Home / Arte / Muzeu arkeologjik i Durrësit, gati të presë vizitorët

Muzeu arkeologjik i Durrësit, gati të presë vizitorët

Muzeu arkeologjik i Durrësit do hapë dyert për vizitorët brenda disa ditësh. Pas rikonstruksionit të godinës që zgjati afro katër vjet, eksponatet e tij do të jenë të hapura për publikun vendas dhe të huaj – bënë të ditur burime nga drejtoria rajonale e kulturës kombëtare.

Muzeu-Arkeologjik-Durres-Foto-Gezim-KabashiDitët e fundit kanë përfunduar punimet për sistemimin e oborrit të muzeut ku janë ekspozuar një pjesë e objekteve arkeologjike. Ndërkaq, fondet me objekte ende të pastudiuara janë vendosur në një magazinë të vogël në pjesën e pasme të oborrit.

Rikonstruksioni i muzeut arkeologjik më të madh të vendit nisi në shtator të vitit 2011, por punimet u ndërprenë disa herë për shkak të një paqartësie në pronësinë e truallit në pjesën e pasme të oborrit, si dhe në vështirësitë e hasura për transferimin e fondeve të strehuara prej vitesh në katin e tretë të godinës.

Muzeu arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. Ai u përurua në vitin 1951 me nismën e arkeologut të njohur Vangjel Toçi në një godinë dykatëshe të shëtitores që mban sot emrin “Taulantia”.

Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër u zhvendosën në vitin 2002 në Muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njejtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës do të riekspozohen rreth 2100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Muzeu arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: