Home / Arte / Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, sërish i dëmtuar

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, sërish i dëmtuar

Pllakat që mbushin hapësirën ku shtrihet tabloja e famshme “Shqiptarët” ka krijuar gropa nga rënia e gurëve

Muzeu-Historik-KombetarMozaiku në ballinë të Muzeut Historik Kombëtar është dëmtuar sërish. Nuk duhet të vëzhgosh me kujdes për të dalluar copëzat e gurëve që formojnë hapësirën ku shtrihet tabloja “Shqiptarët” që janë shkëputur duke krijuar harta gropash. Harta dëmtimesh vihen re dhe në fustanellën e gruas që mban një pushkë në dorë. Ndërsa drejtuesit e institucionit kanë premtuar për politika dhe një konceptim të ri të Muzeut, i cili në fakt ka nisur me riformatimin e linjave muzeore, fasada e tij e jashtme, një pjesë e cila ruan në njëfarë mënyre dhe identitetin historik, duket se është në rrezik. Fasada e Muzeut është kontakti i parë që një i huaj, apo dhe një vizitor i thjeshtë ka me institucionin. Ky kontakt duhet të merrte një rëndësi më të madhe në momentin që në ballinë të kësaj fasade është mishëruar një nga veprat më të rëndësishme të sistemit të kaluar, që pavarësisht ideologjisë që mbart, është pjesë e një kujtese historike. Rreth 440 metra katrorë mozaiku ka nisur të shfaqë probleme rreth disa vite më parë. Që në kohën kur drejtor ishte Luan Malltezi (2009-2013), është bërë apel për krijimin e një fondi të veçantë që do të shpëtonte këtë vepër nga degradimi. Ndërhyrja, sipas tij, ishte urgjente, pasi kishte një dëmtim të përgjithshëm të strukturës së vet metalike. Dëmtimi i rëndë i mozaikut përfshiu në një debat jo vetëm përfaqësues të trashëgimisë kulturore në mënyrën sesi duhej bërë ndërhyrja, por dhe historianë dhe kritikë, të cilët vunë në pikëpyetje ekzistencën e tij. Muzeu Historik (2)Pati zëra që kërkuan heqjen e mozaikut për frymën e soc-realizmit që përcjell. Drejtori pasardhës i Malltezit, historiani Beqir Meta, doli hapur në media dhe kundër mozaikut, si vepër e periudhës komuniste. Por pavarësisht këtyre zërave, Mozaiku iu nënshtrua një restaurimi i cili duket se ka qenë sipërfaqësor, pasi kushtet atmosferike dhe koha kanë nxjerrë ende në pah problemet e tij. Pamja që ai ofron sot teksa kalon bri Muzeut Kombëtar nuk është aspak dinjitoze për një institucion të tillë. Për nëndrejtorin e Muzeut, Dorian Koçi, për momentin nuk është parashikuar ndërhyrje në mozaik, pasi ky është një proces që kushton, dhe nuk mund të përballohet nga Muzeu. Gati 33 vjet jetë, mozaiku me sipërfaqe 31 metra katrorë, u realizua në vitin 1981 nga pesë artistë, Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Qëllimi i ndërtimit të këtij mozaiku ishte në frymën e veprave politike, të cilët duhet të tregonin fuqinë e kohës, që në atë rast ishte komunizmi. Të veshur me veshjet kombëtare, dhe flamurin në bri tyre, burrat dhe gratë që shfaqen në këtë tablo murale janë të gëzuar. Artistët që e kanë krijuar këtë vepër, janë shprehur këto vite në media të shqetësuar për fatin e saj, duke kërkuar ngritjen e një grupi pune që do të studionte situatën, e më pas të kërkohej ndërhyrja për ta shpëtuar. Por duket se një veprim i tillë nuk i interesonte qeverisë së shkuar, e cila u shpreh hapur kundër mozaikut, por dhe qeverisë aktuale, e cila duket se po mendohet gjatë për të ardhmen e kësaj shenje historike në qendër të Tiranës…

Leave a Reply

%d bloggers like this: