Home / Politika / I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj, Rama: Lavdi përjetë Dëshmores së Atdheut

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj, Rama: Lavdi përjetë Dëshmores së Atdheut

Për nder të nëntetares Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të Forcave të Armatosura në Letoni, u zhvilluan sot homazhe në Pallatin e Kongreseve.

Në një ceremoni të veçantë, familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe krerët më të lartë të shtetit nderuan kujtimin e saj duke shprehur edhe mbështetje ndaj familjes së Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanajt.

“Sot flamuri ynë kombëtar rri në gjysmë shtizë për të vajtuar në heshtjen e tij të përjetshme të parën vajzë në historinë e Forcave të Armatosura që ndahet nga jeta për shkak të detyrës, Zarife Hasanaj”. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën gjatë misionit në Letoni.

“Vështirë sa s’thuhet të gjenden fjalët e lamtumirës për ushtaraken Zarife Hasanaj, që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës në krah të dhëndrit, prindërit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krahët e shokëve të saj të Forcave të Armatosura, në praninë e dy motrave dhe vëllait të saj, që pranë prindërve dhe rrethit familjar, ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm të një humbje pa kthim mes tyre”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne po e përcjellim Zarifen sot në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj, lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar, për të cilin Forcat e Armatosura të Republikës janë betuar të sakrifikojnë edhe jetën në mbrojtjen e atdheut dhe të amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuqezi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re”.

“Ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj Republike dhe si prind e vëlla, prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës, e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe me emrin shqiptar”, tha më tej Rama.

Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut, – vijoi Kryeministri, – është sot mishërim i tronditjes i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, përkushtimit dhe sakrificës për atdheun të FA-së”.

Forcat e Armatosura, theksoi Kryeministri, janë një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh, që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës e natës me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah me çdo sfidë dhe mision të NATO-s.

“I shohim pak mes nesh por edhe familjet e tyre pak i shohim e dëgjojmë në të përditshmen tonë. I admirojmë kur në ditët e vështira shfaqen pranë njerëzve në nevojë për ndihmë dhe luftojnë për të shpëtuar jetë njerëzish në operacione heroike shpëtimi. I falënderojmë në ditët e shënuara kur janë të rreshtuar përballë tribunës ceremoniale, por jo gjithmonë e mendojmë se teksa e përditshmja jonë vazhdon me punën, hallet, mërzinë dhe gëzimet e veta, ata vazhdojnë larg syve tanë të bëjnë çdo sekondë të njëjtën gjë, të njëjtën sakrificë, të njëjtën përpjekje të mundimshme, të përditshme për të na mbrojtur dhe për të siguruar vendin e dinjitetshëm të Shqipërisë në rreshtat e NATO-s”, tha Rama.

Duke vlerësuar efektivët e FA-së, Rama tha se “ata janë vajza e djem, burra e gra, që sot në këtë moment të dhimbshëm ta kujtojnë më shumë se asnjëherë fjalën që thotë se, ‘heroi është një njeri i zakonshëm që ka fuqinë të durojë dhe këmbëngulë përballë pengesave që të marrin frymën”.

Zarife Hasanaj, e mobilizuar në FA 11 vjet më parë, në vitin 2013 mori titullin oficere me gradën nëntetare.

“Nga gjithçka dëgjova më bëri përshtypje se kushdo që më tregoi për të përdori fjalën përpikmëri: me përpikmëri i përgjigjej detyrave, vepronte me përpikmëri. Nën flamurin kuqezi, Zarife Hasanaj do ta bëjë rrugëtimin e fundit për t’u ndalur përjetë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Mbi kryet e saj ditë e natë për të gjitha motet do të jetë Nëna Shqipëri”, tha Rama.

Ne të tjerëve, tha Kryeministri, “nuk na mbetet asgjë tjetër veçse t’u japim lamtumirën dhe ta kujtojmë bashkë me ata që u ndanë nga kjo jetë për t’u kthyer në pjesë të altarit të lartë të Atdheut.

“Ta kujtojmë jo vetëm në datat e shënuara kushtuar dëshmorëve, por edhe duke u përpjekur çdo ditë të mos e harrojmë në të përditshmëri përpikshmërinë e amanetit të tyre për shqiptarët dhe gjeneratat e tjera. U prehtë në paqe e na ndriçoftë në çdo hap të rrugës sonë drejt së nesërmes”, tha Rama.

Meta: Rënia e saj në krye të detyrës, dëshmi e përkushtimit të FA-së në misionet e NATO-s

Presidenti shprehet se “me dhimbje të madhe, nderim e mirënjohje të thellë u përula me respekt para Dëshmores së Atdheut, patriotes shembullore, ushtarakes elitare e trimëreshë, Zarife Hasanaj. Në këtë ditë të vështirë për familjen Hasanaj, i gjendem pranë nënës Rivë, babait Muharrem, dy motrave e vëllait të Zarifes, duke u shprehur me pikëllim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Rënia e saj në krye të detyrës, është dëshmi e përkushtimit të Forcave tona të Armatosura dhe të Shqipërisë në çdo angazhim dhe mision të NATO. I paharruar kujtimi i Dëshmores së Atdheut! Lamtumirë në paqen e përjetshme motra jonë Zarife”.

Xhaçka: Fjalët për Zarifen, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë boshllëkun që la 

Në fjalën e lamtumirës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se “nuk është e lehtë të zgjedhësh sot fjalët e lamtumirës për vajzën dhe motrën tuaj, për kolegen dhe miken tonë të dashur, sepse asnjëri prej nesh, nuk e kishte menduar kurrë për t’u mbledhur këtu, në këtë ditë zie kombëtare, sepse asnjeri prej nesh as e kishte çuar ndërmend që, Zarife Hasanaj, me gjallërinë dhe vitalitetin që kishte, me dëshirën dhe dashurinë për jetën që e karakterizonte, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit”.

“Fjalët tona për ty e dashur Zarife, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk të madh njerëzor, që na le të gjithëve dhe të na çlirojë nga dhimbja e rëndë që ndjen sot babai yt i mirë, Muharremi, nëna jote e dhimbsur Rivja, vëllai Adriatik, motrat Valbona dhe Eduarta, por edhe miqtë e kolegët e tu, gjithsecili prej nesh që të njohëm. Vetëm pak ditë më parë, kur përkujtuam Ditën e Dëshmorëve vizitova varrezat dhe eca mes varreve të të rënëve. Çdo herë që e vizitoj atë vend e kam të pamundur të mos ndjej trishtim të thellë, kur shoh aq e aq jetë të prera në mes: djem e vajza, burra e gra, ëndrrat, planet, dëshirat e të cilëve u lanë në mes. E kam të pamundur të mos mendoj për familjet, që lanë pas me një barrë dhimbje, që askush, veç tyre, nuk mund ta kuptojë kurrë plotësisht. Por bashkë me trishtimin, ndjej edhe krenari, admirim, dhe respekt, për ata shqiptarë të thjeshtë, që ishin të gatshëm të rrezikonin shumëçka e të sakrifikonin gjithçka në shërbim të atdheut të tyre”, tha Xhaçka.

Ministrja u shpreh se “Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar.

Ndërsa theksoi se, “Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, që e mbante uniformën me krenari dhe që i bënte nder uniformës së FA me punën dhe shërbimin e saj. Ajo ishte edhe një shembull për shumë vajza që duan t’i bashkohen FA. Ajo ishte një nga më të mirat. Një nga ushtaraket më të afta dhe që unë besoj që kishte përpara një karrierë të shkëlqyer. Dhe kjo e bën gjithçka akoma më të dhimbshme. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe, që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë”.

“E di që ky është një nga ato raste për të cilat nuk gjen dot kurrë fjalët e duhura. Asnjë fjalë, asnjë veprim nga ana jonë nuk mund t’ju rikthejë ju vajzën që humbët. Por edhe ne dhimbjet më të thella ka gjithmonë një ngushëllim dhe force për t’u ringritur. Unë, qe e njoh dhe e vlerësoj qëndrimin e familjes së Zarifes, forcën me të cilën po përballin këtë dhimbje të jashtëzakonshme, jam e bindur, se ata do ta mbajnë gjithnjë të hapur derën e madhe të familjes Hasanaj. Ata do ta mbajnë të hapur atë derë për shokët, miqtë e kolegët, të cilët bashkë me ta, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë Dëshmoren me të Re të kombit shqiptar, ashtu siç ajo ishte deri në ditën e fundit të jetës së saj, e qeshur, miqësore dhe e përkushtuar”- përfundoi  ministrja Xhaçka.

Kollçaku: Heroina e paharruar e FA-së

“Në këtë ditë të vështirë jemi bashkë për ti thënë lamtumirë Zarifes sonë të dashur. Zarifja bija e Shqipërisë, heroina e Shqipërisë po shkon në altarin e pavdekësisë në gjirin e Nënës së Madhe Shqipëri, dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm”, – tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku gjatë homazheve në nderim të nëntetares së rënë në krye të detyrës, Zarife Hasanaj.

“Detyra në uniformën ushtarake është një shërbim fisnik por i vështirë me sfida dhe sakrifica. Detyra e Zarifes ishte një detyrë për njerëz trima dhe të guximshëm, në çdo cast sfiduese, vetëmohuese dhe me të papritura, ku e papritura na solli 6 majin që na ndau nga Zarifja”, – tha Kollçaku.

Ai shtoi se, “ajo u nda nga njerëzit e saj më të dashur nga familja, kolegët dhe miqtë për të gdhendur dhe përjetësuar portretin e saj dhe emrin e saj në kurorën e lavdisë dhe krenarisë së forcave tona të armatosura. Nuk do jetë e lehtë për askënd të përballojë dhimbjen e thellë dhe të papërballueshme që po lë pas ikja e papritur e Zarifes sonë”.

“Familja juaj nuk do jetë vetëm, ju jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Humbja dhe dhimbja janë të përbashkëta dhe detyrimet janë të përbashkëta, ne ndjejmë detyrimin të jemi pranë jush dhe të jemi bashkë”, – u shpreh Kollçaku.

“Humbëm një ushtare krenare, kreshnike dhe fisnike, Zarifja do na mungojë, por ne kolegët e saj ndjejmë zërin e saj që na flet se zemrat lartë dhe kokën lart për detyrën, për nderin e Shqipërisë ne kemi bërë betim mbi jetën dhe me jetën tonë dhe ne e mbajmë betimin. Ne do e ndjekim amanetin e Zarifes sonë të shtrenjtë, ne do vazhdojmë të jemi në vijën e parë të Aleancës ku Zarifja na ka lënë më krenari vendin e nderit. Lamtumirë heroina e paharruar e Forcave të Armatosura”, – përfundoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku.

Leave a Reply

%d bloggers like this: