Home / Kosova / Vetëvendosje: Shpifjet në funksion të negociatave

Vetëvendosje: Shpifjet në funksion të negociatave

Lëvizja “Vetëvendosje”, i është përgjigjur shkurt akuzave të kreut të OVL-së, duke theksuar se nuk dëshiron të merret me “shpifjet e sharlatanëve”. Por ky subjekt thekson se gjithçka që vjen, në këtë kohë, prej ish-pushtetarëve dhe “veglave të tyre” është në funksion të negociatave të ardhshme me Serbinë. 

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është shërbim, nuk ka shërbime të fshehta brenda vetes, nuk është takuar dhe nuk takohet me shërbime të fshehta. Ne jemi me popullin dhe pranë popullit”, thuhet në një “sqarim”, që e ka shpërndarë sot për media, shërbimi për informim i këtij subjekti politik. 

“Nuk merremi me shpifjet e sharlatanëve që vjedhin vota për PDK-në siç është rasti i Muharrem Xhemajlit. Gjithçka që vjen prej ish-pushtetarëve dhe veglave të tyre është në funksion të negociatave të ardhshme me Serbinë”, theksohet në reagim. 

Xhemajli: Kurti, lidhje me shërbimin sekret serb 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka ashpërsuar akuzat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj. Albin Kurti. 

Gjatë një interviste në KTV, Xhemajli e ka akuzuar Kurtin se, pas luftës dhe lirimit nga burgu, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme deri në vitin 2004 me inspektorë të shërbimit sekret serb, dhe me njerëz të armatës serbe. 

Xhemajli përmendi vëllezërit Daçiq nga komuna e Klinës që sipas tij kanë pasur kontakte dhe takim me Albin Kurtin. Ai tha se njeri ka qenë inspektor i shërbimit sekret, ndërsa tjetri pjesë e armatës serbe, transmeton IndeksOnline. 

Kreu i OVL UÇK-së tha se i vjen keq që disa bashkëluftëtarë të tij janë pjesë e Vetëvendosjes në këtë rast për Rexhep Selimin, që tha se e konsideron si mik. 

Ai ka hedhur poshtë edhe akuzat e Vetëvendosjes se ai kishte mbushur kutitë e votimit me vota të PDK-së. Xhemajli pranoi se atë ditë ka qenë në fshatin Krajkovë, mirëpo sipas tij nuk është dukur për asnjë moment në vendvotim për të cilin flet Vetëvendosja. 

Kreu i OVL-së, me këtë rast tha se është dëmtuar imazhi i Organizatës, dhe për këtë arsye është duke përgatitur padi për shpifje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.