Home / Kosova / Ja dy opsionet e Bllokut për formimin e institucioneve

Ja dy opsionet e Bllokut për formimin e institucioneve

ja-dy-opsionet-e-bllokut-p-euml-r-formimin-e-institucioneve_hdKoalicioni LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje i ka vetëm dy mundësi reale për të formuar institucionet dhe për tejkalimin e ngërçit politik.

Burime të larta të Gazetës Blic brenda Bllokut kanë bërë të ditur se opsioni i parë është thirrja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me nënshkrimet e 2/3 të të gjithë deputetëve.

“Edhe më herët ka qenë një opsion i tillë si ide, mirëpo pas deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani se pos Brovinës askush nuk mund të thërras seancë, liderët e LVAN-it filluan të hezitojnë për këtë opsion. Mirëpo, pasi që Jahjaga refuzoi ta dërgoj edhe një herë çështjen para Gjykatës Kushtetuese dhe këmbënguljes së PDK-së për të mos thirrur seancën, i jemi rikthyer opsionit të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Në këtë seancë do të zgjidhej kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa dhe do të procedohej edhe zgjedhja e qeverisë.

“Ky është opsioni kryesor që po diskutohet sërish”, thotë burimi i Gazetës Blic.

Megjithatë, në këtë situatë PDK do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Dhe opsioni i dytë sipas këtij burimi, është heqja dorë nga posti i kryeparlamentarit.

“Brenda Bllokut është diskutuar opsioni për votimin e kandidatit të PDK-së për kryetar të Kuvendit, dhe LVAN të formoj qeverinë, mirëpo kjo po shihet se rrezik ngase PDK në këtë situatë do ta ketë shumë më të lehtë çuarjen e vendit në zgjedhje të reja”, ka thënë ky burim.

Pro idesë së dhënies së postit të kryeparlamentarit PDK-së është deklaruar publikisht edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Ai ka thënë se kjo është e vetmja mundësi në mënyrë që të tejkalohet ngërçi politik në vend.

Mirëpo, këtë ide mësohet se e kanë përkrahur edhe disa deputetë të tjerë të LAN-it.
Ndërkohë, Blloku LVAN të enjten i ishte drejtuar presidentes Atifete Jahjagan përmes një kërkese nga e cila kërkuan që t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, për sqarime shtesë se si të tejkalohet situata politike në të cilën ndodhet vendi.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë nga kjo kërkesë, Jahjaga i ka kthyer përgjigje negative Bllokut, ndërkohë që i ka bërë thirrje liderëve për një tryezë të përbashkët.

Pas këtij vendimi të Jahjagës, përfaqësues të Bllokut i kanë thënë Gazetës Blic se me gjasë Blloku do t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese.

Bajram Gecaj i LDK-së, ka thënë se Blloku në ditët në vijim do të dalë me qëndrim për hapat e mëtutjeshëm. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar si opsion që Blloku t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Përfaqësuesit e Koalicionit të Madh do të takohen shpejt për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm. Opinioni tashmë është i informuar se neve jemi të gatshëm që vetë t’i drejtohemi gjykatës. Por, se a do të veprojmë kështu apo do të kemi qasje tjetër do të dihet në ditët e ardhshme…”, ka thënë ai.

Kosova edhe pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vazhdon të jetë pa institucione. PDK edhe pse doli e para me 30 për qind të votave, nuk po arrin që të gjejë partner për bashkëqeverisje, derisa Blloku LVAN i ka numrat në Kuvend, mirëpo vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kryetarin e Kuvendit duket se ka bllokuar gjithçka.

Leave a Reply

%d bloggers like this: