Kosova

“Ndërtimi i termocentraleve në Ballkan në kundërshtim me ligjet e BE-së”

Ndërtimi i termocentralit të ri në Kosovë, i nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global, është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) mbi Ndihmën Shtetërore, thuhet në raportin e Institutit për Studime të Avancuara (GAP), raporton Anadolu Agency (AA).

Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw), në studim thotë se kjo kontratë ka bërë që rrjetet elektroenergjetike të mos japin kurrfarë efekti pasiqë tregu elektroenergjetik i Kosovës do të jetë i mbyllur për 20 vite.

Prezantuesi i raportit nga Instituti GAP, Blendi Hasaj, tha se Komisioni Evropian është përgjegjës për të siguruar nëse masat e ndërmarra nga Shtetet Anëtare janë në pajtim me ligjet e Ndihmës Shtetërore.

“Raporti jonë, si përfundim kritikon politikat e BE-së për themelimin e departamenteve të Ndihmës Shtetërore brenda shteteve në Ballkan dhe nuk e kemi parë një mekanizëm të centralizuar sa i përket kësaj. Po ashtu, departamentet e Ndihmës Shtetërore të vendeve kontraktuese kanë mundësi të limituara të veprimit, apo pavarësi të mangët në vlerësimin te rastet e Ndihmës Shtetërore. Po ashtu një gjetje është, roli i sekretariatit të Komitetit të Energjisë ka mbetur vetëm si monitorues dhe nuk ka fuqi ligjore për ndaljen e shkeljeve rreth Ndihmës Shtetërore”, tha Hasaj.

Definicioni i Ndihmës Shtetërore, i shpjeguar në raport thotë se nëse një subjekt pranon asistencë nga qeveria dhe si rezultat favorizohet në krahasim me konkurrencën e vet, kjo kualifikohet Ndihmë Shtetërore.

Drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, Petrit Pepaj, tha se Kosova duhet të investojë edhe në energji solare për çështje ekonomike e të ambientit.

“Ndikimi në ambient, dëmet që na shkaktohen janë të njohura. Janë të elaboruara në shumë projekte. Por, ndikimi në ekonomi, në zhvillimin e vendit, sa po na kushton? Në rast se investojmë në efiçiencë të energjisë, ajo ka kosto dhe nuk duhet të ndalemi. Duhet të investojmë edhe në burime të ripërtëritshme dhe panele solare. Dhëntë Zoti, secila shtëpi në Kosovë të ketë panele solare përmbi. Por, pavarësisht burimeve të ripërtëritshme ti duhet të kesh një kapacitet bazik e cila e mbulon konsumin ose e përkrahë stabilitetin e sistemit gjatë çdo ore”, tha Pepaj.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Sala Berisha-Shala, tha se edhe në fushën e energjetikës, Kosova hasë në pengesa politike.

“Tani kur jemi në këtë kohë, në zhvillim të hovshëm teknologjik. Mendoj që duhet të kemi kujdes nëse bazohemi në ndërtimin e kapaciteteve të reja. Duhet të kemi kujdes në teknologjitë të cilat do ta bëjnë gjenerimin e energjisë elektrike bazuar në linjit. Ka arritur aq shumë teknologjia që ne këtu duhet ta vëmë fokusin, në qoftë se nuk dëshirojmë të kemi një varësi energjetike nga jashtë. Siç e pamë u përmend linja 400 kW me Shqipërinë dhe që sa kohë, që sa vite ne nuk mund të arrijmë ta funksionalizojmë për shkak të pengesave politike që na i paraqet Serbia në çdo segment të jetës”, tha Berisha – Shala.

GAP e wiiw, rekomanduan në fund se BE-ja duhet të jetë më strikte në kuptim të rregullave të Ndihmës Shtetërore, duke qenë se po e rrezikon arritjen e objektivit të gjithëmbarshëm të BE-së. Sipas tyre, Komisioni i BE-së duhet të shfrytëzojë implementimin e ligjeve që rregullojnë Ndihmën Shtetërore si kushtëzim për alokimin e fondeve të paraantarësimit, siç janë IPA e CEF, apo të përfitimeve tjera siç janë liberalizimi i vizave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button