Politika

Kodi Zgjedhor/ Rama: Meta e çoi në “Venecia” që të hedhë në erë zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “sipas Presidentit Ilir Meta parlamenti nuk ka legjitimitet për të bërë punën e tij”.

“Sot Ilir Meta e ka ftuar parlamentin që të rrëzojë dekretin e tij, duke e sfiduar parlamentin, dhe këtu duke sfiduar jo vetëm ata që e votuan pro, por edhe ata që votuan kundër, në integritetin e tyre, jo si persona, por si anëtarë të këtij parlamenti”, u shpreh Rama.

“Sipas Ilir Metës ky parlament nuk ka legjitimitet për të bërë punë e tij, sepse sipas Ilir Metës juve që jeni këtu zëvendësues të atyre që ishin këtu, ju kam sjellë unë me Taulant Ballën dhe në bashkëpunim me disa alienë. Ju kemi gjetur në Hënë, ju kemi gjetur në Mars, madje ndonjërin e kemi gjetur dhe në Jupiter, prandaj nuk arrin dot akoma të artikulohet”, tha Rama.

Por në fakt jo, theksoi Rama, “të gjithë ju që jeni këtu keni ardhur me firmën e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit. Këta të dy kanë firmosur për ju. Madje edhe më keq akoma, për disa prej jush ka firmosur doktor Peço Vasili. Pra ju keni ardhur këtu me recetë nga doktor Peço Vasili”.

“Tani Ilir Meta thotë ju nuk ekzistoni, sipas Ilir Metës. Sipas meje, ju jeni një aksident i dobishëm, në këtë fazë, sepse falë jush dhe bashkëpunimit me ju, ne kemi arritur të bëjmë atë që s’do ta kishim bërë dot nëse këtu do ishte Monika, Luli dhe shokët e tyre që nuk duan zgjedhje”, tha Rama.

“Luli është në pritje që biologjia të kryejë rotacionin. Pra për arsye biologjike, moshe apo goditjesh në sistemet e mia të frymëmarrjes apo të qarkullimit të gjakut apo të përpunimit të ushqimeve unë të largohem nga jeta dhe Luli si pasojë e biologjisë të bëhet kryeministër, se një tjetër program unë nuk e shof. Vizioni është i qartë: Rama ik, program s’ka, ndërsa strategjia është prit biologjinë, dhe ndërkohë që pret biologjinë vazhdon të bëjë hajgare me aritmetikën. Sot e pashë që tha 60 pa 15 bëjnë 50. E kishte fjalën për tamponët”, tha Rama.

Ndërkohë që, shtoi kryeministri Rama, “Ilir Meta ka një problem tjetër shumë të qartë. Një problem aq të qartë sa që është e dhimbshme nga ana njerëzore ta shikosh katandinë e një individi, të cilit Shqipëria i ka dhënë atë që nuk i ka dhënë askujt qysh nga dita e parë pas ngritjes së Flamurit të Pavarësisë. Askujt. Që nga Që nga Ismail Qemali, të gjithë të tjerët me radhë në krye apo përreth nuk kanë marrë nga Shqipëria atë që ka marrë Ilir Meta. Edhe kryeministër 30 vjeç, edhe kryeparlamentar 40 vjeç edhe president 50 vjeç. Tani për të 60-at, çfarë kërkon ky? Të bëhet mbret?”.

“Çfarë kërkon ky që kërkon të na bindi deri në absurdin më të madh që Presidenti ka të drejtë të vendosë tabelë emulacioni tek Varrezat e Dëshmorëve dhe të thotë kush janë Dëshmorët e dalluar. Se kjo është tabelë emulacioni se atje janë të gjithë heronj, janë të gjithë Dëshmorë. Kanë titullin më të lartë që mund të japë një vend për bijtë e vetë dhe Ilir Meta me një tabelë emulacioni në krah, me një trastë me verdhushka në dorë me ca të tjerë rreth e rrotull që bëjnë ato ritualet shkon dhe iu shpërndan medalje si të dalluar mes heronjve. Nuk e ka bërë asnjë në botë këtë. Asnjëherë. As mbretërit. As perandorët, as princat, as kancelarët, presidentët jo e jo. Që t’u japin medalje atyre që kanë rënë në fushat e luftës, apo në fushat e tjera të jetës në krye të detyrës para 50 vjetësh apo para 100 vjetësh. Nuk ndodh është e pamundur të ndodhi. Ilir Meta e bën të na thotë që jo vetëm ndodh, por që kjo është gjëja e duhur”, tha Rama.

“Tani, tek kjo shfaqje e një shkarje ledhi të rëndë, unë shoh arsyen pse vjen këtu refuzimi për ligjin zgjedhor për zgjedhje që bëhen në prill të vitit të ardhshëm. Jo në prill të pas 3 viteve”, tha Rama.

Rama tha se “ne nuk kemi çfarë presim, absolutisht nuk kemi çfarë të presim, përsa i përket përpjekjes së Ilir Metës për ta bllokuar këtë proces, duke e çuar në Komisionin e Venecias, është një përpjekje që përsëri tregon, po të lexosh atë lumë pseudoargumentash, se ku do të dalë Ilir Meta. Do të dali aty ku faktikisht deshi të dali dhe më parë, të hedhë në erë zgjedhjet”.

“Më shkruanin dje 8 eurodeputetë të Partive Popullore. Jemi të tronditur. Për çfarë? Unë do t’u përgjigjem me shkrim, po për çfarë janë tronditur. Që ne do rivotojmë sot një ligj që e votuam para 2 javësh dhe për të cilin Komisioni Europian është shprehur. Si mund të presim ne Venecian deri në dhjetor ndërkohë që ligji ka kaluar 2 javë përpara? Këtu s’jemi duke kaluar një ligj të ri. Këtu do të kalojmë pikë e presje ligjin që kemi kaluar 2 javë më parë pas një procesi që ka marrë vite”, tha Rama.

Më tej Rama tha se “e kuptoj shumë mirë, janë të keq informuar qëllimisht duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet ndërpartiake. Dhe pastaj thonë z. Kryeministër ne shpresojmë që ti të vësh interesat e Shqipërisë të parat. Padiskutim dhe prandaj jemi këtu për ta votuar këtë, sepse interesi i Shqipërisë është që sot kjo të rivotohet pikë dhe presje, pa asnjë ndryshim. Ky është interesi i Shqipërisë. Shqipëria kalon këtë reformë falë këtij parlamenti dhe shkon në zgjedhje”, u shpreh Rama.

“Opinioni i Venecias kërkohet post factum. Ligji ka kaluar. Kushtetuta është ndryshuar qysh në qershor. Tani kërkohet që të ndalen të gjitha dhe të presim. Po çfarë do presim. Opinioni i Venecias është i mirëseardhur gjithmonë. Kur të vijë do ta shohim të gjithë së bashku dhe do ta hapim një diskutim me të gjithë prapë nga e para. Nëse do të ketë nevojë për të hapur një diskutim, patjetër. Por zgjedhjet e 25 prillit nuk presin më diskutime, këshilla politikë, këshilla të asnjë forme”, tha Rama.

“Nuk do i gjejë parlamenti aq fitimtarë që do ketë ky parlament, se 100 i merr Monika, të tjera Lulit, kështu që me siguri në 25 prill ne nuk do kemi vend dhe ju do jeni mbledhur te Pallati i Kongreseve për të hapur sesionin e ri. Nuk di se si mund të trajtohet ndryshe kjo situatë, sa e qartë, aq qesharake nga Meta. Kam vetëm një detyrim ndaj demokratëve”, u shpreh Kryeministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button