Home / Politika / “La Stampa”: Zhiti, poeti në luftë me “hijen” e Hoxhës

“La Stampa”: Zhiti, poeti në luftë me “hijen” e Hoxhës

Gazeta e quan Nishanin si ish-oficeri i regjimit, që i ka frikë intelektualët

Nishani-Zhiti_11 (1)E përditshmja italiane “La Stampa” i ka kushtuar një artikull të gjatë Visar Zhitit dhe historisë së tij si poet, i përndjekur e i dënuar nga komunizmi dhe luftës ndaj tij në demokraci si diplomat. “Kjo histori ka ngecur në një trekëndësh të pabesë, mes politikës, fesë dhe poezisë, sepse Visar Zhiti është një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë”, shkruan “La Stampa”. Në artikullin e gjatë, citohet jeta e poetit Zhiti, që nga vitet e burgut, meritat në demokraci e deri te dhembja e tij për humbjen e të birit, i cili studionte në Universitetin Katolik të Milanos. “Visari ndoqi gjurmët e të atit, të cilat në 1979-n e çuan në të njëjtin destinacion; një qeli 2×3 metra, e pas saj, puna e detyruar në minierë. Dënimi me 10 vjet heqje lirie u mor pas të njëjtit proces farsë, me akuzën qesharake se shkruante vargje tepër hermetike, të trishta e kundërthënëse me normat e realizmit socialist. Megjithatë, pati më shumë fat se i ati: rrëzimi i regjimit të Hoxhës i hapi pas shtatë vitesh portat e burgut, e madje edhe ato të Perëndimit të shumëlakmuar, parajsës së lirisë dhe begatisë. Lirinë e shijoi shumë shpejt, sepse poezitë e tij u botuan në Shqipëri e në mjaft vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por poezia, kur ndesh rrugët me politikën e fenë, befas gjendet e detyruar të ndalojë. Çdo gjë ndodh brenda dy javësh”, thotë “La Stampa”. Më tej, ajo thekson se Kryeministri shqiptar, Edi Rama, propozon caktimin e tij si ambasador në Selinë e Shenjtë; ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nis procedurën komplekse me Vatikanin, kur papritur mbërrin një pengesë vërtet e habitshme. Tani, vazhdon gazeta italiane, dikush nuk do që Visar Zhiti të jetë ambasador në Vatikan. “Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, George Frendo, në një intervistë për një media shqiptare, shprehet kundër kësaj kandidature, me argumentin se Visari ishte mysliman e jo katolik. Duke injoruar faktin që Zhiti, gjatë viteve të burgosjes, ishte konvertuar fshehurazi në fenë katolike. Tani, nuk dihet nëse e injoron apo thjesht bën sikur e harron, edhe mesazhin e lëshuar nga Papa Françesku shtatorin e vitit 2014 në Tiranë, kur i bëri një homazh shembullit të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës së paqtë fetare, të ofruar nga ky vend, si dhe rezistencës heroike të komunitetit katolik gjatë diktaturës komuniste, që në Kushtetutë impononte ateizmin si moto të shtetit”, thekson “La Stampa”. Intervista e Frendo-s mund të konsiderohet gafë, vazhdon gazeta italiane, por nga armiqtë e padukshëm të Visarit përthithet menjëherë si pretekst për të bllokuar emërimin e tij në Selinë e Shenjtë. Dhe në fund, “La Stampa” i referohet gjatë armiqësisë së Presidentit Bujar Nishani. “Vetë Presidenti Bujar Nishani është në krye të grupit, që kërkon t’ia ndalojnë kthimin në Romë. Variantet e kësaj armiqësie, sigurisht, vijnë në forma të ndryshme. Nishani shpreh zhgënjimin që është anashkaluar nga Kryeministri, në caktimin e kandidaturës dhe ky është versioni më miqësor. Variant tjetër, mbase edhe më i besueshmi, zbulon prapaskena që nuk e justifikojnë kundërshtinë presidenciale thjesht me lëndimin e sedrës hierarkike, por dëshmojnë një paragjykim negativ antik kundrejt një poeti rebel apo me saktë ish-rebel”, theksohet në shkrimin e gazetës italiane. Nishani, në epokën e regjimit Hoxha, kujton “La Stampa”, ka qenë zyrtar ushtrie, e ndoshta thekson ajo, e shkuara ia frenon entuziazmin ndaj një detyre që do të shpërblente një intelektual, i cili nuk është i gatshëm t’u bindet qorrazi dëshirave të pushtetit. “Nishani, në fakt, në kohën e regjimit komunist, ishte një zyrtar i ushtrisë dhe ndoshta është e kaluara e tij që nuk e lë të miratojë emrin e Zhitit, një intelektual, i cili nuk është i gatshëm të zbatojë dëshirat e më të fortit, kushdo qoftë ai. Hija e regjimit komunist duket se e ndjek ende Visar Zhitin”, përfundon shkrimin e saj gazeta italiane “La Stampa”.

One comment

  1. LEK DUKAGJINI........

    …Filloi “solidariteti”nderkombetar, me “katolikun hibrid”…Sipas thashethemeve te Ura e Lanes, edhe ISIS eshte “solidarizuar” me kandidaturen e Zhitit,…sepse ata i kane dhene ultimatum Vatikanit, se nese nuk deshirojne qe te pushtohen, duhet patjeter qe ambasadori shqiptar ne Vatikan ,te jete o mysliman ,ose ne pamundesi, te jete nje “katolik i bere synet”…..Mos e merrni seriozisht…

Leave a Reply to LEK DUKAGJINI........ Cancel reply

%d bloggers like this: