Home / Rajoni / Maqedonia / Bela prezanton dosjet "e veta"

Bela prezanton dosjet "e veta"

Pas skadimit të afatit 48 orësh për tërheqjen e liderit të BDI, Ali Ahmetit, dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt nga skena politike, kryetari i Lidhjes Shqiptare (LSH), Valon Bela, prezantoi të mërkurën pasdite tri dokumente – që dukeshin të jenë origjinale – që dëshmojnë përfshirjen e tyre në shërbimet sekrete serbe. Megjithëse mungoi reagimi zyrtar i BDI ndaj akuzave të reja, zëvendësministri i Maqedonisë nga radhët e BDI, Abdylaqim Ademi, i sugjeroi Belës që të publikojë programin politik të LSH, e jo thashetheme. 

Në tri dokumentet e prezantuara nga Valon Bela shihej logoja origjinale e Sekretariatit Republikan për Punë të Brendshme të Serbisë (SRPB), si dhe nënshkrimet autentike të zyrtarëve të saj. 

Në njërin prej dokumenteve, që mban shenjën “Sekret Shtetëror”, urdhërohet që personit, Ali Ahmeti, t’i lëshohet një dokument udhëtimi me emrin “Aleksandar Antic”. Dokumenti i dytë është një fletëpagesë e SRPB, që dokumenton pagesën e të hollave për bashkëpunëtorin “Ibar” një nofkë kjo me të cilën identifikohet personi Ali Ahmeti – në vlerë prej 7,500 frangave zvicerane. Në dokument theksohet se kjo pagesë bëhet për shpenzime operative gjatë kryerjes së operacioneve “Triling” dhe “Ocean”. 

Edhe dokumenti i tretë po ashtu paraqet një fletëpagesë, të vulosur me vulën e SRPB, e cila dëshmon për pagesën e një vlere të parave prej 2,500 markave gjermane, për personin Fazli Veliu. 

Të tri këto dokumente janë të verifikuara nga noterja V.M.K., emri i së cilës nuk u publikua në mediat shqiptare në Maqedoni, për shkak të, siç u tha, shkaqeve të sigurisë. 

Sipas kreut të Lidhjes Shqiptare, Valon Bela, dokumentet e prezantuara janë vetëm një pjesë e vogël e dosjeve origjinale që i posedon. Siç tha, pjesën tjetër të dokumenteve do ta publikojë në ditët e ardhshme. 
Bela nuk e përjashtoi mundësinë që këto dokumente t’i prezantojë edhe në Komisionin për Verifikimin e Fakteve, megjithëse sqaroi se këtë s’do ta bëjë para se të njëjta t’i publikojë për opinion. Kjo për shkak se, siç tha, ka frikë se të njëjtat do të mund të humben. 

Bela kërkoi tërheqjen nga skena politike të politikanëve të përmendur “në dosje”, dhe që kjo të bëhet sipas modelit të dorëheqjes që të hënën e bëri ministri bullgar pa resor, Bozidar Dimitrov. Bela po ashtu nënvizoi se këtë gjë po e bën për arritjen e një paqeje në skenën politike shqiptare, e cila, sipas tij, mund të arrihet vetëm me largimin e “politikanëve që dyshohen se kanë bashkëpunuar me UDB’në”. 

Ndryshe, përmbajtja e “dosjeve” të publikuara nga Bela është e njëjtë me ato që tashmë i janë prezantuar opinionit në formë të fotokopjeve. 

BDI pa reagim zyrtar 

Në vend të një reagimi zyrtar të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për “dosjet në formë origjinale”, për to u prononcua zëvendësministri i Maqedonisë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdylaqim Ademi. 
Në deklaratën e dhënë gjatë takimit me ministrin turk pa resor, Faruk Çelik, Ademi kërkoi nga Valon Bela që në garë politike të konkurrojë me program politik, e jo me diskreditim të personaliteteve politike. 

“S’kemi çka të themi të re. Asgjë e re nuk ndodhi, përveçqë mund të konstatojmë se ai e ka bërë punën e një postieri. Në fakt, ai tani është shndërruar në një kryetar të së ashtuquajturës ‘parti politike’, vetëm sa për të bartur dokumente. Unë përsëri do t’i kisha apeluar që të mos merret me gjëra të ulëta, me diskreditimin e personaliteteve politike, por të ofrojë opsione politike dhe program politik. Edhe institucioneve do t’ju kisha apeluar që të merren me këtë çështje dhe ta mbyllin atë përfundimisht, sepse kjo mund t’i kushtojë shumë Republikës së Maqedonisë, por edhe proceseve në të ardhmen”, deklaroi Ademi. 

Megjithë përpjekjet e mediave shqiptare në Maqedoni për të siguruar një reagim zyrtar të BDI’së, dhe përkundër paralajmërimit se kumtesa dhe qëndrimi zyrtar partiak do të publikohej gjatë ditës, asnjëra nga këto nuk ndodhën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.