Home / Opinion / Nuk ishte vetëm shenjtërim

Nuk ishte vetëm shenjtërim

Nga: QAZIM TEPSHI

shenjterimiDisa ditë më parë u krye shenjtërimi i katedrales së ortodoksëve shqiptarë në Tiranë, “Lindja e Krishtit”. Ndërtimi, nga ana arkitekturale i ngjan Katedrales së vjetër të Stambollit “Shën Sofia”, me kontribut të kishave ortodokse botërore, fondacioneve të ndryshme financiare, qeverisë shqiptare, nën drejtimin e kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të pavarur Shqiptare, Anastas Janullatos, siç thuhet nga folësi i kishës ditën e shenjtërimit të saj. Ky ndërtim është një vepër që u mbetet shekujve dhe Shqipëria e meriton një vepër të tillë, ashtu siç meriton të ketë vepër që u reziston shekujve dhe për besimtarët katolikë dhe besimtarët myslimanë, pasi është ndër vendet e pakta në botë ku krishterimi (natyrisht ishte ai katolik, pasi ai ortodoks është shumë i vonë, pas ndarjes së kishës katolike në dy pjesë; ajo katolike mbeti e varur nga Papa, ajo ortodokse, që ka fillimet me grindjet ekumenike e për pushtet rreth shekullit 8-9, mbeti nën Perandorinë e Bizantit) u përhap që në fillimet e veta. Shenjtërimi është ngjarje e shënuar për vendin dhe ortodoksit shqiptarë, që u nderuan nga përfaqësues të lartë të kishës ortodokse thuajse nga të gjitha vendet që e kanë këtë kishë, si dhe Patriarku i Stambollit, Bartolomeu. 
Disa elementë historikë për kishën shqiptare duhen theksuar për lexuesin e gjerë e ndoshta dhe disa europianë, që u bënë me kishë disa shekuj pas shqiptarëve. 
Folësi i Kishës Ortodokse Shqiptare, ditën e shenjtërimit (nuk po merremi me atë që shenjtërohet një objekt kulti, apo një person që jep vlera të veçanta për një besim të caktuar, pasi kjo u takon teologëve dhe secilit kult fetar) theksoi se disa apostuj të kishës kaluan nëpër Iliri, nga lumi Shkumbin dhe Erzen e mbërritën në Romë, duke përhapur elementet e parë të besimit fetar (Shën Pali përhapi krishterimin nëpër Iliri dhe Epir, që banoheshin nga shqiptarët). Kjo është e vërtetë historike dhe vlerë e madhe e popullatës së trojeve të Ilirisë, që ishin shqiptare, si kontribuues të rëndësishëm të fillesës e mbijetesës së kishës katolike në vitet e vështira të ngritjes së saj. 
Shqipëria ka kishën më të vjetër në botë. Historia shkruan se në vitin 58 të erës sonë, Durrësi kishte më shumë se 70 familje të krishtera. Në Ediktin e Milanos më 312 të erës sonë, drejtuar nga Perandori Konstandin, Iliria mbeti nën juridiksionin e Papës direkt, ndonëse nga ajo u ndanë Thesalia, Epiri dhe Greqia, që deri në shekullin VIII ishte dhe ajo katolike, siç ishin dhe serbët që arritën të kalonin Danubin në shekullin VI e VII, të ndihmuar nga Avarët, se Ilirët u dobësuan nga Hunët e Gotët. Më 387 Shkodra kishte kryepeshkopin e saj dhe më 431 kryepeshkopi i saj mori pjesë në këshillin e Efesit, ndonëse Shqipëria atëherë ishte nën juridiksionin kishtar të Selanikut dhe me Justinianin u bë Ohri juridiksioni i saj. Në 733, Italia e Jugut, Sicilia, Greqia, Iliria dhe Maqedonia u vunë nen patriarkun e Konstandinopojës (Stambolli sot), por taksat vazhduan t’ia paguhen Papës së Romës deri më 858, kur filloi kriza e madhe. Në Këshillin e Dalmacisë, kisha shqiptare u nda nga Maqedonia dhe ruajti ritin fetar katolik. Gjysmë shekulli më vonë, Cari bullgar Simeon pushtoi territoret shqiptare dhe shkatërroi Dioklean. Rreth 1200-ës, provinca e Diokleas dhe Tivarit mbeti besnike tek Papa i Romes dhe ky është viti kur provincat serbe e transferuan vartësinë e tyre tek Patriarku i Konstandinopojës. Serbët përqafuan krishtërimin në mesin e shekullit IX (ata kaluan Danubin dhe u vendosën rreth Beogradit të sotëm më 550 dhe më 679 arritën bullgarët, duke përzënë pjesën më të madhe të shqiptarëve) dhe deri më 1195-ën ishin nën juridiksionin e Kishës së Romës dhe më 1217-ën Stefan Uroshi u kurorëzua nga i deleguari i Papës. 
– 2 – 
I vëllai i tij, Sava, kaloi nën kishën e Bizantit më 1220-ën dhe u shpall edhe si kryeprift i kishës serbe nga patriarku latin i instaluar në Konstandinopojë dhe dy vite më vonë shpalli vëllain tjetër Stefan, si car i Serbisë dhe Zitkës. Deri më 1312-ën shqiptarët dhe kisha e tyre nuk ishin ngacmuar shumë nga serbët, por nën Stefanin e 6-të, nën nxitjen e priftërinjve serbë që konsoliduan cirilikun, filloi të persekutohet kisha latine e shqiptarëve e bashkë me të banorët shqiptarë të tokave të pushtuara, dhe kulmi arriti më 1349-ën, me ligjet e Dushanit kundër “heretikëve latinë”. Persekutimet u ndalën falë rezistencës së fortë të shqiptarëve, por edhe për shkak të nevojës që kishte Dushani për shqiptarët luftëtarë, të zotë për të rimarrë fronin e Bizantit e larguar osmanllinjtë që kishin filluar të merrnin Europën pas marrjes së Konstandinopojës (Stambollit). Pas vdekjes së tij më 1356-ën, shqiptarët hoqën zgjedhën serbe nën komandën e Gjergj Balshës, i cili më 1368-ën u bë përsëri katolik, si pjesa më e madhe e shqiptarëve. 
Pra Irinej nuk ka tagër të tregojë përsëri legjenda, se Fushë Kosova është djepi i shtetit serb, kur gjithnjë ka qenë katolik e i shqiptarëve. Dhe në betejën e vitit 1389 në Fushë-Kosovë serbët nuk luftuan vetëm, por me shqiptarët, kundër turqve kur u vra princi Lazar. (Edhe Karamahmuti i Shkodrës më 1786-ën i mundi turqit në Fushë-Kosovë, por Europës, që kishte harruar mbrojtësin e krishterimit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, nuk i bëri përshtypje, pasi kleri ortodoks serb kishte shitur tek Europa legjendën e humbjes dhe kjo u kishte bërë përshtypje europianëve, që ndihmuan dhe lejuan Serbinë të marrë trojet shqiptare). Me ardhjen e hordhive serbe të ndihmuar nga avarët, popullsitë thrako-ilire e maqedone u detyruan të shpërngulen në Epir dhe Ilirinë e Jugut. Nga kjo periudhë filloi urrejtja, që nuk vdes lehtë, e shqiptarëve kundër serbëve, urrejtje që është shumë e fortë dhe sot, pasi shihen si shkatërrues të jetës, të shtëpive e pasurive të shqiptarëve. 
Pra tokat e shqiptarëve u pushtuan disa herë nga serbët, por nuk mundën dot të bëhen zotër, përveçse kur i ndihmoi Europa (që nga 1878), që mendonte në atë kohë se shqiptarët janë myslimanë e turq e duhej të ngushtonin prezencën e turqve në Ballkan. Kisha serbe (e ndihmuar nga ajo ruse e greke) i shiti legjendat e sajuara nga shkrimtarët e saj sikur ata ishin zotërit e vjetër të Ballkanit dhe jo shqiptarët. Historianët, shkrimtarët, politikanët e Europës ( shumica), (pas Megaloidesë të shpallur nga kryeministri i Greqisë, Koleti, më 5 qershor 1844, para se Greqia të bëhej trashëgimtare e Bizantit dhe pas Nacertanies së Gracaninit serb po këtë vit për krijimin e Serbisë së vjetër), vrapuan të përshkruanin grekët e serbët si viktima të turqve dhe nxitën me veprimtarinë e tyre, gjoja, çlirimin e tokave të serbëve dhe grekëve nga turqit shqiptarë. Serbët u vërsulen kundër shqiptarëve si turq dhe me çdo mjet pushtonin tokat e shfarosnin shqiptarët, të nxitur dhe nga meshat e kishës së tyre ortodokse. Këtë bënë dhe grekët. Të gjithë ortodoksit shqiptarë i konsideronin grekë, ndonëse pavarësia e Greqisë nuk mund të arrihej pa ndihmën e shqiptarëve ortodoksë e myslimanë (së paku këtë e njeh historia botërore, siç njeh rolin e shqiptarëve për mbijetesën e kishave). Pas Megaloidesë, Patriarkana e humbi karakterin thjesht fetar dhe u kthye si kishë greke e në shërbim të Greqisë, e ndihmuar nga Patriarku i Rusisë, dhe nxitën urrejtjen ndaj shqiptarëve; në meshat e tyre këndoheshin dhe këndohen deri sot urrejtjet ndaj shqiptarëve. Që nga Kongresi i Berlinit, kur iu morën Ulqini dhe Tivari Shqipërisë, e deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kur filloi ndarja e territoreve shqiptare midis Greqisë, Serbisë, Malit të Zi (Cetinjën e komandonin feudalët shqiptarë, por krajli kishte nëntë vajza të bukura oborreve të Rusisë dhe të Europës) dhe Konferencës së Parisit, që ua dha tokat e shqiptarëve këtyre tre fqinjëve ortodoksë, që, gjoja bënë Luftën e Parë e të Dytë Ballkanike, kisha ortodokse greke u bë e barabartë me kombin, saqë Europa dallonte me vështirësi nëse grekët janë me lindje nga helenët, apo janë me lindje që kur filloi ortodoksia në territoret e ngushta greke edhe gjatë Bizantit. 
– 3 – 
Gabimi i Sulltanit që i dha forcë Patriarkanës si fuqi e dytë në sulltanat, që i përçmoi shqiptarët duke i konsideruar turq dhe disa herë i luftoi kishat katolike e ortodokse shqiptare, duke vrarë dhe priftërinj të lartë të Shkodrës etj., nuk harrohet dhe mbetet borxh i madh ndaj shqiptarëve, që në kishat e tyre nuk bënë mesha kundër fqinjëve, por i përdorën kishat e tyre të katër llojeve për qetësimin e shpirtit me fjalën e Zotit, pas vuajtjeve të tmerrshme që u shkaktonin fqinjët e ndihmuar nga Europa dhe Rusia. Këtu dallon kisha e shqiptarëve e të katër llojeve nga kishat e fqinjëve, mbeten thjesht fetare e ndihmonin shpirtin e trazuar të shqiptarëve. Shqiptarët nëpër gjithë këto stuhi për jetën dhe ekzistencën e tyre mbetën shqiptarë në kombësi dhe tolerantë, bashkëpunues e të respektueshëm në fe; të gjitha fetë e mëdha respektohen e nderohen në mënyrë të barabartë, edhe pse ndarja e popullsisë në këto fe nuk ishte e barabartë. 
