Home / Politika / Bushati-Besimi: Zbatim i plotë dhe pa zvarritje i Marrëveshjes së Ohrit

Bushati-Besimi: Zbatim i plotë dhe pa zvarritje i Marrëveshjes së Ohrit

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në takim, zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Fatmir Besimi.

Ministri Bushati fillimisht uroi zotin Besimi për detyrën e re dhe vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve tona, i cili luan rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

Palët konfirmuan vullnetin reciprok për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe shtimin e vizitave e takimeve të nivelit të lartë, si dhe vullnetin për t’i dhënë një dimension pragmatik bashkëpunimit të deritanishëm politik.

Ministri Bushati theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e mbeten në vazhdimësi një prioritet i patjetërsueshëm i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Në kuadër të zhvillimeve të brendshme në Maqedoni, Ministri Bushati evidentoi nevojën e zbatimit të plotë dhe pa zvarritje të Marrëveshjes së Ohrit, si busullën për të ardhmen dhe stabilitetin e Maqedonisë dhe ankorimin e saj në rrjedhat euro-atlantike.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Besimi përshëndeti vendimin për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë dhe e përgëzoi ministrin Bushati për këtë arritje të madhe, duke theksuar se ky është një lajm i mirë për të gjithë rajonin. Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë që vizitën e tij të parë zyrtare e zhvillonte në Shqipëri dhe që ajo përkoi me lajmin e marrjes së statusit.

Bashkëbiseduesit, duke vlerësuar arritjet përkatëse në kuadër të agjendave integruese evropiane të të dy vendeve, theksuan rëndësinë e vijimësisë së reformave dhe bashkëpunimit në këtë drejtim, si një element që i shërben jo vetëm forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe realizimit të objektivave tona strategjike për integrimin e plotë evropian.