Politika

Rama uron shqiptarët për Vitin e Ri: 2019-a më afër Shqipërisë që duam

 Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, brenda dhe jashtë kufijve.

Kreu i qeverisë i kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë përfituar apo nuk e kanë ndjerë ndryshimin që kanë sjellë reformat gjatë këtij viti. Për Edi Ramën ky është motivi dhe frymëzimi për të punuar edhe më shumë.

“I kërkoj ndjesë kujtdo që nuk është prekur ende nga ndryshimet e bëra, i siguroj të gjithë se kjo është dhe arsyeja kryesore që më motivon në betejën time të përditshme për Shqipërinë që duam”, – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se studentët nxorën në pah probleme, të cilat sipas tij, mund dhe do t’i zgjidhë kjo shumicë qeverisëse e cila u rinovua në këtë prag fundviti.

“2019 do të nisë me një qeveri të re, me një fillim të ri për të gjithë organizmin e shumicës qeverisëse. Ashtu si e thanë dhe studentët, ne mund të kemi shumë kusure por padyshim jemi të vetmit që mund t’u japim dhe do t’u japim zgjidhje problemeve të trashëguara të këtij vendi”, – vijoi Rama.

Edi Rama renditi një sërë arritjesh që shqiptarët përfituan nga 2019, ku veçoi rritjen ekonomike dhe punësimin e mijëra personave.

“Ky vit mbyllet me një rritje ekonomike 4,5%, me 340.602 të punësuar vetëm përmes zyrave të punës, ndër të cilët afro tremijë familjarë të dalë nga ndihma ekonomike. Me 262 mijë të punësuar nga viti 2013”, – vijoi Kryeministri.

Kryeministri renditi edhe objektivat që ka mazhoranca për vitin e ardhshëm.

“Në vitin që vjen do ta vendosim kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë në regjimin e kritereve teknike të marrëveshjes Shengen. Një kufi i hapur që e synojmë edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi, e me Greqinë po ashtu. Shumë më të afërt se sa antarësimi në Bashkimin Europian.

“Për çdo bebe të lindur pas orës 12, do të hyjë në fuqi ligji për çekun e ri për beben, një mbështetje financiare, për çdo çift të ri e për nëna e baballarë që bëhen prindër. Po ashtu nga nesër mijëra sipërmarrës që kanë krijuar biznese, punësim dhe vetëpunësim mes fashës së xhiros vjetore 8 milionë dhe 14 milionë lekë të reja në vit, do të paguajë tre herë më pak taksë mbi fitimin. Ashtu si për të gjithë fermerët e Republikës sonë, nga nesër taksa 20% mbi inputet bujqësore bëhet më në fund zero”, – theksoi Rama.

“Nga nesër studentët do të përfitojnë përgjysmimin e tarifës universitare, ndërkohë që më të mirët dhe studentët nga familje me ndihmë ekonomike, apo me aftësi të kufizuar jo vetëm do të përfitojnë zerimin e tarifës, por do të marrin edhe një bursë 10 mijë lekë të reja në muaj”.

“Deri në pranverë të gjitha vendet e lira të punës në shërbimin civil apo administratën shtetërore, do të shpallen në dispozicion të atyre që kanë mbaruar apo do të mbarojnë këtë vit me mesatare 9 deri në 10. Punësimi i tyre do të jetë automatik”.

“Viti që vjen do të jetë dhe viti i parë i fluturimeve nga aeroporti i Kukësit dhe viti i fillimit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Këtë vit do të nisë ndërtimi i hekurudhës së parë moderne Tiranë-Durrës, si dhe shpresoj shumë, ndërtimi i portit të kroçerave turistike në Durrës dhe në Saradë”.

“Do të vijojë me ritme më të larta puna për ndërtimin e infrastrukturës rrugore”.

“Nga nesër në mëngjes asnjë prind nuk do të ketë më frikë nga borxhet e fëmijëve në kumar. Qindra-miliona euro që deri më sot i ka marrë lumi do të mbeten në arkën e familjeve për konsum”, – vijoi ai.

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te Reforma në Drejtësi duke nënvizuar progresin, por edhe mangësitë që ka ende sistemi.

“Ky vit mbyllet me rezultate të padiskutueshme për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar e të padenjë, peshq të mëdhenj, si dhe me ngritjen e disa institucioneve të reja të drejtësisë”. Ndjesë kujtdo që ka pësuar në kurriz padrejtësinë e një sistemi në pastrim e sipër, ku ka akoma plot prokurorë e gjykatës të padenjë. Padrejtësi ju shfaqet qytetarëve edhe në zyrat e shtetit por ne këtë vit e kemi luftuar atë së bashku më shumë se kurrë më parë nëpërmjet “Bashkëqeverisjes”. Mijëra qytetarë kanë triumfuar mbi padrejtësinë”, – u shpreh ai.

Në fund të urimit kreu i qeverisë u tha shqiptarëve se ka nxjerrë një sërë mësimesh nga ky vit dhe se është gati për t’i përballuar me përkushtim sfidat e të ardhmes.

“Ky vit ka qenë për mua tejet sfidues, por edhe tejet bujar për mësimet që më ka dhënë, duke me ndihmuar të kuptoj më shumë, duke më nxitur të guxoj më shumë, si dhe duke më mundësuar të besoj më shumë, me besimin e madh se më e mira është ende duke ardhur, ju falenderoj për mbështetjen dhe inkurajimin, por edhe me reagimet tuaja kritike ju përcjell urimet e mia më të përzemërta”.

“Qoftë një vit i mirë për shqiptarët, për çdo familje që flitet shqip dhe për të gjithë të dashurit tuaj! Gëzuar!” – mbylli urimin Kryeministri Edi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button