën presionin politik. Në raport theksohet nevoja për reforma urgjente konsensuale gjithpërfshirëse duke përfshirë këtu edhe ndryshime në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor gjë që cilësohet prioritet për autoritetet shqiptare.

Asambleja ka shprehur shqetësimin për përhapjen e gjerë të korrupsionit në të gjitha nivelet e gjyqësorit gjë që sipas saj, çon në dëmtimin e paanshmërisë dhe efikasitetin e këtij institucioni. Asambleja iu bën thirrje autoriteteve të reformojnë Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë në të njëjtën vijë me rekomandimet e komisionit të Venecias. Asambleja i bën thirrje gjithashtu autoriteteve të zbatojë plotësisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe gjykatave të tjera.

Në raport thuhet se, pavarësisht një rritjeje në prokurori, treguesit më të shumtë janë që korrupsioni vitet e fundit në vend që të ulët, është rritur, çfarë tregon se masat dhe strategjitë për ta luftuar atë, kanë arritur rezultate të pakta. Asambleja gjithashtu mirëpret rolin efektiv të luajtur nga Avokati i Popullit në Shqipëri. Ajo i bën thirrje autoriteteve të sigurojnë burime të mjaftueshme për zyrën e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button