Home / Arte / Libri / BETEJA JONË/ Një bashkëbisedim me prof. dr. Paskal Milo

BETEJA JONË/ Një bashkëbisedim me prof. dr. Paskal Milo

Lufta II Botërore

Megjithëse shumë shqiptarë u vranë mes njëri-tjetrit dhe në një moment dy formacione politiko-ushtarake shqiptare i drejtuan “zyrtarisht” armët njëra-tjetrës, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk mund të konsiderohet assesi një luftë civile. Kështu mendon historiani Paskal Milo, i cili në intervistën e tij për gazetën Shqip, jep argumentet që mbështesin këtë tezë. Sipas Milos, një pjesë e së djathtës shqiptare u bashkua hapur me pushtuesit në mesin e Luftës së Dytë Botërore dhe kjo e legjitimon në një farë mënyre luftën mes shqiptarësh, që në thelb mbeti një luftë për çlirim.

Nga Monika Shoshori Stafa

milo2Shqiptarët e kanë përshkruar disi brutalisht Luftën Antifashiste në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, atë pjesë edhe pse të vogël që i takonte Shqipërisë në kalvarin e gjatë të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore që përfshiu Europën mbarë. Natyrisht, kjo mungesë përgjegjshmërie për ta marrë këtë përfshirje të tyre më seriozisht, rrjedh jo vetëm për shkak të papjekurisë së saj si entitet politik, por dhe ndasisë së një lumi historianësh e studiuesish në kampe tërësisht politike dhe mungesës së një lirie të menduari dhe të argumentuari të fakteve historike. Në të gjitha rastet, çështjet studimore që përfshijnë Historinë e Shqipërisë, si lëndë studimi, fatkeqësisht në këta 24 vjet i janë nënshtruar brutalisht me dhjetëra herë ndërhyrjeve dhe interpretimeve me karakter politik. Së fundi, duket se rishkrimi i saj po merret pak më seriozisht, atë do ta bëjnë të huajt meqë ne nuk po i kemi më besim punës sonë e sepse për Shqipërinë, Lufta e Dytë Botërore mund të ketë qenë e gjëmshme në kuptimin e vuajtjeve që shkaktoi aty për aty, si dhe të totalitarizmit gjysmëshekullor që u vendos pas saj, por derisa ky vend të kryejë deri në fund tranzicionin për t’u shkëputur nga komunizmi, shndërrimi i tij do të jetë i paplotë. Në këtë numër ne do të vazhdojmë të ndihmojmë në rishkrimin e historisë së Shqipërisë, me dëshmitë, studimin e fletëve të dokumentuara historike, por dhe intervistave të historianëve që vazhdojnë të sjellin dritë në dritëhijet e ngjarjeve që përfshinë Shqipërinë në një nga luftërat më të përgjakshme botërore. Kur u shpall Dekalogu i Ballit Kombëtar dhe sa besnik i mbetën atij hartuesit që nga momenti i parë i firmosjes e më pas si u devijua ai gjatë luftës? Përse ata vendosën të bashkëpunojnë me pushtuesin e huaj? Cilët ishin ata anëtarë të Ballit që dhanë kontributet e tyre gjatë qeverive të regjencës? Përse u përjashtua Lef Nosi nga radhët e Ballit Kombëtar? A ndodhi një luftë civile në Shqipëri gjatë kohës së luftës dhe përse lindi nevoja e shpërthimit të saj, nëse kjo tezë mbetet e vërtetë?

Liberalët, republikanët dhe bejlerët që kishin hedhur poshtë ftesën e Enver Hoxhës për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, për të mos mbetur thjesht me një mospëlqim të zbutur dhe mosbashkëpunim me italianët në nëntor të vitit 1942, formuan sipas të gjitha gjasave grupin e quajtur Balli Kombëtar. Çfarë ishte ky grupim i ri politik, nëse ka qenë fort i ri dhe cili ishte programi i tij?

Prof. Paskal Milo: Platforma kryesore e Ballit Kombëtar si organizatë politike në Luftën e Dytë Botërore ka qenë i famshmi Dekalog, në të cilin janë parashtruar, siç edhe e thotë vetë fjala, 10 pika të programit. Po të gjykohen nga jashtë me gjakftohtësi këto pika nuk mund të kritikohen, sepse kanë qenë çështje për të cilat të gjitha forcat antifashiste të kohës në një mënyrë ose një tjetër janë shprehur. P.sh. në Dekalogun e Ballit Kombëtar flitet për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, për një rezistencë kundër pushtuesit, për pavarësinë e Shqipërisë, dhe për Shqipërinë etnike. Madje ka dhe pika të atilla, që respektohen ose merren përsipër të zbatohen edhe politika sociale. Për më tepër në këtë program të Ballit Kombëtar ka një tendencë antifeudale, kundër asaj klase të vjetër të çifligarëve shqiptarë dhe bejlerëve që kanë qenë të diskretituar. Pra me pak fjalë, Dekalogu si përmbajtje në gjykim të parë, nuk ka shfaqje të gabuara parimore. Problemi është pak më tepër se përmbajtja e këtyre dhjetë pikave. Shumë dokumente të tjera të Ballit Kombëtar, është parë se kanë mbajtur qëndrime të qarta në kundërshtim me vetë programin e tyre dhe unë po ju citoj një dokument të cilin, askush nuk mund ta mohojë, sepse është i identifikuar si një dokument i shkruar me vetë dorën e kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërit. Më 7 tetor të vitit 1943 Mit’hat Frashëri u drejtohet të gjithë çetave të Ballit Kombëtar, që të mos ndërmarrin asnjë veprim ushtarak kundër gjermanëve, që kanë ardhur në Shqipëri. Direktiva është e qartë, sapo kanë shkelur pushtuesit gjermanë në Shqipëri, sapo kanë djegur Borovën dhe sapo kanë filluar të ushtrojnë terrorin e pushtuesit në Shqipëri, dhe kryetari i Ballit Kombëtar që pretendon se do të bënte Luftë Antifashiste kundër pushtuesve, jo vetëm që nuk jep një direktivë të tillë, por tërheq vëmendjen e çetave të Ballit, që të mos veprojnë kundër pushtuesve gjermanë. Po të shkojmë më tutje, është pikërisht kjo kohë, kur sapo kanë ardhur pushtuesit gjermanë, dhe ndonjë historian e quan këtë periudhë historike me një përcaktim tjetër tepër absurd dhe jo realist, sikur pushtimi gjerman paska qenë një epokë e lumtur për shqiptarët, sepse nazistët gjermanë i paskan njohur Shqipërisë pavarësinë, neutralitetin, dhe se janë përpjekur që Shqipërinë ta trajtojnë si një rast të veçantë në Europë e të tjera fantazma historiografike të pambështetura. Të mos harrojmë që Balli Kombëtar dha kuadrot e tij më të mirë për qeveritë kolaboracioniste, ose qeveritë kolaboracioniste të kohës së pushtimit gjerman dhe këto janë fakte të pamohueshme, askush nuk mund t‘i fshehë.

A mund të na përmendni disa prej tyre? Cilët ishin ata dhe kontributet e tyre në qeveritë e regjencës?

Lef Nosi ishte një nga drejtuesit kryesorë të Ballit Kombëtar dhe ai ishte nga të parët që u bashkua dhe u vu në shërbim të pushtuesve gjermanë, deri aty sa vetë Balli Kombëtar botoi një trakt që e përjashtonte Lef Nosin nga radhët e veta. Por e gjithë kjo demagogji politike nuk vazhdoi gjatë, sepse pak më vonë nga radhët e Ballit Kombëtar u bashkuan në qeveritë e Rexhep Mitrovicës dhe në qeveritë e tjera kolaboracioniste të pushtimit gjerman, vetë drejtuesit kryesore të Ballit Kombëtar, siç ishin Hasan Dosti, Bahri Omari, dhe mjaft personalitete të tjera, të cilët tashmë e bënë të qartë që organizata e BK-së u bë njësh me pushtuesit gjermanë për dy arsye. E para, sepse ata nuk ishin për luftë kundër pushtuesve gjermanë dhe ngritën një filozofi të tërë kolaboracioniste për të justifikuar qëllimin e tyre, dhe e dyta, sepse ata kishin filluar të ndjenin frikën e madhe ndaj Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sepse të dyja palët mendonin për të ardhmen, mendonin për pushtetin. Ndërkohë që Lëvizja Nacionalçlirimtare, pushtetin e ardhshëm të saj e mendonte përmes luftës dhe përmes imponimit nga lufta në paqe, Balli Kombëtar në pamundësi, për shkak të organizimit, për shkak të mungesës së vullnetit për të luftuar, e mendonte ardhjen në pushtet, duke iu bashkuar pushtuesit të huaj, me shpresën që ngjarjet të rridhnin në mënyre të atillë, që t‘i ndihmonin ata të vinin në pushtet, duke mbajtur pozicione të tërhequra. Me shpresën se forcat anglo-amerikane do të vinin në Ballkan e do ta pushtonin Ballkanin. Duke qenë se SHBA dhe Britania e Madhe, si vende demokratike e perëndimore, kishin një koncept tjetër për të ardhmen e Ballkanit dhe për shtetkrijimin në Shqipëri, ata shpresonin që të gjenin mbështetje. Pra, me pak fjalë, platforma e Ballit Kombëtar, që u përpunua më në vijimësi që nga momenti kur u shpall Dekalogu e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ka lëvizur në pikat e tij politike. Një platformë, e cila ishte e mirë në pamje të parë, por ka ecur gjithnjë duke u tërhequr, duke u bërë pragmatiste e shpëtimit të strukturave të veta dhe në emër të pritjes për të ardhur në pushtet me ndihmën e të tjerëve.

Mbledhja e Mukjes mbetet një ngjarje disi e errët, por nuk janë të tilla pasojat e saj. Ajo përbën një pikë kthese për PKSH dhe për qëndresën në përgjithësi. Mukja dobësoi të moderuarit brenda PKSH si Gjinishi, Dishnica, por shënoi edhe dy ngjarje; shkëputjen e Abaz Kupit nga Fronti NÇL dhe atë, që shumë studiues e quajnë fillimin luftës civile në Shqipëri. Në këndvështrimin tuaj profesor, a kemi pasur ne një luftë civile?

Pyetja juaj shtron një çështje shumë të vjetër, madje është një çështje që është shtruar që në kohën e luftës. Kur forcat politike kryesore në Shqipëri u ndanë për të mos u bashkuar kurrë më gjatë Luftës së Dytë Botërore, që në gusht-shtator të vitit 1943, në takimin e Mukjes. Që në atë kohë, nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Ballit Kombëtar është folur për vëllavrasje dhe luftë civile, ndërkohë që nga drejtuesit kryesorë të Frontit Nacionalçlirimtar dhe Partisë Komuniste është folur që ka një luftë çlirimtare dhe një përpjekje të fortë kundërshtare politike që për mbijetesën e tyre politike dhe për të ardhmen, po përpiqen të bashkëpunojnë me pushtuesit, duke pritur një rezultat pozitiv për ta, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pra është një çështje që është trashëguar nga e kaluara konfliktuale e vetë Luftës së Dytë Botërore dhe që sot ajo shtrohet në një kontekst që më tepër nuk ka të bëjë me të vërtetën historike se sa përdoret si debat dhe instrumentalizohet për qëllime politike të ditës, për shkak se sot e majta shqiptare identifikohet në sytë e së djathtës, si vazhduese dhe trashëgimtare e PKSH-së. Por që në fakt, e majta shqiptare sot është vetëm një përfaqësuese dhe vazhduese e traditave më të mira të antifashizmit shqiptar dhe të vlerave demokratike europiane të kësaj rezistence.

Shumë studiues e vlerësojnë Luftën Antifashiste të shqiptarëve, sidomos ata të huaj. Por ju e dini se historiografia e kaluar komuniste e shkruante dhe e lustronte atë si të donte, një plagë e vjetër e historiografisë së re që pritet të hapet sërish, pra as që bëhej fjalë të mendohej se ka pasur copëza të luftës civile gjatë kësaj periudhe. Ende ka zëra ndikues dhe provokativë në media të cilët mundohen ta errësojnë këtë përpjekje titanike të popullit shqiptar për të çliruar vendin nga okupatori i huaj. Cili është reflektimi juaj në këtë rast?

Nëse sot historiografia shqiptare është e ndarë në çështjen se çfarë ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, një luftë e drejtuar kryesisht kundër pushtuesve fashistë, apo një luftë midis vetë segmenteve politike shqiptare të kohës për pushtet, kjo nuk është një gjë e re mes nesh. Siç e përmenda, kjo është një çështje e vjetër. Sot ka një shtrembërim të theksuar dhe të qëllimshëm të historisë. Lufta Nacionalçlirimtare, jo se e thonë vetëm historianët shqiptarë, këtë gjë e thonë edhe të huajt, të cilët shtrojnë tezën se Lufta ka qenë dhe mbetet në boshtin e saj një luftë për çlirim, një luftë që ka pasur objektiv kryesor armikun pushtues, qoftë atë italian, qoftë atë gjerman. Por në këtë luftë që ka pasur këtë objektiv themelor, Fronti Nacionalçlirimtar i Partisë Komuniste Shqiptare, i drejtoi armët edhe kundër formacioneve ushtarake të Ballit Kombëtar, të Legalitetit apo dhe të disa bajraktarëve shqiptarë të Veriut, sepse në mënyrë të qartë, sa më shumë vinte fundi i Luftës, aq më shumë ata filluan të bashkëpunojnë hapur me pushtuesit, në mënyrë të veçantë me ata gjermanë, dhe në arkivat shqiptare, për të mos folur për arkivat e huaja, britanike dhe amerikane, ka me dhjetëra e dhjetëra dokumente që provojnë këtë bashkëpunim të hapur të këtyre forcave politike të së djathtës shqiptare të kohës me pushtuesit. Pra, nuk mund të shtrohet nga historianë seriozë, çështja e debatueshme se çfarë ishte Lufta Antifashiste, ishte një Luftë Nacionalçlirimtare, apo ishte një Luftë Civile. Në mënyrë absolute është e dokumentuar që ka qenë një Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, por që ka pasur në momente të veçanta të saj, në zona të veçanta dhe në rrethana po kaq të veçanta, elementë të luftës civile. Por sidoqoftë, kjo nuk mund ta zhbëjë luftën dhe karakterin e saj çlirimtar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: