Politika

21 janari, Fleckenstein takon familjarët e Aleks Nikës

Mëngjesin e sotëm përpara nisjes për në Bruksel, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, është takuar me familjarët e Aleks Nikës, një nga demonstruesit që mbeti i vrarë gjatë protestës së 21 janarit të katër viteve më parë.

timthumbZbardhja e kësaj tragjedie dhe vënia e përgjegjësve përpara drejtësisë vijon të mbetet një kërkesë e familjarëve, të cilët nuk kanë ngurruar t’ia shprehin edhe eurodeputetit. Mësohet se takimi me familjarët  e Aleks Nikës ka zgjatur për rreth një orë.

“Raporteri Fleckenstein na premtoi që do të ngrejë zërin në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës që këto institucione të ndikojnë tek qeveria që kjo çështje të ketë drejtësi”, ka treguar Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.

Mark Nika deklaroi se çështja po zvarritet ndaj dhe ata janë detyruar t’i kërkojnë ndihmë Brukselit. “Kjo dosje ka 4 vjet që zvarritet nga drejtësia shqiptare ndaj dhe ne kërkuam ndërhyrjen e PE-së. Ekzekutivi i ruhet balancës së pushteteve”, tha Mark Nika.

Takimi mes eurodeputetit Fleckenstein dhe familjarëve të Aleks Nikës, u kërkua nga gruaja e të ndjerit, e cila i dërgoi një letër me të cilën kërkon hetim për ngjarjen ku mbeti i vrarë bashkëshorti i saj. Familjarët e Nikës kanë kërkuar vazhdimisht hetim të plotë për ngjarjen. Aleks Nika u vra më 21 janar 2011 në protestën para Kryeministrisë.

Gjatë konferencës për mediat që mbajti të premten, europarlamentari tha se Brukseli zyrtar nuk e ka harruar tragjedinë e 21 janarit dhe se takimi me familjarët e të vrarit Nika do të shërbente për të marrë mendimin e tyre në lidhje me hetimet 4-vjeçare për këtë tragjedi. “Katër vite është një periudhë shumë e gjatë për hetimet dhe jam i interesuar të dëgjoj se si e shohin ata progresin e hetimeve dhe pastaj do pyes përfaqësuesit e qeverisë se çfarë mendojnë ata”, u shpreh në fjalën e tij eurodeputeti Fleckenstein.

Në protestën e 21 janarit humbën jetën 4 demonstrues, të cilët u qëlluan me armë në bulevardin përballë Kryeministrisë.

Fleckenstein ndodhet në Tiranë prej të mërkurës, në kuadër të përgatitjeve të draf-raportit për ecurinë e Shqipërinë në kuadër të integrimit evropian, ku ka zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button