Politika

Nëse e kërkon BE, votojmë reformën zgjedhore para çeljes së negociatave

“Nëse nga ana e Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu (në Kuvend) dhe do t’i referohemi vetëm rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pa përfshirë elemente të tjera”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama duke folur për reformën zgjedhore.

Për ne, tha Rama, reforma zgjedhore është kantier i hapur, do t’i  rikthehemi përsëri për votën e emigrantëve dhe do të jemi gati të diskutojmë çdo aspekt tjetër. “Ligji nuk është i shkruar në gur dhe nuk lëviz. Nëse ka argumenta, mirëkuptim dhe arsye për të riparë dhe aspekte të tjera, ne jemi të hapur”, tha Rama.

Ndërkohë ai theksoi se depolitizimi i komisioneve zgjedhore, nuk mund të zbatohet dot për zgjedhjet vendore të 30 qershorit pasi kërkohet organizim total.

Rama theksoi se futja e reformës zgjedhore në procesin e skanimit sa i takon plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë në raport me integrimin dhe çeljen e negociatave, është bërë nga opozita përmes partive simotra në Berlin.

Ne, tha Rama, e kemi mirëpritur propozimin për t’i dhënë fund administratës zgjedhore politike dhe për ta depolitizuar atë.

Po ashtu, Rama tha se “votën e shqiptarëve jashtë atdheut, duan apo nuk duan ata, ne do ta bëjmë”. “Jemi të gatshëm të bëjmë edhe votimin dhe numërimin elektronik dhe të fusim teknologjinë offline në votim. Këto të dyja nuk janë rekomandimet e ODIHR-it por ne jemi gati t’i fusim”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi edhe qasjen dhe propozimin e maxhorancës për të përfshirë PD-në ekstraparlamentare në komision, me një karrige, me të drejtën për të kontribuar dhe dhënë opinionin e vetë. Por edhe ajo karrige, tha Rama, ka një afat pasi ne nuk do të presim pafundësisht.

“Është vullneti i mirë nga ana jonë për të krijuar hapësirë që të përfundoj i vetmi proces që ne kemi bashkë me ta. Procesi i rregullave të lojës. Ligji i zgjedhjeve, rregullorja mbi bazën e së cilit forcat hyjnë në fushë dhe zhvillojnë konkurrencën e tyre. Ky është i vetmi rast, ku ne jemi gati të ulemi me ta, të dëgjojmë dhe pranojmë sugjerime brenda kornizës së përcaktuar nga OSBE/ODIHR-i”, tha Rama.

Rama sqaroi po ashtu përfaqësuesit e opozitës në Kuvend se “ata nuk do të marrin një karrige që u takon grupeve tuaja parlamentare”.

Po ashtu, Rama u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me opozitën në Kuvend për përfshirjen në Kodin Penal të masave të reja për shitjen dhe blerjen e votës. “Nuk pyesim ata për këtë punë”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button