Home / Politika / Nishani: Politika dhe feja, të ndara nga njëra-tjetra

Nishani: Politika dhe feja, të ndara nga njëra-tjetra

Presidenti Bujar Nishani, në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Islami dhe paqja botërore”, zhvilluar këtë të premte në Tiranë, deklaroi se shoqëria dhe shteti shqiptar kanë qenë të vëmendshëm që politika të jetë gjithmonë dhe qartësisht e ndarë nga feja, që ajo të mos përdoret për qëllime politike.

1426853291presidenti-nishani-konferenca-islami-dhe-paqjaNë konferencën, ku ishin të pranishëm drejtues të bashkësive fetare në Shqipëri, klerikë, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, studiues,Nishani u shpreh se ‘Ne shqiptarët jemi krenarë për faktin se jetojmë në një shoqëri shumëfetare me shumicë myslimane, ku anëtarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë.

‘Kur flitet për traditën dhe pse jo, për profilin e veçantë që ka Islami shqiptar, duhet të kihet parasysh se Islami në Shqipëri është feja e një kombi evropian. Në kohën që shqiptarët e morën Islamin, ata tanimë, si evropianë që ishin, kishin nisur të ushqeheshin me vlera nga Rilindja Evropiane, ato vlera që i njohim të gjithë, të humanizmit dhe të laicizmit. Të ndriçuar me këto vlera, shqiptarët kishin prirjen që të ishin të ndjeshëm, veçanërisht ndaj asaj që ishte tolerante dhe humaniste tek Islami, te Kurani, ta përqafonin atë me entuziazëm dhe ta kultivonin si vlerë në Shqipëri.Në rastin e Shqipërisë, të tre besimet janë të lidhura me kombin, me vetë ekzistencën e tij. Modeli shqiptar i tolerancës, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare është gjithashtu, një kolonë solide në ndërtesën e vetë shtetit shqiptar. Drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve të institucioneve dhe administratës shqiptare tradicionalisht kanë ardhur, pa paragjykim, nga të gjitha besimet, duke ruajtur me kujdes dhe urtësi ekuilibrat e shoqërisë sonë”, tha Nishani.

Kreu i shtetit theksoi se qytetarët shqiptarë kanë treguar kujdes që të edukojnë veçanërisht të rinjtë për të respektuar kufijtë dhe lirinë fetare të tjetrit, që njerëzit të kenë perceptime të drejta për fetë e ndryshme, të mësojnë se të gjithë njerëzit kanë të drejtë që të promovojnë dashamirësi dhe veprime të drejta respekti ndaj fesë tjetër, se fetë janë pjesë e traditës dhe pasurisë sonë kombëtare.

‘Shqiptarët nuk ranë në grackën e “ngjyrimeve fetare” të tragjedisë së fundit, gjatë viteve 1990-të në Ballkan. Konfliktet e dhunshme që shoqëruan shpërbërjen jokonsensuale të ish-Jugosllavisë ishin pasojë e politikës shoviniste serbe dhe e ndërthurjes së interesave të vjetra në rajon. Motivet fetare ishin përpjekje për të mbuluar karakterin hegjemonist të një lufte për territore etnikisht të pastra, të shoqëruar me spastrime të tmerrshme etnike. Ato shërbyen gjithashtu për të mobilizuar fanatikët, pra, për t`u hedhur benzinë flakëve të luftës’, theksoi Nishani.

Më tej, Presidenti Nishani shprehet se ‘Shqipëria është një vend i vogël dhe në ndeshje me shumë sfida, një vend që ka për të mësuar shumë nga Evropa dhe bota e qytetëruar. Por në realitetin e tanishëm Islami në Shqipëri  përbën një model të suksesshëm që është pikërisht ai që bota kërkon të ndërtojë sot në marrëdhëniet me popullsinë e madhe myslimane. Tani në Shqipëri harmonia është e ndarë në respekt, në zhvillim dhe në dinamikë. Ajo është një vlerë e përbashkët e të krishterëve dhe myslimanëve shqiptarë, si qytetarë evropianë. Harmonia, mirëkuptimi dhe respekti për tjetrin janë pjesë e identitetit shqiptar, por edhe pjesë e trashëgimisë së virtyteve më të mira të një shoqërie në të cilën nga pikëpamja e besimit fetar, shumicën e përbëjnë besimtarët myslimanë’.

Leave a Reply

%d bloggers like this: