Home / Politika / Rama në Parlament: Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut

Rama në Parlament: Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut

“Pa shqiptarët nuk do të kishte Maqedoni të Veriut dhe për Shqipërinë integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut, bashkëjetesa e vërtetë demokratike mes dy popujve tanë në territorin e Republikës fqinje dhe gjuha shqipe në atë territor janë jo vetëm të pacënueshme, por dhe jetike për të sotmen e të ardhmen tonë drejt paqes dhe stabilitetit në rajon, gjithashtu””.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në seancën plenare ku Kuvendi votoi projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Nuk e fsheh dot kënaqësinë e veçantë në këtë moment solemn të celebrimit të votës së Kuvendit të Shqipërisë për aderimin e vendit fqinj në NATO që përkon me një kohë të artë të marrëdhënieve ndëretnike mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut”, – nënvizoi Rama.

Ashtu sikur nuk jam dot aq modest, vijoi Rama, sa të mos sjell në vëmendjen e këtij Kuvendi rolin e pamohueshëm të kësaj shumice qeverisëse në mundësimin e këtij momenti të artë.

“Ne i kemi qenë pranë pa asnjë ngurrim vendit fqinjë në gjithë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në NATO, e kemi bërë me këmbëngulje pjesën tonë gjatë atij rrugëtimi në mbështetje të popullit maqedonas dhe popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut”, theksoi kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua të kujtoj këtu se jo shumë larg në kohë gjuha shqipe u bë mollë sherri në politikën e brendshme të vendit fqinj dhe e ashtuquajtura platformë e Tiranës u tregua si dora e djallit në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut”.

“Ndërsa pak ditë më parë shkëlqesia e tij kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi drejtoi seancën historike të punimeve parlamentare në gjuhën shqipe. Roli ynë në këtë proces historik ka qenë një rol mbështetës nëse sot situata në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se asnjëherë tjetër në aspektin e marrëdhënieve politike ndëretnike”, tha Rama.

Sipas tij, kjo i dedikohet në radhë të parë rolit konstruktiv të lidershipit të politikës shqiptare në atë vend si dhe pa diskutim lidershipit vizionar dhe kurajoz të kryeministrit Zoran Zaev.

Rama tha se “gjej rastin ta përshëndes Zaev nga kjo seancë për arritjen historike të anëtarësimit në NATO dhe ta përgëzoj edhe një herë për dorën e shtrirë të vëllazërisë në drejtim të shqiptarëve”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nën udhëheqjen e Zaev me mbështetjen vendimtare të partive politike shqiptare atje ka dhënë një shembull frymëzues me marrëveshjen e Prespës duke treguar se si historia mund ta shkruajë të ardhmen dhe jo veç ta ndalojë atë, se si lidershipi vizionar dhe kurajoz i dy njerëzve mund të zhbëjë një nyje tradicionale në marrëdhëniet mes dy vendeve apo sesi interesat e dy popujve, që formojnë një shtet mund të njehsohen në interesin e lartë të vetë shtetit kur të zgjedhurit janë në lartësinë e interesit të zgjedhësve”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se “uroj që më shpejt sesa vonë të mund të kremtojmë ardhjen e kompromisit edhe në fund të procesit të dialogut tonë me Greqinë apo ende edhe më e rëndësishme për shqiptarët, për rajonin dhe për vetë Europën në procesin e stërmundimshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”. 

Leave a Reply

%d bloggers like this: