Home / Kosova / ‘Open Balkan’, Kurti: Serbia dhe Vuçiç të ballafaqohen me të kaluarën kriminale, pastaj të flasim për treg të përbashkët!

‘Open Balkan’, Kurti: Serbia dhe Vuçiç të ballafaqohen me të kaluarën kriminale, pastaj të flasim për treg të përbashkët!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nisma ‘Ballkani i Hapur’ më shumë i ngjan një ‘Ballkani të hapur për ndikimet nga lindja’, sesa një nismë për treg të përbashkët për vendet e rajonit.
Sipas Kurtit, kjo nismë ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën te Serbisë, dhe të Presidentit Vuçiç.

Ai shtoi më tej se, Serbia ka shkaktuar katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. “Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti për mediat në Prishtinë.

I pyetur për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, ku raportet mes tij dhe Ramës nuk janë gjithmonë në gjendjen e tyre më të mirë, Kurti tha se marrëdhëniet e dy popujve janë vëllazërore dhe nuk janë në dorë të kryeministrave, pasi ato thjeshtë përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha Kurti.

Më 29 korrik, në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “mini-Shengenit”, që mori emërtimin e ri “Ballkani i Hapur”, ndërsa në takim nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Leave a Reply

%d bloggers like this: