Home / Politika / POZNAN – Polonia kërkon hapjen në tetor të negociatave me Tiranën dhe Shkupin

POZNAN – Polonia kërkon hapjen në tetor të negociatave me Tiranën dhe Shkupin

Zëvendësministri i Jashtëm polak, Szymon Szynkowski vel Sek deklaroi se Polonia dëshiron që pjesëmarrësit e samitit të Poznanit të pranojnë që tetorin e ardhshëm të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Polonia është avokate e një hapi të tillë. Ne do të përpiqemi t’i bindim udhëheqësit dhe ministrat që kanë mbetur për një vendim të tillë dhe gjithashtu duam të nxisim vendet e Ballkanit Perëndimor për të kryer reforma të brendshme dhe për të stabilizuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe”, deklaroi Szynkowski.

Ministri theksoi se samiti po zhvillohej në një situatë të vështirë nga pikëpamja e kontekstit të Ballkanit Perëndimor.

”Nga njëra anë, BE nuk i ka hapur ende negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nga ana tjetër situata në rajon është komplekse”, tha Szynkowski duke vënë në dukje, ndër të tjera, një ngërç në dialogun Serbi-Kosovë.

Ai shtoi se samiti i Poznanit është një shans për të “dërguar impulse pozitive”.

Ai shtoi se asnjë vendim zyrtar nuk do të merrej gjatë samitit.

Samiti u hap dje nga një forum i organizatave joqeveritare, ku morën pjesë rreth 200 përfaqësues.

Szynkowski vel Sek, përgjegjës për organizimin e samitit, tha në një konferencë shtypi dje se ky samit do të ndiqej nga 14 kryeministra.

Leave a Reply

%d bloggers like this: