Opinion

Studentët dhe Mefistofelët

Në epokën e spektakleve ku jetojmë, edhe manifestimet politike të rinisë kanë një regjisurë; një strategji të propagandës së mirëfilltë. Kujtoni fjala vjen mitingjet e mëdha gjatë këtyre 30 viteve të fundit të PD apo PS. Shikoni fushatat elektorale ku ikonat rinore, përdoren si postera politikë të partive; rrethojnë shefat e këtyre partive përherë të buzëqeshur dhe me një optimistikë të programuar.

Nga Moikom Zeqo

Të gjitha këto spektakle janë të rreme dhe momentale.

Asnjë tubim i madh nuk mund të krahasohet me këtë shpalosje masive të rinisë që po ndodhë këto ditët e fundit në të gjitha sheshet dhe mediat e vendit. Jo vetëm gjatë harkut kohor nga viti 1990 deri në 2018, por një dukuri e tillë nuk është artikuluar ndoshta kurrë tek ne siç po ndodh tani.

Duke qenë dëshmitar i kohës mbaj mend vitin 1968, jehonën e protestave kolosale të rinisë në Francë në Itali madje edhe revoltat e studentëve universitarë të Berklit në SHBA. Ishin kaq masive dhe kaq substanciale sa nuk kishin të krahasuar me asnjë hapësirë kohore përpara vitit 1968. Këto protesta tronditën gjithë Francën por edhe vendet e tjera por në Francë qenë më rezultative, më të fuqishme dhe më vizionare, sepse me rininë u bashkuan edhe punëtorët, edhe intelektualët, gjithë njerëzit e kulturës duke krijuar një situatë të pashembull emergjence, e cila e detyroi Presidentin “Le Grandeur de France” (“Madhështinë e Francës”)  që të jepte dorëheqjen. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë një gjë e tillë.

Në të gjitha kuptimet shkencore revolta e këtyre ditëve e studentëve tanë nuk është aspak një “dhjetor i dytë”. Nuk ka asnjë lidhje me atë që e manipuloi Ramiz Alia në vitin 1990 me një figurë ambiguide dhe të ashpër në mashtrim si Sali Berisha.

Revolta e dhjetorit ’90 e Qytetit Studenti në Tiranë ishte revolta e gjeneratës së re që e kishte kuptuar shkatërrimin dhe fundin e inxhinierisë sociale të shtetit monist, dështimin fatal ekonomik të tij. Ata kërkonin një sistem tjetër, pikërisht atë sistem që studentët europianë të vitit 1968 e kishin anatemuar.

Ajo që ndodhi më pas dëshmoi se edhe ëndrrat apo projektet mendore të rinisë mund të mos arrijnë rezultate afatgjata. Ata studentë idealistë kishin një ëndërr: Donin një Shqipëri të integruar në Europë me zhvillimet më të larta dhe më të epërme sociale kulturore, një cilësi të re të jetës. Ku janë ata sot? Manipuluesit e tyre u bënë frikmërisht të pasur gjatë këtyre 30 viteve dhe krijuan racën e politikanëve mediokër që ka mbjellë këtë korrupsion galopant që kemi sot; krijuan nga viti në vit atë që quhet përfaqësimi i rremë politik i parlamentit dhe pushtetit. Si ka mundësi në 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë të ulen njerëz, që janë thjesht të kamur, që nuk janë as intelektualë, as personalitete, që as e kanë idenë e politikës së vërtetë? Ku janë studentët e ’90-s?

Është një mrekulli dhe një shpresë që rinia shqiptare sot po proteston. Ajo po përjeton sot një stinë zhvillimi, një kohë të re të vetëdijes së saj. Është edicioni i parë shqiptar i revoltave të mëdha të rinisë në tërë Europën, jo pa jehonë nga revoltat e rinisë franceze, të ashtuquajturit “jelekverdhët”.

Duket një protestë e vonuar. Nuk janë pak 30 vjet. Por rinia shqiptare po mpreh më në fund instinktin e saj, po krijon vetëdijen dhe përgjegjësinë historike ndaj të ardhmes që mishërohet vetvetiu te kjo rini. Kjo rini për herë të parë krijoi një unitet përtej të gjithë instrumenteve separatiste, siç janë forumet rinore të tre partive PD, PS e LSI. Ata kanë bërë kërkesa të cilat në gjithë kuptimin esencial të fjalës janë kërkesa njerëzore. Ata janë një forcë shumë e madhe.

Kjo protestë lidhet me një nga ligjet më të diskutueshme të realizuar nga politik-bërësit pushtetarë që është ligji i arsimit të lartë. Nën dogmën e vrazhdë të neoliberalizmit ky ligj ju dha përparësi universiteteve private; krijoi një situatë pezhorative, dëmtuese, shkatërruese, të universitetit publik. Shikoni ç’rezultat befasues, negativ, poshtërues dha ky ligj, vetëm pas pak vitesh.

Ky ligj duhet anuluar dhe duhet ribërë krejt ndryshe. Buxheti i Ministrisë së Arsimit është i pamjaftueshëm dhe kjo ministri mund të quhet Ministria Hirushe, por nëse do kishim një racë politikanësh të ndërgjegjshëm, seriozë, të ditur dhe të përkushtuar ndaj fateve të atdheut dhe të kombit të jeni të bindur se buxheti i Ministrisë së Arsimit mund të shumëfishohet edhe në kushtet e sotme. Mjafton që të vihen në dispozicion fitimet e pamerituara marramendëse në shifra astronomike të të kamurve dhe oligarkisë shqiptare. Këto mjete financiare sipas një programi strategjik do ta fuqizonin arsimin kombëtar, do ta ndryshonin dhe do ta bënin një çështje vërtet të madhe dhe të pashembullt. Aq më tepër kur sheh se këto para të oligarkëve nuk po kanë asnjë lloj fuqie alkimike për të bërë më të mençur dhe më të ditur të paktën ata vetë. Kanë mbetur viktima arkaike të injorancës së tyre.

Kam parë reagimin e kryeministrit Rama, kam ndjekur reagimin e Lulzim Bashës dhe të disa politikanëve të tjerë. Të gjitha janë gjestikulacione mefistofelështë vegjël të mashtrimit dhe përfitimit. Flasin si Shën Arseni “Fuge, tace, quiesce!” (“Ik, hesht, qetësohu!”). Por rinia shqiptare e ka ngritur tashmë pëlhurën për të parë kokën e Meduzës së një klase politike tërësisht të dështuar, të një klase politike që ka ngritur një korrupsion gati surreal dhe tashmë duhen institucione ekstra-juridike si Vettingu për t’i ndëshkuar dhe për të bërë pastrim.

Revolta e rinisë shqiptare nuk është vetëm e gjeneratës së re. Secili nga këta studentë e ka një familje me 5 vetë. Shikoni sa shumë janë në krejt Shqipërinë.

Asnjëherë nuk është shprehur publikisht një kërkesë e tillë që anulon jo vetëm pozitën por edhe opozitën dhe përgjithësisht stigmatizon tërë vargun e politikanëve dhe pushtetarëve. Akti i tyre i mosnegocimit me pushtetarët në të vërtetë është një akt i mirëfilltë politik, sepse është një akt kundër establishmentit politik.

Kjo revoltë e ka shkundur gjithë Shqipërinë për të menduar. Shqiptarët për fat të keq i kanë shumë të rrallë në histori momente të shkundjeve të tilla për të menduar. Duke e kaluar kohën në të vërtetë pa kohë, duke patur pasione pa të vërteta, të vërteta pa pasione, heronj pa heroizma, histori pa ngjarje, duket sikur shpesh jetojmë një zhvillim fiktiv forca lëvizëse e të cilit është vetëm kalendari.

Rinia shqiptare me këtë protestë ka promovuar identitetin dhe vizionin e saj. Zërat e tyre janë si boritë biblike që rrëzuan muret e Jerikos. Mundet që edhe të arrijnë t’i manipulojnë, t’i përçajnë, dihet që fitoret mendore janë shumë të vështira. Por rinia shqiptare ka ngritur zërat e saj dhe mësimi i protestës është: të protestosh prapë.

Klasa e dështuar e politikanëve shqiptarë duhet ta kuptojë se përfundimisht ata nuk janë më e ardhmja e këtij vendi. Rinia është e ardhmja. Të ashtuquajturit pushtetarë le t’i lënë “të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre”, siç thuhet në troparin biblik.

Në këtë situatë të trazuar paneuropiane të protestave të rinisë, shpesh më është kujtuar  një pasazh poetik i Migjenit. Këto vargje duket sikur e kanë një fatalitet bordlerian, por vijnë nga i njëjti Migjen që i këndoi rinisë gati në një apoteozë “qeshu rini qeshu – bota është e jotja”.

Kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme

dhe askush nuk mund të thotë

se këtu rron një popull

që ndërton dicka të re. 

Një popull duhet të ketë gjithmonë njerëz për të ndryshuar realitetet. Ne jemi qenie njerëzore dhe kërkojmë një të ardhme njerëzore. Politika nuk është thjesht një” modus operandi” që kthehet në një” modus morieri” , dmth një “mënyrë të vepruari” që shndërrohet “në një mënyrë të vdekuri.” Askush nuk e ka shprehur rëndësinë ringjallëse të revoltës sa shkrimtari francez Albert Camys. Lexoni librin e tij “L’home revolte” “Njeriu i revoltuar”). Filozofi Dekart, thoshte “Cagito, ergo sum” (“Mendoj prandaj jam”). Por më e saktë ajo që thotë Camys: “Revoltohem, prandaj jam”

Nuk e di si do shkojë fati i lëvizjes së rinisë shqiptare. Nuk e kam fjalën për fatin e saj konceptual por për rreziqet që e kanosin për ta manipuluar, ashtu siç manipuluan lëvizjen e dhjetorit 1990. Por një gjë është e sigurtë: Në betejën mendore rinia shqiptare e ka mundur këtë racë pushtetarësh dhe politikanësh që po e torturojnë popullin shqiptar për 30 vite me radhë.

E ardhmja nuk është një algjebër okulte e tregut, e ardhmja është dhe duhet të jetë ajo e humanizmit qytetar

Mendimtari i madh George Steiner kritikon modelin tregtar ose menaxherial të futur në Universitete si një model që vret qëllimin e formimit  të personaliteteve njerëzore. Modelet e tilla universitare – thotë Steiner – e formësojnë dhe e dogmatizojnë njeriun si “konsumator” dhe jo si qytetar. Njeriu si qytetar bën përherë pyetjen “pse” dhe është i pakënaqur me çdo lloj status quo. Sidoqoftë, status quo është prishur përfundimisht, modeli ka dështuar.

Më lart, përmenda ligjin e arsimit të lartë që shkaktoi pasoja kaq të dëmshme. Të mos harrojmë se ligjet kanë shpesh fuqi prapavepruese shumë të madhe. Shikoni se si ndryshimet kushtetuese të kobshme të vitit 2008,- që përcaktuan që kryetarët e partive kanë të Drejtën e Monarkut për të hartuar listat e deputetëve, për 10 vjet jo vetëm që kanë krijuar një negativitet dhe një përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës, por në të vërtetë kanë penguar në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike, të krijimit të formacioneve të politikanëve të rinj.

Në të vërtetë ky është një dhunim kushtetues, që askush nuk e di se kur do të shmanget dhe anulohet.

Të njëjtin efekt paralel shkaktoj dhe ligji i arsimit të lartë. Tani problematika është e qartë dhe tepër e mprehtë. Nëse këtë problematikë Qeveria mendon ta riparojë duke bërë grim dhe kozmetikë, është krejt e sigurtë se vetëm do ta bëjnë akoma më të pazgjidhshme problematikën; do ta bëjë më të fuqishme indinjatën.

Në këtë duel studentët janë në esencën e Historisë. Ata që i pengojnë nuk janë gjë tjetër veçse kreatura të Anti-historisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button