Politika

Zëdhënësi i CDU/CSU: Opozita gaboi rëndë, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje

Në intervistë ekskluzive me Deutsche Welle, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat europiane, Florian Hahn, ka folur për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe dialogun Kosovë-Serbi.

I pyetur për djegien e mandateve nga deputetët e opozitës, Hahn tha se, “unë kam mirëkuptim për demonstrata paqësore, për protesta paqësore, por është e gabuar të bojkotohet pikërisht ai vend ku duhet të zhvillohet debati politik në një demokraci, pra, parlamenti. Më kujtohet fare mirë, kur Partia Demokratike ishte në pushtet dhe socialistët bojkotonin parlamentin. Unë e kam kritikuar atëherë këtë në të njëjtën mënyrë. Nuk kam asgjë kundër protestave, por parlamenti, si bërthama qenësore e demokracisë, nuk duhet bojkotuar kurrsesi”.

Hahn ka theksuar se, “kjo është një situatë e vështirë: Zakonisht ka një pasardhës për dikë që lëshon një mandat. Nëse ka njerëz të arsyeshëm që janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë këta duhet të zënë vendet e mbetura bosh”.

Hahn është shprehur se, “ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Kjo është pyetja tjetër sesi kuptohet demokracia. Janë njerëzit, përfaqësuesit e popullit që janë zgjedhur dhe jo partia, ata që vendosin nëse dikush do ta dorëzojë mandatin apo jo”.

“Kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe kam këshillën që mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia”, ka nënvizuar Hahn.

I pyetur nëse do të kishte kuptim të bëheshin zgjedhje të reja, Hahn u shpreh se, “e çfarë do të mësonin partitë nëse do të imponoheshin zgjedhje të reja në një mënyrë që nuk parashikohet nga Kushtetuta? Ta zëmë se do të kishim kështu një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Ajo do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së? Opozita bën mirë që i shoqëron në mënyrë kritike proceset reformuese. Por jo bojkoti, bojkoti nuk është i përshtatshëm për përkrahjen e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së”.

I pyetur për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe progresin e bërë nga Shqipëria, Hahn u përgjigj se, “në disa aspekte shohim se nuk është bërë asnjë lëvizje, në aspekte të tjera ka përmirësime të mëdha, si për shembull, në procesin e Vettingut. Por situata aktuale, e sidomos bojkotimi i parlamentit është një hap i madh prapa. Ne e shohim Shqipërinë si një të tërën. Për ne është me rëndësi që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, prandaj edhe duam që ajo të jetë e qëndrueshme dhe të ndajë me ne vlerat tona demokratike. E këtu ka së paku shumë pikëpyetje”.

I pyetur në lidhje me deklaratën e ministres së jashtme të Francës, e cila ka thënë këtë javë gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç se ende nuk janë pjekur kushtet në BE për raunde zgjerimi, Hahn u shpreh se, “nuk e di se çfarë thotë një ministre e jashtme në një bisedë, në të cilën unë nuk kam qenë i pranishëm. Vendimtar do të jetë raporti i progresit të Komisionit, i cili do të bëhet i  njohur më 29 maj të këtij viti. Mbi bazën e këtij progres raporti do të marrim një vendim në Bundestag dhe natyrisht që do të marrim për bazë edhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Hahn u shpreh se, “natyrisht, ne kemi një interes të madh që këtu të arrijmë përparime.  Por shohim se ka aktorë, të cilët janë shumë të interesuar që këtu të mos ketë një rezultat pozitiv. Ne këtu dëshirojmë progres pozitiv”.

I pyetur për ndryshimin e kufijve, Hahn tha se, “me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë  për vendin e tyre , atëherë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë. Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje”.

I pyetur për  efektet e të ashtuquajturës Kutia e Pandorës, Hahn tha se, “ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet menjëherë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button