Rindërtimi/ Gjermania i dhuron 11 milionë euro Shqipërisë (për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore)
Gjermania ka vendosur të dhurojë 11 milionë euro për rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit 2019.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Donatorëve, që po zhvillohet sot në Bruksel.
Njoftimi i ambasadës gjermane:
Gjermania angazhon 11 milionë euro për rindërtimin.
Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas deklaroi sot në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit 2019:
“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve.”