Bota

Sanders mbledh 4 milionë dollarë vetëm 12 orë pasi njoftoi se do të garojë për president

Sipas zyrtarëve të fushatës së politikanit Bernie Sanders, në llogarinë e tij janë mbledhur katër milionë dollarë nga 150 mijë donatorë të ndryshëm vetëm dymbëdhjetë orë pasi ai njoftoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për president të Shteteve të Bashkuara.

Kjo sasi e të hollave është më shumë se dyfish më e madhe se shuma prej 1.5 milionë dollarësh, të cilat arriti t’i mbledhë senatorja Kamala Harris 24 orë pas njoftimit për pjesëmarrje në zgjedhje. Kandidatja demokrate kishte hyrë në histori për shumën më të madhe që është mbledhur brenda 24 orëve.

Senatori i pavarur nga Vermonti, Sanders, fushata e të cilit i kishte dhënë një formë të re Partisë Demokratike, i njoftoi të martën përkrahësit e tij përmes një shkrese elektronike se do të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Shuma mesatare e të hollave nga secili dhurues është 27 dollarë. Videoja ku Sanders jep lajmin për pjesëmarrje në zgjedhje është shikuar gati gjashtë milionë herë.

“Së bashku kemi arritur ta fillojmë revolucionin politik gjatë fushatës së vitit 2016. Tash është koha që ta plotësojmë këtë revolucion dhe ta zbatojmë vizionin për të cilin luftuam”, ka thënë Sanders, shkruan “The Guardian”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button