Opinion

Libri , shansi i humbur i Ministres Nikolla

libraALDA BARDHYLI

“Ku është natyra njerëzore më e brishtë se në një bibliotekë?”. Henry Ward Beecher, një nga sociologët e njohur amerikanë, i cili u kushtoi jetën teorive mbi edukimin, e shihte standardin e një shkolle nga biblioteka që kishte. Në SHBA-në e pas viteve 1850 ku Beecher zhvilloi hulumtimin e tij mbi rolin e leximit, sigurisht që literatura shkencore, studimore apo letrare nuk ishte e sasisë që një bibliotekë shkolle mund të mbajë sot. Por, në atë mori botimesh, ai këmbëngulte në përzgjedhjen, i bindur se shija e një libri të mirë mpreh te çdo nxënës intuitën drejt një zgjedhjeje të mirë nesër. Kombet, shoqëritë dhe morali njerëzor rriten e zhvillohen nga ato hapësira shpesh të mëdha, ku vështrimi të kap vetëm libra dhe pse shpesh me kapakë të vjetër. Nga kjo aromë që prej shekujsh nuk ka ndryshuar ndjesinë që të jep, vjen civilizimi, mendjet e përparuara dhe individët liberalë, zgjedhjet e të cilëve do të jenë gjithnjë duke iu përmbajtur një kodi a morali që ka njohur dikur, përmes fletëve të një libri. Modeli i bibliotekave që ofronte Shqipëria përgjatë 50 viteve ishte ai i bibliotekave të Lindjes komuniste, me një literaturë të censuruar në letërsi dhe të cunguar në shkencë apo literaturë mjekësore, sociologjike, filozofike, etj. Por pavarësisht mangësive, ishte fat që mundëm të merrnim më të mirën e asaj çfarë na ofrohej. Një nga sfidat e Arsimit në Shqipëri këto 24 vite ka qenë dhe politika në raport me librin, një sfidë e dështuar, e përdorur nga politika, biznesi pranë politikës, pa një strategji të qartë mbi orientimin drejt leximit. Një fond i akorduar nga Ministria e Arsimit çdo vit për bibliotekat e shkollave të sistemit parauniversitar, prej vitesh është kthyer në një garë mes shtëpive botuese. Pak të mbështetura si biznese nga shteti, ky fond është e vetmja garë ku ato mund të fitojnë pak para, në këtë biznes me kaq shumë pak fitime siç është libri. Listat e përzgjedhura deri një vit më parë ishin dëshpëruese, duke parë produktin që u ofrohej nxënësve. Një përzgjedhje klienteliste, nepotike dhe shpesh e diktuar nga politika. Në një kohë kur në bibliotekat e rretheve mungojnë libra të autorëve shqiptarë, të cilët kanë qenë të botuar pjesërisht gjatë sistemit të kaluar, bëheshin pjesë e bibliotekave autorë politikë, a thua një nxënësi të sistemit parauniversitar i duheshin më shumë se vargjet e Camajt, librat e Gjergj Zhejit, Faik Konicës, apo De Rada i plotësuar. Duke ofruar librat e gabuar, si mund të pretendohet në rritjen e një brezi gjithnjë të orientuar drejt vlerave, kur e ke ushqyer me antivlera?

Ndaj publikimi i listës përzgjedhëse të literaturës për bibliotekat e shkollave të arsimit parauniversitar, nga ana e Ministrisë së Kulturës tri ditë më parë, referuar politikave dhe reformave që ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka bërë publike, la një shije jo të mirë, pavarësisht se ajo listë, nuk mund të krahasohet me listat e viteve të mëparshme. Por përzgjedhja e librave ishte një rast ku ministrja duhet të tregonte implementimin e reformave në arsim dhe të jepte besimin te të gjithë ata që e kanë humbur këto vite. Miratimi me vonesë i bordit shqyrtues, përzgjedhja gati me vrap e listave pa fund të gati dhjetëra shtëpive botuese që dorëzuan dokumentet për këtë fond, nuk tregon një qasje serioze. Vetë koha nga dorëzimi i dokumenteve deri në dhënien e vendimit ishte e pamjaftueshme për çdo juri në botë për të dhënë verdiktin e duhur. Është e pamundur të lexosh mbi 100 libra a më shumë, letrarë apo studimorë, brenda një muaji. Fakti që digjej fondi, nëse nuk bëhej përzgjedhja, sipas reagimit të Ministrisë, nuk është justifikim i zgjuar nga Ministria. Bibliotekat që mbartin të ardhmen nuk mund të jenë peng i limiteve kohore, si të jetë duke u djegur ndonjë tender rrugësh. Ky ishte një rast që Ministria duhet të tregonte një vëmendje dinjitoze, dhe t’i linte bordit të gjithë hapësirën e duhur kohore për të bërë përzgjedhjen më të mirë. Vetë kryetari i këtij bordi, Jorgo Bulo, pranon se “sigurisht mund të ketë edhe ndonjë libër që nuk mund të futej, apo të tjerë që duhet të ishin futur në listë…”. Reagimi që shtypi ka pasur këto ditë, me të drejtë mbi faktin e përzgjedhjes së librave të prof. Shaban Sinanit, (pavarësisht asaj që ai përfaqëson si studiues), i cili ishte anëtar jurie sërish është një shkelje e hapur e etikës. Në asnjë vend në botë një specialist nuk do të pranonte të gjykonte për librat e tij. Për të mos folur më për shtëpi botuese që rrinë në listë prej vitesh… Tërheqja e Ministrisë së Arsimit që ky fond të pezullohet dhe të kalojë për infrastrukturën e shkollave është një vendim i vonuar, pas spektaklit të hidhur në sytë e opinionit publik. Ky reagim, duhet të kthehet në një strategji të menduar mirë për vitet që vijnë ana e Ministrisë, për t’u fokusuar në rritjen e një arsimi të shëndoshë. Ajo duhet të japë shembullin se me librin, këtë shpikje të mrekullueshme të mendjes njerëzore, nga e cila rriten e zhvillohen shoqëritë, nuk mund të ketë kompromis, pavarësisht çmimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button