Home / Kosova / Hapja e linjës ajrore Prishtinë -Beograd, megjithatë kushtëzohet nga Serbia

Hapja e linjës ajrore Prishtinë -Beograd, megjithatë kushtëzohet nga Serbia

Emisari i Presidentit të SHBA’ve në bisedimet Kosovë -Serbi Richard Grenell, i cili është edhe ambassador në Berlin, ka arritur rezultatet e para në bisedime. Ai ka bindur Kosovën dhe Serbinë për hapjen e një linje ajrore Prishtinë -Beograd e cila nuk ka funksionur që prej vitit 1999.  Lajmi është bërë I ditur pikërisht në kryeqytetin gjerman ku po qëndrojnë zyrtarë të lartë të administratës amerikane në Konferencën për Libinë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien. Por, për ta jetësuar këtë marrëveshje Serbia po kërkon heqjen e taksës.

Richard Grenell duket se ka punuar në heshtje për të bindur të gjithë se e ka përnjëmend cështjen e bisedimeve Kosovë -Serbi. Ai ia ka dalë që të shtyjë palët drejt një marrëveshje për hapjen e një linje ajrore Kosovë -Serbi e cila është ndërprerë për shkak të luftës ndërmjet palëve. Për hapësirën ajrore, e cila në Kosovë kontrollohet nga NATO, Kosova e Serbia asnjëherë s’kanë mundur të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe pse për këtë ka pasur tentativa.

Lajmi për këtë depërtim është bërë I ditur  në një ceremoni në Berlin. Aty kanë qenë të pranishëm zyrtarë të lartë amerikanë të cilët ndodhën në Gjermani për negociata rreth Libisë. Por, kanë gjetur rastin që bashkë me Lutfhansën, kompani e fuqishme gjermane ajrore të bëjnë publik se do të ketë një linjë ajrore Prishtinë -Beograd.

E nga palët, i pari ka folur drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq. Por këtë e ka bërë pak me sherr duke e paraqitur si marrëveshje bilaterale ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Kompanisë Luthansa.

Gjuriq ka thënë se pret që të nënshkruhet një letër mes Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë dhe kompanisë “Lufthansa” në Berlin, “me të cilën do të mundësohej kthimi i linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit pas 20 vjetëve”.

Por, Gjuriq ka thënë se kjo gjë mund të realizohet pas largimit të taksës ndaj mallrave serbe dhe pas rifillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Përpos 12 autobusëve që i lidhin rregullisht Beogradin dhe Prishtinën, ne poashtu mund të kemi një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.

Sipas tij, zyrtarët e Beogradit do t’i njoftojnë UNMIK-un dhe KFOR-in për këtë qëllim, pa I përmendur autoritetet e Kosovës.

Në Kosovë ka reaguar Presidenti Thaçi i cili ia ka dhënë kreditin Richard Grenellit. Ai ka thënë se Lufthansa ka nënshkruar marrëveshje me Autoritetin e Avicaionit Civil të Kosovës.

“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë” ka shkruar Thaci.

“Në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka shtuar Thaci.

Zyrtarët e Aviacionit Civil të Kosovës janë shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, është shprehur Eset Berisha.

“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, shtoi ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: