Politika

Katari, mbështetje deri ditën e fundit të rindërtimit të Shqipërisë

Katari zotohet se do t’i japi Shqipërisë mbështetje deri ditën e fundit të rindërtimit të saj. Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pati me Ambasadorin e Shtetit të Katarit, z. Ali bin Hamad Al-Marri, me rastin e dorëzimit të letrës së Kryetarit të Parlamentit (Asamblesë Konsultative) të Katarit,  Ahmed bin Abdullah al-Mahmud. Në letër shprehen edhe ngushëllimet për humbjen e 51 jetëve dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, e falenderoi Ambasadorin Al-Marri për letrën e simpatisë dhe të mbështetjes. “Solidariteti i Emirit, Asamblesë Konsultative, Presidentit të Asamblesë dhe popullit të Katarit është një inkurajim i madh për të përballuar pasojat e tërmetit” tha zoti Ruçi. “Ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë që thotë se miqtë e mirë duken në ditë të vështira. Ndihmën tuaj nuk do ta harrojmë kurrë!” u shpreh ai. Kreu i parlamentit shqiptar tha se “Megjithë përpjekjet tona, jemi të vetëdijshëm se burimet financiare dhe kapacitetet teknike të Shqipërisë janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme për të përballuar fazën e rindërtimit. Prandaj e kemi të nevojshme ndihmën dhe kontributin e Shtetit të Katarit dhe jemi të bindur se ajo do të vazhdojë.”.
Zoti Ruçi gjeti rastin të shprehi gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Ambasadës dhe Ambasadorit të Shtetit të Katarit, për ndihmat emergjente për familjet e prekura nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Vorë, Kavajë.
Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri nga ana e tij nënvizoi se “Mbështetja e Katarit për Shqipërinë do të vazhdojë përtej ndihmave të emergjencës, duke u fokusuar kryesisht në rindërtimin e ndërtesave të shërbimeve publike”. Ai bëri të ditur se të martën në Tiranë vjen një delegacion i Fondit të Zhvillimit të Katarit për të vlerësuar nevojat. “Ndihma jonë do të vazhdojë deri ditën e fundit të rindërtimit.”, vuri në dukje Ambasadori Al-Marri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button