Politika

Rama betohet në Presidencë, zyrtarisht edhe ministër i Jashtëm. Meta i uroi suksese

Kryeministri Edi Rama është betuar mbrëmjen e djeshme si ministër i jashtëm në ambientet e Presidencës duke marrë zyrtarisht edhe këtë post.

Kryeministri Edi Rama ka qëndruar vetëm 6 minuta në ambientet e Presidencës për betimin dhe më pas ka dalë duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat.
Rama u betua si ministër një ditë pasi Kuvendi miratoi dekretin e presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit në krye të MEPJ dhe emërimin e tij edhe në postin e ministrit.

Presidenca ka reaguar pas betimit të kryeministrit Edi Rama për postin e ministrit të jashtëm. Përmes një njoftimi, Presidenca bën me dije se kryeministri Edi Rama u betua për postin e ministrit duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas Presidencës, Meta i ka uruar Ramës suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.

Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e betimit të Ministrit të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

 Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke i dorëzuar dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama vendosi të marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm pas refuzimit që i bëri Presidenti Ilir Meta kandidaturës së Gent Cakës me pretendimin se nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Kjo çështje shkaktoi përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë, ndërsa Rama ka thënë se mazhoranca do padisë presidentin Meta për shkelje të Kushtetutës sapo ky organ të formohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button