Home / Arte / Libri / Shkrimtari i madh Ismail Kadare nderohet me çmimin “Jeronim de Rada” në Panairin e 17-të të librit në Tiranë

Shkrimtari i madh Ismail Kadare nderohet me çmimin “Jeronim de Rada” në Panairin e 17-të të librit në Tiranë

Ismail-Kadare-0071-320x192Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, u nderua sot me çmimin special “Jeronim de Rada” në Panairin e 17-të te librit “Tirana 2014″.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Panairin e librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ambasadori italian, Gaianni, tha se “është kënaqësi e veçantë e nder i madh për mua të jap çmimin e parë për shkrimtarin e madh Ismail Kadare”. “Është shumë domethënëse që ky çmim t’i jepet Ismail Kadaresë. Ndonëse nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri, Jeronim de Rama ishte një promotor i Shqipërisë në Itali dhe Europë”, theksoi ambasadori Gaianni .
Shkrimtari i madh Ismail Kadare u shpreh se “jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rlindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe, që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur”.
“Kam kënaqësi që përbri meje është ambasadori i Italisë, vendi që e mbajti De Radën në gjirin e tij dhe kaloi jetën atje. De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”, theksoi Kadare.
Ndërsa kryetari Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i dorëzoi shkrimtarit të madh Kadare statujën e shkrimtarit Jeronim de Rada.
Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: