Politika

“Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në”

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj gjatë takimit me grupin e vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor theksoi se është koha për hapjen e negociatave me BE-në.

Ministrat e jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë.

Në fokus të këtij takimi ishte gjithashtu mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi.

Siç njofton zyra e shtypit në Ministrinë e Jashtme, ministri në Detyrë Gent Cakaj theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në avancimin e prioriteteve dhe meriton hapjen e negociatave. Ai gjithashtu, vuri në dukje se Shqipëria e sheh dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal si një ndër elementët kryesorë që bashkuan rajonin dhe e pozicionuan atë në rrugën e duhur të integrimit evropian.

Nga ana tjetër, Ministri në Detyrë vlerësoi se është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar angazhimin e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi, ritmi i reformave dhe prosperiteti ekonomik e social. Kryediplomati shqiptar shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga vendet e Grupit të Vishegradit, jo vetëm përmes dialogut politik, por edhe përmes projekteve konkrete.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button