Home / Opinion / 10 pyetje përse Turqia blen sistemin S-400

10 pyetje përse Turqia blen sistemin S-400

Nga Zuhal Demirçi

Pas përpjekjeve të përsëritura për të blerë sistemin raketor mbrojtës Patirot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si vend aleat dhe përgjigjeve negative që mori në këtë drejtim, në vitin 2017 Ankaraja shqyrtoi ofertën tërheqëse të Rusisë dhe vendosi të blinte sistemet e saj S-400, shkruan Anadolu Agency (AA).

Turqia, nevojat e së cilës për ruajtjen e sigurisë u rritën në vazhdimësi dhe hapësira ajrore e së cilës u ekspozua ndaj kërcënimeve, ndikuar edhe nga lufta në Siri, u orientua drejt krijimit të sistemeve të veta mbrojtëse pas mosmbështetjes nga ana e aleatëve të NATO-s.

Turqia është e përgatitur t’i dorëzohen sistemet mbrojtëse ajrore S-400 nga Rusia, një nga teknologjitë kryesore ushtarake, e cila shquhet nga konkurrentët në aspektin e karakteristikave teknike, transferimit të teknologjisë dhe atë të bashkëprodhimit.

Me blerjen e këtij sistemi, Turqia synon të ruajë sigurinë kombëtare nga kërcënimet e mundshme ndaj hapësirës së saj ajrore.

AA ka përmbledhur në dhjetë pika procesin e blerjes së sistemeve raketore S-400.

Pse Turqia blen sistem të mbrojtjes ajrore?

Turqia kishte bërë kërkesë në NATO që të përforcohet me sistem të mbrojtjes ajrore dhe raketore kundër kërcënimit nga raketat balistike dhe në këtë drejtim, nga vendet aleate në vitin 2013 në Adana ishte vendosur sistemi Patriot, ndërsa në Kahramanmaraş sistemi SAMP-T.

Kjo zgjidhje e përkohshme ishte cilësuar si e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e Turqisë, e cila më pas i filloi punimet për prodhimin dhe zhvillimin e një sistemi ajror që ishte nevojë strategjike dhe përbënte rëndësi e cila tashmë nuk mund të lihej nën iniciativën e një shteti tjetër.

Në këtë kontekst, Turqia, krahas punimeve për projektimin dhe prodhimin e sistemit të mbrojtjes ajrore me rreze të gjata veprimi nëpërmjet mundësive vendase, iu qas pozitivisht edhe furnizimeve nga shtete të ndryshme me sisteme ajrore dhe raketore.

Pse Turqia dëshiron të blejë S-400?

Turqia, e cila i ka dhënë prioritet sigurisë së hapësirës ajrore, duke iu përgjigjur pozitivisht ofertës tërheqëse të Rusisë për plotësimin e nevojave urgjente, filloi të interesohet për furnizimin nga ana e Rusisë me sisteme të mbrojtjes ajrore S-400.

Duke blerë S-400, aktualisht një nga të teknologjitë më të rëndësishme ushtarake, Turqia synon garantimin e sigurisë duke ruajtur hapësirën ajrore nga kërcënimet e mundshme dhe duke forcuar sistemet moderne të mbrojtjes.

Cilat janë karakteristikat teknike të sistemit S-400?

I cilësuar si një nga sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore në botë, S-400 është projektuar për të shkatërruar avionë luftarakë, avionë kontrollues me radarë, avionë zbulimi, avionë strategjikë dhe taktikë, raketa balistike taktike, raketa balistike operative-taktike, raketa balistike me rreze të mesme, objektiva hipersonikë dhe avionë të tjerë të avancuar.

S-400 mund të qëllojë objektiva në distancë prej 400 kilometrash me raketën e modelit 40N6 me rreze të gjatë veprimi, 250 kilometra me raketën 48N6 me rreze të gjatë veprimi, 120 kilometra me raketën e modelit 9M96E2 me rreze të mesme veprimi dhe objektiva në distancë 40 kilometra me modelin 9M96E me rreze të shkurtër veprimi.

S-400 mund të përdorë në të njëjtën kohë raketat me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë, ndërsa ka kapacitet të perceptojë objektivin në largësi prej 600 kilometrash dhe të lançojë raketë me shpejtësi prej 4,8 kilometrash në sekondë. Sistemi reagon ndaj objektivit në kohë prej më pak se dhjetë sekondash.

Pse Turqia nuk blen Patriot, por S-400?

Administrata amerikane, e cila nuk e ka pritur ngrohtë blerjen e S-400, ka propozuar që Turqisë si alternativë ndaj sistemit rus t’i shesë sistemet e saj Patriot.

Megjithatë, Turqia në vitin 2013 kishte negociuar blerjen e Patriot, por SHBA kishte refuzuar ndarjen e karakteristikave teknike të saj me Turqinë, ndërkohë që edhe çmimi i lartë i sistemit kishte bërë që Ankaraja të fillojë punimet për blerjen e sistemeve nga shtete të tjera.

Pasi Rusia përmbushi pritjet e Turqisë në aspektin e kostos, dorëzimit, bashkëprodhimit dhe transferit të teknologjisë, Ankaraja iu qas pozitivisht procesit për blerje nga Moska.

Nga ana tjetër, shikuar nga aspekti teknik, S-400, i cili detekton kërcënimet nga një largësi prej 600 kilometrash, mund të godasë objektivat balistike në largësi prej 60 kilometrash, objektivat me lartësi të ulët prej dhjetë metrash dhe ato aerodinamike në largësi 400 kilometra, ndërkohë që lartësia minimale që mund të kapin raketat amerikane Patriot është 60 metra.

Shtetet e tjera të interesuara për S-400

Rusia më herët u ka shitur sistemin S-300 rreth 20 shteteve, përfshirë shtete të NATO-s si Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, ndërsa klientët e parë të S-400 kanë qenë Bjellorusia (2016) dhe Kina (2018). Vende të tjera jashtë Turqisë që Rusia ka synuar t’u shesë sistemet e saj S-400 dhe me të cilat pjesërisht ka arritur marrëveshje janë edhe India dhe Arabia Saudite.

Vitin e kaluar, India firmosi marrëveshje me Rusinë për pesë njësi S-400 me Rusinë në vlerë prej mbi pesë miliardë dollarësh.

Në çfarë faze ka arritur blerja e S-400?

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në shtator të vitit 2017 në mes të Rusisë dhe Turqisë, Turqia do të blejë dy njësi S-400 me një total prej katër baterive nga Rusia në vlerë prej 2,5 miliardë dollarëve. Sipas deklaratave të zyrtarëve turq, dorëzimi i parë i S-400 është planifikuar për në korrik.

A do të fillojnë punimet për S-500 pas sistemit S-400?

Rusia vazhdon të zhvillojë sisteme të ngjashme me S-400. Në këtë aspekt, është paralajmëruar kalim në prodhimin serik të S-500, që konsiderohet si një teknologji më e avancuar se S-400.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i ka dhënë dritë jeshile sistemeve S-500, duke thënë se “pas S-400, mund të punojmë me S-500”.

Cili është mendimi i liderëve në lidhje me blerjen e S-400 nga Turqia?

Erdoğan ka thënë se nuk do të ketë kthim në blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore.

“Ne përfunduam çështjen e sistemit S-400 dhe nuk kthehemi pas. Ne nënshkruam marrëveshjen me rusët dhe do të fillojmë prodhimin së bashku. Më vonë, ndoshta do të punojmë me sistemin S-500”, ka deklaruar presidenti Erdoğan.

Presidenti turk ka reaguar ndaj paralajmërimeve që janë bërë në drejtim të Turqisë në lidhje me blerjen e sistemeve.

“Ata që duan të na bëjnë imponime në lidhje me S-400, pse nuk e bëjnë të njëjtën me Greqinë në lidhje me sistemin S-300? Pse nuk e bëjnë me Bullgarinë për S-300? Me Sllovakinë po ashtu për S-300? Edhe këta janë vende të NATO-s? Pse nuk e bëni me ato?”, ka reaguar Erdoğan.

Gjatë një vizitë në Turqi vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin tha se gjatë takimit me homologun turk Erdoğan është vendosur të shkurtohet afati për dorëzimin e sistemeve S-400.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë në lidhje me çështjen, ka thënë se zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është vendim kombëtar i vetë shteteve, duke shtuar se me rëndësi për Aleancën është që sistemet e ndryshme të mund të funksionojnë në mënyrë të përbashkët.

Cili është reagimi i SHBA-së për blerjen e S-400 nga ana e Turqisë?

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar se mund të zbatohen sanksione të ndryshme ndaj Turqisë nëse ajo blen sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia.

Zëdhënësi i Departamentit Robert Palladino është shprehur se pozicioni i SHBA-së në çështjen e S-400 nuk ka ndryshuar dhe sipas tij, përpjekja e Turqisë për të marrë këto sisteme nga Rusia shqetëson në mënyrë serioze SHBA-në.

Palladino ka thënë se blerja e S-400 nga Rusia do të shkaktojë rishqyrtim të pjesëmarrjes së Turqisë në programin e avionëve F-35 dhe do të rrezikojë transferimin e armëve të tjera të mundshme në të ardhmen.

“Ne po ashtu kemi deklaruar se të gjitha institucionet dhe personat publikë ose privatë që përfshihen në blerjen e S-400 mund të përballen me sanksione të mundshme në kuadër të Aktit të Luftës me Sanksione Kundër Oponentëve të Amerikës (CAATSA)”, ka thënë Palladino.

Çfarë është CAATSA?

Akti i Luftës me Sanksione Kundër Oponentëve të Amerikës (CAATSA) i miratuar nga Kongresi Amerikan vitin e kaluar, parasheh sanksione ndaj vendeve të treta dhe kompanive që bashkëpunojnë me institucionet dhe organizatat që kanë lidhje me mbrojtjen dhe inteligjencën e Rusisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: