Home / Bota / Holanda po kthehet në narkoshtet. DASH: Vend tranzit për drogat e forta, kryesisht kokainën

Holanda po kthehet në narkoshtet. DASH: Vend tranzit për drogat e forta, kryesisht kokainën

Një ngarkesë e madhe droge, e kapur së fundi në Panama, ka nxjerrë në pah një skemë trafikimi të kokainës me kontenierë që kanë për destinacion Europën, duke treguar sesi po përdoret industria detare panameze për të transportuar sasi të mëdha lëndësh narkotike përtej Atlantikut.

Anijet e mallrave që kalojnë nga Panamaja drejt Europës i joshin shumë trafikantët kolumbianë, të cilët kërkojnë qasje edhe në tregje të tjera, përveç atij të Shteteve të Bashkuara, e rruga e Atlantikut u kompenson humbjet.

Probleme të ngjashme raportojnë edhe autoritetet në Brazil, që kane arritur të bien në gjurmët e një rruge të re trafiku nga një port holandez i nxjerrë nga përdorimi. I mbytur me kokainë rezulton të jetë dhe porti i Roterdamit, i cili u përmend edhe në raportin e fundit të DASH-it.

“Holanda – thuhej në raport, – është vend i rëndësishëm tranziti për drogat e paligjshme, sidomos kokainën që hyn në Portin e Roterdamit. Ajo mbetet po ashtu një vendburim kyç për drogat sintetike, kryesisht MDMA (ekstazi)”.

Raporti nxirrte në pah dhe një fenomen tjetër. Faktin që në këtë vend, vëllimi i trafikimit të drogave sintetike përmes internetit është rritur ndjeshëm. Një vit më parë, duke cituar vet policinë holandeze, “The Guardian” paralajmëronte se Holanda po kthehej në një narkoshtet, ku forcat policore e kishin të pamundur të luftonin me kërcënimin e një ekonomie paralele kriminale.

Efektivët flisnin atëherë për “sindikata” të krimit të organizuar, të cilave u janë hequr frerët.

Në raportin e policisë theksohej se, detektivët shihnin sesi kriminelë të vegjël shndërroheshin në sipërmarrës të pasur, që forconin pozitat në industrinë e shërbimeve, tregun e shtëpive, shtresën e mesme apo agjencitë e udhëtimit, ndërsa kritikët e tolerancës së treguar ndaj shitjes së kanabisit pretendojnë se Holanda është promovuar në mënyrë të pamatur, si një qendër e madhe e trafikimit të drogës dhe njerëzve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: