Kosova

Taksa, Kurti shmang votimin/ LDK: Kosova s’guxon që të rrezikojë marrëdhëniet me SHBA

Gjatë kësaj jave kryeministri, Albin Kurti kishte planifikuar miratimin e planit për vendosjen e pjesshme të taksës 100 për qind ndaj Serbisë.
Por, mungesa e votave të partnerit qeverisës LDK-së, bëri që plani i 27 shkurtit të mos prezantohet fare në mbledhje të Qeverisë të thirrur të premten. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se Kosova nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me SHBA-të.
Megjithëkëtë Kurti nuk po tërhiqet nga plani i propozuar, të paktën kështu është bërë me dije në një përgjigje të dhënë me shkrim nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Albin Kurti dëshiron që të japë ende kohë për miratim sa më unanim të qëndrimit të tij të bërë publik ku kombinohen reciprociteti gradual me heqjen graduale të tarifës”, thuhet në përgjigje.
Derisa Kurti vazhdon ta mbaj në fuqi vendimin e marrë nga Qeveria Haradinaj, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialog, Richard Grenell përmes Twitter ka demantuar Zyrën e Kryeministrit duke thënë se SHBA-të nuk do t’i qojnë dëm ndihmat derisa lidershipi i Kosovës vazhdon ta dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifën qoftë ajo edhe pjesshme janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”.
Kurti nuk u paraqit në konferencë për media siç rëndom ndodhte në të kaluarën pas mbledhjeve të Qeverisë. E LDK-ja vazhdon të shpresojë se dallimet mes tyre do të tejkalohen dhe koalicionit të mos ndërpritet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button