Opinion

Negociimi i një dinjiteti të munguar politik

ARBEN MANAJ

Arben ManajZhbllokimi i negociuar ndërkombëtarisht i impasit tekanjoz politik në Shqipëri, po të kihet parasysh se çfarë hallesh kanë shqiptarët e thjeshtë në këtë fundviti, është një luks marramendës dhe tallje me të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Turpi politik nuk ka kufi dhe pafytyrësia politike është therëse.

Ndoshta shumë pyetje se përse Shqipëria politike është një shaka pa kripë në eurosallonet politike dhe parlamentare, janë retorike, megjithatë edhe pse të atilla, ato demonstrojnë se infantiliteti politik është endemik, konseguencial dhe zbavitës njëkohësisht.

E nëse një nga kriteret evidente dhe të patjetërsueshme të të qenët anëtar i BE-së është kapaciteti menaxhues i gjithçkaje, paaftësia për të arritur në mënyrë autoktone kompromis është vetëdemaskuese.

E them këtë, pasi nuk mendoj se ajo që u arrit si kompromis nuk do të ishte e pamundur, nëse do të përplasnin kokën me njëri-tjetrin dy apo tre udhëheqësit kryesorë politikë në vend.

Nuk mendoj se ata eurodeputetë të përfshirë si negociatorë, që zor se i njohin edhe komshinjtë e tyre në vendet nga vijnë, nuk do të ndihen të befasuar nga relevanca politike që u jep Shqipëria politike irrelevante praktikisht, në politikën e madhe të Brukselit, përndryshe nga ajo e Strasburgut si institucion formal.

Nuk besoj se nuk kanë faj ata që vendosin për listën e deputetëve, që sa me arrogancë, aq edhe të detyruar nga rrethanat shqiptare të lehtësisë së shitblerjes së votës nga një popull sa i varfër aq edhe i papërgjegjshëm, bëjnë të pabërën në një shtet normal demokratik europian, duke futur në listat e deputetëve njerëz që janë të kriminalizuar ose të dyshuar për vepra penale.

Kjo s’ka sesi të mos jetë gjëja më e frikshme kur në Perëndim, qoftë edhe për të punuar me kategoritë vulnerabile të shoqërisë, e jo më për t’u bërë ligjvënës, të duhet jo dëshmi penaliteti po se po, por edhe verifikimi i figurës dhe pastërtisë morale e ligjore.

Ky dështim skandaloz i politikës anembanë shqiptare, e cila nuk mund të bëjë të paditurën, është faj i saj dhe vetëm i saj, por nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, ka jo më deputetë të thjeshtë të lidhur me botën e krimit dhe delikuencës, por edhe drejtues të saj, që i kanë bërë bisht drejtësisë, e ata nuk kanë sesi të tundin kartën e pastërtisë morale dhe penale ndaj të tjerëve.

Të dy krahët e politikës janë barazuar me bojkote tashmë, por ka kaluar koha e të thënit boll për fytyrëmarrjen dhe koritjen e Shqipërisë.

Është e qartë se, si Rama edhe Basha, kur shkojnë në Strasburg a Bruksel, janë fatkeqësisht më keq se ata minorenët që kanë nevojë për të pasur të rritur me vete, siç ndodh rëndom kur nuk je në gjendje të gjykosh në mënyrë të pavarur, nëse të marrin në pyetje.

Por kjo impotencë politike u atribuohet vetëm atyre personalisht dhe bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë kolektivisht, paçka se përfaqësojnë politikisht një vend të tërë.

Arritja e marrëveshjes së sponsorizuar europarlamentare për rikthimin e opozitës në Parlament, edhe pse mund të marrë përgëzime kortezie, në thelb është dëshmi e dështimit të pafalshëm politik të shefit të ekzekutivit dhe liderit të opozitës, që edhe pse janë të rinj në moshë dhe në politikë, deri diku, sërish mbesin po aq të vjetër në politikëbërje sa edhe ata që i kanë promovuar dikur dhe së fundmi.

Dhe kjo është gjëja më zhgënjyese dhe shpresëvrasëse sesa ato kinse çështje, që iniciuan bojkotin e radhës, e për të cilat po humbet aq kohë e nevojshme politike opozitare dhe qeverisëse, si një lloj karme e frikshme ndaj thënë troç: papërgjegjshmërive elektorale të shqiptarëve, e shprehur diku në forma të kalcifikuara partizanllëku politik, e diku tjetër, në një votë për një lopë a një thes miell, a ndonjë zarf me para të pista deputetësh aktualë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button