Home / Politika / E firmosi dekretin ‘Live’/ Meta shpjegon arsyet: Pse ia kthej Kuvendit ligjin për betimin e anëtarëve të Kushtetueses

E firmosi dekretin ‘Live’/ Meta shpjegon arsyet: Pse ia kthej Kuvendit ligjin për betimin e anëtarëve të Kushtetueses

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka shpjeguar sot dhe arsyet për këtë veprim.
Arsyet e presidentit vijojnë si më poshtë.

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 14/2020

“Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000,
“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 12 shkurt 2020, ka miratuar ligjin nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”. Ky ligj me shkresën nr. 664 prot, datë 14.02.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Sipas dokumentacionit parlamentar të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë rezulton se, projektligji është paraqitur në datën 6 dhjetor 2019 dhe është iniciuar nga tre deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Edmond Leka.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të praktikës parlamentare (Relacionit shoqërues të projektligjit të propozuar nga tre deputetët, Raportit të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut) kjo nismë është servirur si “zgjidhje e situatës” kur Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur sipas nenit 125 të Kushtetutës, në rast mosveprimi të Presidentit të Republikës për të organizuar ceremoninë e betimit, të mund të fillojë ushtrimin e detyrës të tij.

Sipas dokumentacionit parlamentar, qëllimi i shtesave në ligjin nr. 8577/2000, është ofrimi i një mekanizmi për të mos penguar në të ardhmen punën e Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që betimi të bëhet brenda një kohe të mjaftueshme, pa cenuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji fillestar i propozuar nga tre deputetët iniciatorë përmbante gjithsej 3 nene, ku përveç kufizimeve dhe procedurës së re antikushtetuese të betimit që parashikohej në nenin 1 të tij, në nenin 2, parashikohej që ligji të kishte efekt prapaveprues në mënyrë që çdo person i zgjedhur/emëruar, apo i konsideruar i emëruar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nuk kishte bërë betimin, do të betohej sipas dispozitave të këtij ndryshimi në ligj, sapo ky propozim të hynte në fuqi.

Para së gjithash, siç dhe Kuvendi është në dijeni, vlen të theksohet se, të gjithë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, të emëruar apo të zgjedhur nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë bërë betimin përpara Presidentit të Republikës, brenda një kohë shumë të shkurtër dhe në përputhje të plotë me kërkesat e Kushtetutës, ligjit dhe nevojës që ka vendi për një Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Konkretisht, zoti Besnik Muçi u emërua pa vonesë nga Presidenti i Republikës në datë 15.10.2019 dhe ceremonia e betimit u zhvillua në datë 18.10.2019. Zonja Elsa Toska, zgjedhur nga Kuvendi në datë 11.11.2019, zonja Marsida Xhaferllari emëruar nga Presidenti në datë 13.11.2019, dhe Zonja Fiona Papajorgji zgjedhur nga Kuvendi në datë 11.11.2019, janë thirrur për betim nga Presidenti i Republikës dhe kanë realizuar betimin në datë 14.11.2019. Përgjatë procedurës së betimit të secilit prej anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si ata në detyrë, ashtu dhe anëtarët e rinj të emëruar që filluan ushtrimin e detyrës pas bërjes së betimit.

Pra, arsyetimi i përdorur në mbështetje të nismës nga deputetët e mazhorancës, nuk qëndron.

Siç do të shpjegohet në vijim, paralelisht me paraqitjen e këtij propozimi absurd dhe antikushtetues, përmes kësaj nisme ligjore, mazhoranca synonte t`i jepte zgjidhje qëllimit të kahershëm të saj, rrëmbimit të kompetencave të Presidentit të Republikës, dhe kufizimit të rolit të Kreut të Shtetit në këtë proces, për të cilin kjo mazhorancë tashmë kishte nisur edhe një proces hetimor parlamentar shtesë ndaj vet Presidentit të Republikës.

Sjell në kujtesë se, një ditë përpara depozitimit të këtij propozimi ligjor, Kuvendi i Shqipërisë në datë 5.12.2019, me Vendim nr.140/2019, miratoi si shtesën në objektin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur për veprimtarinë e Presidentit në ushtrim të kompetencës së tij kushtetuese për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu dhe shtyrjen e afatit për kohëzgjatjen e veprimtarisë së këtij Komisioni për 4 muaj të tjerë.

Kjo veprimtari e mazhorancës, duke refuzuar bashkëpunimin e kërkuar nga Presidenti i Republikës në procesin e emërimeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese[1] ; duke miratuar një Rezolutë në datë 15 nëntor 2019, për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të tjera mosnjohjen e dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese; duke zgjeruar objektin dhe afatin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor ndaj Presidentit të Republikës (datë 5 dhjetor 2019); duke propozuar një nismë ligjore për shtesa në ligjin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e procedurës së betimit tek Presidenti i Republikës dhe dhënien e efektit prapaveprues me synim heqjen e mandatit të anëtarit të emëruar nga Presidenti në Gjykatën Kushtetuese (datë 6 dhjetor 2019); duke miratuar ligjin nr. 14, datë 12 shkurt 2020, për ndryshimin e procedurës së betimit pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias që vet Kuvendi kishte kërkuar:

– përbën shkeljen më të rëndë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shtet të së drejtës;
– përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese të Kuvendit në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
– dëshmon shkelje të parimit të luajalitetit kushtetues;
– cenon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese;
– dëshmon qartë se Kuvendi mono- partiak synon kapjen me çdo kusht të Gjykatës Kushtetuese për të emëruar kandidatë që gëzojnë mbështetjen vetëm të një force politike, duke rrëmbyer kompetencat e Kreut të Shtetit.

Përpara paraqitjes së këtij propozimi antikushtetues dhe të pamoralshëm, përgjatë veprimtarisë së tij gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka kryer disa shkelje të rënda kushtetuese në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe interesit publik, duke mbështetur dhe/ose duke lejuar shkeljen e parimeve themelore kushtetuese të shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, demokracisë, etj., veprime apo vendime këto që kanë sjellë rëndimin e jetës shoqërore në vend, duke e bërë të pamundur ushtrimin e demokracisë fuksionale, respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut; çka ka sjellë dhe largimin masiv të popullësisë në emigrim.

Konkretisht:

• Mazhoranca qeverisëse ka treguar mungesë të vullnetit për të bashkëpunuar dhe dialoguar me opozitën, ndërkohë që përgjatë viteve 2018-2019, ka mbizotëzuar një polarizim i fortë politik;
• Mazhoranca qeverisëse asnjëherë nuk i është përgjigjur pozitivisht thirrjeve të Presidentit të Republikës për dialog dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet palëve;
• Mazhoranca qeverisëse me veprimet e saj ka treguar dëshirë për të kufizuar rolin e opozitës në parlament;
• Mazhoranca qeverisëse në dhjetor të vitit 2017 zgjodhi në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm me 69 vota (nga 84 vota), në kundërshtim me nenin 179, pika 13, të Kushtetutës dhe Opinionin e Komisionit të Venecias, që rekomandonte tërheqjen e konsensusit sa më të gjerë mbi këtë këtë emërim;
• Pas emërimit antikushtetues nga mazhoranca të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, i cili e ushtroi këtë mandat për dy vjet, është fakt që Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e shumë aferave korruptive, ndër to dhe të krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016-2017-Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);
• Deklarimet publike të Kryeministrit dhe Kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvend, drejtuar anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitet 2017-2018 sollën bllokimin e veprimtarisë së këtij organi, duke bërë që vendet bosh të krijuara në Gjykatën Kushtetuese të mos plotësoheshin. Kjo nxorri jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese tashmë për më shumë se dy vjet;
• Mazhoranca lejoi dhe nuk kundërshtoi emërimet në kundërshtim me ligjin të disa drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë, (KLP, KLGJ, ILD), edhe pse për disa prej tyre rekomandimet e ONM ishin negative, ndërkohë që disa prej tyre janë në lidhje të drejtpërdrejta gjaku dhe nepotike me anëtarë të Partisë Socialiste, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, apo kanë qënë pjesë të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë në procesin e reformës në sistemin e drejtësisë;
• Mungesa e Gjykatës Kushtetuese funksionale për më shumë se dy vjet dhe zgjedhja e njëanshme antikushtetuese e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm nxorrën tërësisht jashtë kontrollit kushtetues dhe hetimit penal vendimmarrjet e qeverisë dhe të Kuvendit;
• Prej kohësh tashmë Gjykata e Lartë nuk është funksionale si pasojë e mungesës së kuorumit;
• Mazhoranca nxitoi të kryente pa vonesë zëvendësimin e mandateve të 58 deputetëve të opozitës të dorëhequr në bllok. Zëvendësimi i këtyre mandateve u bë përmes shkresave administrative të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, pa iu nënshtruar procedurës së dëgjesës publike me secilin prej deputetëve të dorëhequr në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pa u diskutuar nga Kuvendi në seancën plenare, siç kërkon Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë;
• Si rezultat i dorëheqjes nga mandatet apo mospranimit të mandatit të 182 deputetëve dhe kandidatëve për deputetë të opozitës sot Kuvendi i Shqipërisë përbëhet vetëm nga 122 deputetë, nga 140 që duhet të jetë numri i deputetëve sipas nenit 64 të Kushtetutës;
• Mazhoranca përmes përfaqësuesve të saj në KQZ, pa pjesëmarrjen e opozitës, pa garë dhe pa konkurrencë, zhvilloi e vetme në datën 30 qershor 2019, zgjedhjet për pushtetin vendor. Data 30 qershor 2019 nuk ekziston ligjërisht si datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, pasi Presidenti i Republikës kishte përcaktuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve datën 13 tetor 2019. Ky dekret nuk u zbatua nga anëtarët e Partisë Socialiste që përbëjnë shumicën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
• Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve pa garë dhe pa alternativa konkurruese, në shkelje të Kushtetutës dhe akteve ndërkombëtare, solli gjithashtu që i gjithë sistemi i qeverisjes vendore të humbasë legjitimitetin dhe të jetë në duart e Partisë Socialiste, duke përkeqësuar ndjeshëm demokracinë funksionale dhe qeverisjen në nivel vendor. Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar një çështje në lidhje me antikushtetutshmërinë e këtyre zgjedhjeve, çështje kjo që pret shqyrtimin dhe përbën një arsye më shumë për mazhorancën qeverisëse për kapjen politike të kësaj Gjykate;
• Mazhoranca socialiste bllokoi botimin në Fletoren Zyrtare të Dekreteve të Presidentit të Republikës, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet në fuqi;
• Bllokimi i veprimtarisë së KED-së prej mazhorancës qeverisëse pengoi gjithashtu edhe zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për më shumë se 3 (tre) vjet, në shkelje të kërkesave të nenit 179/9 të Kushtetutës, duke e lënë praktikisht sistemin e drejtësisë jashtë hetimit disiplinor dhe kontrollit për një periudhë shumë të gjatë.
• Kuvendi i Shqipërisë, shkeli Kushtetutën dhe ligjin në emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në muajin Janar 2020, pasi kandidatura e zgjedhur kishte ushtruar funksione politike sipas ligjit, ndërkohë që ai është në lidhje gjaku (vëllai) i një prej deputeteve të mazhorancës qeverisëse;
• Kuvendi ka humbur tërësisht rolin mbikëqyrës dhe kontrollues ndaj ekzekutivit;
• Kuvendi i Shqipërisë përgjatë kësaj legjislature, përveç paketës së fundit të ligjeve të miratuara në datën 12 shkurt 2020, ku bën pjesë dhe ligji nr. 14/2020, objekt shqyrtimi, ka miratuar një mori ligjesh që bien në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, aktet ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar dhe që cenojnë interesin publik dhe atë shtetëror.

One comment

  1. I madh e i vogel u cuditem mbasditen e te henes, kur pame nje president, thuajse te dale menc, jo vetem se organizoi nje proteste masive me antaret dhe simpatizantet e PD, LSI, sikur te ishte kryeopozitar i vendit, dhe jo perfaqesus i unitetit te popullit. Turp e faqezeze. Kjo na cuditi ketu ne Amerike, ku me qindra e mijra mbajne qendrim kritik, ndaj personit Ilir Meta.
    GJesti me i shemtuar ne ate miting, te llir Metes, ishin gjestet dhe artikulacjonet, te njgjashme me sjelljen dhe thirjet, te Adolf Hitlerit dhe Duces, para dhe gjate luftes se dyte boterore. NJemije here turp, per kete soi, presidenti, qe me shume se sa, per popullin do te mbaj e te mbroi kariken e tij, per shkeljet dhe akuzat e renda qe jane bere gjate ketyre 30 viteve ne pushtet.
    Eshte rasti unikal ne bote qe, nje president ne nje republik Parlamentare organizon, protest, kunder mazhorances dhe kure diten qe komisjoni Evropjan i propozon keshillt te ministrave, , hapjen e negocjatave per vendin tone.

Leave a Reply to Tomori USA. Cancel reply

%d bloggers like this: