Home / Bota / Kush është Landi i Zarës, vendi nga vjen Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetarja e re e CDU-s

Kush është Landi i Zarës, vendi nga vjen Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetarja e re e CDU-s

Landi i Zarës (Saarland) është një land vërtet i vogël federativ i Gjermanisë. Në të jetojnë 1 milionë banorë. Ai ndodhet në jugperëndim të Gjermanisë. Landi i Zarës kufizohet me Landin Rajnland Pfalc (Rheinland-Pfalz) si dhe dy shtetet Luksemburgun dhe Francën. Historia e Landit të Zarës karakterizohet nga afërsia e madhe me Francën.´

Land i ri me histori tronditëse

Landi i Zarës është një land i ri federal. Në vitin 1920, si rezultat i Paktit të Versajës ( Versailler) lindi për herë të parë diçka e tillë, si një lloj njësie politike, “Territori i Zarës”, që varej nga Lidhja e Kombeve. Në vitin 1935 me anë të një referendumi banorët vendosën për Rajhun Gjerman (Deutsche Reich). Pas Luftës së Dytë Botërore deri në 1949 kjo zonëka qenë protektorat francez, dhe më pas rajon autonom – madje me kombëtaren e vet të futbollit dhe ekip të vetin olimpik. Për herë të parë në vitin 1957 Landi i Zarës u shfaq si land më vete dhe është i dhjeti në Gjermaninë Federale.

Miniera dhe industri çeliku

Miniera qymyri, uzina metalurgjike, oxhaqe me tym, ajër i mbushur me hi. Deri në vitet shtatëdhjetë shtëpiaket në vendet industriale rreth Nojnkirshenit (Neunkirchen) ose Fëlklingenit (Völklingen ) nuk guxonin t`i ndernin teshat e lara në kopësht. Ato nxiheshin nga qymyri. Në Landin e Zarës punonin në atë kohë 50 mijë minatorë, sot vetëm 4 mijë. Nga gjithsej 12 miniera sot ka mbetur vetëm një, miniera e Ensdorfit. Por edhe këtu nuk nxorret më qymyr që prej tërmetit të shkurtit 2008 i cili u shkarkua nga nxjerrja e qymyrit.

Vend i rëndësishëm për kërkimin dhe informatikën

Landi i Zarës bëhet më i pastër. Oxhaqet nuk nxjerrin më tym të zi. Mininierat e Völklingen-it dhe Neunkirchen-it kthehen në monumente historike industrale dhe qendra ekspozitash si dhe aktivitetesh kulturore. Në fund të viteve 1980 Landi i Zarës filloi të marrë një drejtim të ri. Në këtë land u vendosën institute me emër si Max-Planck ose Fraunhofer. Sidomos ato që merren me sektorët e informatikës, Software dhe inteligjencës artificiale.

Landi i Zarës hapi rrugën për ribashkimin gjerman

50 vjet më parë, banorët e landit të Zarës (Saarland) votuan për përkatësinë e tyre kombëtare dhe hapën kështu rrugën për ribashkimin e vogël gjerman. Në vitet pesëdhjetë, kancelari gjerman i asaj kohe, Konrad Adenauer kishte një qëllim kryesor. Ai donte të lidhte Republikën Federale, të krijuar para pak kohe, me perëndimin. Kjo lidhje ishte për të më e rëndësishme se sa ribashkimi gjerman. Për Adenauerin ishte e qartë se nuk mund ta arrinte qëllimin e tij pa arritur pajtimin gjermano-francez. Ky pajtim pengohej nga një çështje e pazgjidhur ende, nga çështja e Landit të  Zarës (Saarlandit), çështja se kujt do t`i takonte ky land, Gjermanisë apo Francës. Më 23 tetor 1955 u zhvillua një referendum i cili vuri themelet për zgjidhjen e çështjes.

Rajonet kufitare kanë qenë në të kaluarën gjermane mollë sherri. Kështu ka qenë Landi i Zarës (Saarland)-sot një nga 16 landet federale gjermane. Në dhjetëvjeçarin e parë të pasluftës, Saarlandi ka qenë pengesë e afrimit dhe pajtimit gjermano-francez.

Fillimisht Saarlandi ka qenë zonë gjermane e pushtuar nga francezët. Në vitin 1946, Parisi e heq prej kompetencave të Këshillit kontrollues të Aleatëve dhe e lidh ekonomikisht me Francën. Në mënyrë që kërkush të mos kishte dyshime, kjo lidhje u shkrua edhe në Kushtetutën e Saarlandit të vitit 1947. Midis Saarlandit dhe pjesës tjetër të Gjermanisë, Franca vendosi kufirin doganor.

Nëse Parisi kish ndër mend ta aneksonte Saarlandin më vonë, mbetet spekulacion. Fakt është se ekziston një dokument që e vërteton këtë plan. Dyshime nuk ekzistojnë për interesat ekonomikë të Francës për Saarlandin. Ky land është një nga qendrat më të rëndësishme europiane për qymyrin dhe çelikun- në atë kohë elementet kryesore të ekonomive popullore.

Meqenëse Franca ishte e interesuar për ndarjen e Saarlandit nga Gjermania, përkrahte ata politikanë që kërkonin një Saarland autonom.  Republika Federale nuk kishte fillimisht ndonjë interesim të madh për Saarlandin autonom. Zona është e banuar nga popullsi gjermanofolëse. Por fakti që ideja e një Saarlandi autonom, u kap edhe nga kancelari Konrad Adenauer kishte të bënte me faktin, që Gjermania donte të hynte patjetër në Komunitetin Europian në fushën e mbrojtjes,(EVG). Kushti kryesor për këtë ishte pajtimi gjermano-francez. Adenauer besonte se do e arrinte këtë duke respektuar me shumicë ndjeshmërinë franceze në çështjen e Saarlandit.

Pas bisedimeve të vështira më 23 tetor 1954 u nënshkrua në Paris “Statuti i Saarlandit”. Pikat kryesore e paktit kishin të bënin me vendosjen në krye të Saarlandit të një Komisari Europian, që të merrej me çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ky Komisar nuk duhet të ishte as gjerman as francez. Përgjigje ai duhet t`i jepte vetëm Komunitetit Europianoperëndimor. Në çështjet e tjera Saarlandi mbante autonominë. Ekonomikisht landi duhet të ishte njësoj i lidhur si me Gjermaninë ashtu edhe me Francën.

Pakti i shkakton Adenauerit shumë diskutime në politikën e brendshme nga të gjitha anët. Një vit pas nënshkrimit të paktit, më 23 tetor 1955, banorët e Saarlandit thirren të japin votën për të. Referendumi zhvillohet me një fushatë të ashpër zgjedhore. Dhe përfundon, ashtu siç nuk e kishte pritur kërkush. Me pjesëmarrje 96 për qind në votime, ku dy të tretat e banorëve të landit e hedhin poshtë paktin e nënshkruar nga Boni dhe Parisi.

Pas kësaj humbjeje të papritur, Franca tregohet humbës i ndershëm. Nëpërmjet një pakti të nënshkruar në vjeshtë të 1956 me Gjermaninë në Luksemburg, Franca i hap rrugën ribashkimit të Saarlandit me Republikën Federale Gjermane. Më 1 janar 1957 Saarlandi integrohet politikisht me Gjermaninë, dhe më 6 korrik 1959 edhe ekonomikisht.

Leave a Reply

%d bloggers like this: