Politika

Basha uron 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

18418_887081464676369_7919736386348744153_n“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Në këtë përvjetor të 7-të të pavarësisë së Kosovës, kam nderin, krenarinë dhe gëzimin t’i uroj popullit të Kosovës, institucioneve të saj dhe mbarë shqiptarëve kudo ndodhen, Gëzuar Pavarësinë e Kosovës”, shkruan Basha.

Kjo e sotmja, vijon mesazhi i kreut të PD-së, “është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për çdo bashkëkombas në çdo skaj të globit, kudo ku jeton, punon e me dashuri e drithërimë ndjek ecjen e kombit të tij në rrugën e lirisë dhe zhvillimit. Kësaj krenarie e gëzimi sot i bashkohem dhe unë”.

“I bashkohem si një njeri i cili u lind e u rrit me dashurinë dhe dhimbjen për gjysmën e kombit tonë të munduar e të privuar nga liria, i bashkohem si një i ri i cili ndjeu në palcë dëshirën e vëllezërve tanë në Kosovë për liri e pavarësi, i bashkohem si një dëshmitar që përshkoi hapat e pavarësimit të Kosovës, hapa jo të lehtë, mbushur me dhimbje krenari e plot dinjitet. I bashkohem si shtetari që Zoti e bekoi me mundësinë të jetojë e kontribuojë si protagonist në momentin historik të kurorëzimit të atij procesi madhor të pavarësimit. I bashkohem si shtetari që shndërroi në mision të jetës realizimin e një vepre infrastrukturore të pakrahasueshme në dekada e që bashkoi shqiptarët, Udhën e Kombit. I bashkohem këtij gëzimi si mik dhe aleat i të gjithë atyre që kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të Kosovës, në ndërtimin e një Kosove të lirë e demokratike, si pjesë e projektit tonë madhor integrues mes vetes dhe familjes së madhe europiane. I bashkohem këtij gëzimi me premtimin, sot si lider i opozitës shqiptare dhe së afërmi në krye të një shumice qeverisëse, së me çdo forcë demokratike në Kosovë do shndërrojmë në yll polar të politikës e punës sonë, e si pjesë solide e projektit tonë kombëtar, ndërtimin e një Ballkani në paqe, të sigurtë, të zhvilluar dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike”, shkruan Basha.

1795536_887081488009700_8240052901457223626_n“Të dashur vëllezer, sot ne së bashku festojmë një arritje të madhe historike për kombin tonë. Une besoj se në këtë ditë, ashtu si në çdo ditë e brez pas brezi, është e vyer të kujtojmë me mirënjohje të sinqertë miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën tonë çlirimtare. Mirënjohje të thellë ndaj SHBA-së, mikut tonë të madh, mirënjohje NATO-s dhe vendeve mike evropiane, mirënjohje qeverive të çdo vendi, që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbësore të një populli, ëndrrën e lirisë”, thekson Basha.

“Me një mesazh zemre dua t’i drejtohem sot çdo qytetari të Kosovës: I dashur vëlla e motër! Deri më sot ne kemi arritur shumë, por rrugëtimi ynë ende s’ka mbaruar, ai shpesh na ballafaqon me vështirësi e të përpjeta, shpeshherë na ligështon e na mundon, por më besoni si vëllain tuaj që mban të njëjtën brengë e frymon të njëjtën shpresë, rruga që kemi zgjedhur është e drejta, është më e qarta, është më e sigurta për të ardhmen tonë si individ e si komb. Ta përshkojmë së bashku këtë rrugëtim, duke u mbështetur në krahë të njëri-tjetrit, me bindjen se po ecim në rrugën e duhur, me bindjen se na mbështesin miq të vërtetë, ta përshkojmë këtë rrugë me forcë e dinjitet, me besimin në Zot dhe në virtytet e kombit tonë.  Është rruga e një Kosove më të mirë e një Shqipërie më të mirë, të bashkuar në aspiratën europiane, është rruga drejt të ardhmes sonë të sigurt. Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Zoti i bekoftë shqiptarët anembanë globit”, përfundon mesazhin e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button