Që në fillimet e saj, kisha katolike u përqafua nga popullsia shqiptare si zëdhënëse e fjalës së Zotit, kështu dhe ajo ortodokse, myslimane dhe bektashiane. Në lutjet e tyre nuk u mësua kurrë urrejtja për fqinjin. Shqiptari nuk e urreu kurrë fenë e fqinjit, por veprimin tinëzar, vrasës, shkatërrues të fqinjit. Vështirë të gjesh popull të edukuar me fisnikërinë e mësimeve të krijuesit. Vështirë të gjesh popull tjetër, veç atij të Romës, që të ketë përqafuar kaq gjatë krishterimin, janë 20 shekuj dhe Europa nuk e ka përfillur këtë as kur iu morën territoret, sepse i konsideronin shqiptarët si turq, por as sot, kur akoma ndihen të shqetësuar nga forca shpirtërore krijuese e këmbëngulja e fortë e shqiptarëve për të qenë pjesë e organizmit të BE-së, sepse janë prej shekujsh europianë, saqë shumë historianë i konsiderojnë shumë të lashtë, disa të racës ariane, disa të racës pellazgjike. Serbët e grekët, me ndihmën e Rusisë dhe Europës i ngushtuan nëpër male shqiptarët, që të mos kishin më mundësi zhvillimi, por nuk i kanë fshirë dot nga të gjitha trojet e tyre. Shqiptarët vuajtën e u torturuan, nuk u lejuan në shkollë të mësonin gjuhën shqipe, më e lashtë se ajo greke. Ajo u fol nëpër familje, në male (dhe u ruajt e paprekur ajo gjuhë tepër e lashtë), nuk u lejua as nga pushtuesit osmanë dhe Kisha Ortodokse Greke, dhe ky pushtues nuk ndërhyri kur shqiptarët ortodoksë paraqiteshin si serbë apo si grekë, bile dhe shqiptarët myslimanë i quajti turq, dhe me qindra mijëra mori në Turqi pas Luftërave Ballkanike, duke u marrë vesh me Serbinë dhe Greqinë, që po pushtonin tokat e shqiptarëve. Ndonëse kjo racë trime, luftarake, e respektueshme dhe inteligjente, nuk u përkrah aspak, përveç nga Austria e disi dhe nga Italia, mbijetoi në territoret e ngushta dhe përçoi traditën kombëtare të respektimit të tri feve. Kjo traditë është e lashtë dhe është bërë çështje e kombit shqiptar, gjë që nuk e ka asnjë komb i Europës. Feja ortodokse, që prej 800 vjetësh është bërë pjesë e jetës së shqiptarit, si ajo katolike, ndërsa ajo myslimane e imponuar vetëm 500 vjet më parë u përfshi tek besimi ë vjetër i shqiptarit tek krijuesi i diellit, erës, ujit, zjarrit e tokës, dhe saktësisë së ecurisë së jetës njerëzore, bimore, shtazore, në qiell e në tokë. 
– 4 – 
Shqiptarët nuk i kanë borxh askujt, nuk kanë pushtuar toka të të tjerëve, nuk kanë rrëmbyer pasuri të të tjerëve, dhe sot e kanë rrëmujën pa rregulla të forta, që thotë “La Stampa” e vendit katolik fqinj, për faj të politikës së trashëguar nga ata që sunduan në diktaturën e 50 viteve, dhe për 20 vite merren vetëm me sharje e ofendime e u mburren të huajve se kështu zhvillojmë demokracinë në Kuvend, gjë që është një sëmundje që do vijë në zhdukje. Kur të kurohet kjo sëmundje e trashëguar, shqiptarët do kenë zë të kërkojnë të drejtat e tyre e do të dëgjohen me respekt e besueshmëri në Europë e gjetkë. Kjo është forca e tyre… 
Të tria fetë e mësipërme u janë shumë borxhlinj shqiptarëve dhe kanë detyrimin, nëse janë ekumenike, të respektojnë racën trime dhe inteligjente shqiptare. Përmendëm këtë historik të shkurtër, që Irinej i Beogradit (dhe kolegët e tij që e mbështesin deri sot) të dijë se deri më 1200-ën Kisha Ortodokse Serbe ka qenë e përzier dhe e ndihmuar nga shqiptarët, dhe kishat serbe u ngritën mbi kishat katolike të shqiptarëve, pasi dhe në Serbinë e vjetër, që nuk zgjati as një shekull, edhe Gracanica dhe Kisha e Pejës ishin katolike, siç ishin kishat serbe në Malin e Zi e Maqedoni. Pra nuk ka pasur djep serb në tokat shqiptare e nuk është zhvilluar atje kombi serb, siç kërkon t’i bëjë përrallat e legjendat e folkut si të vërteta, se kështu justifikoka pushtimet e tokave shqiptare. Deri në fund të shekullit XIX, Beogradi nuk kishte më shumë se 40 mijë banorë, por Kisha Ortodokse Serbe ndihmohej me gjithçka nga Rusia, ashtu siç ndodh edhe sot. Irinej duhej të ishte më shumë zotëri e të respektonte historinë dhe, kur vajti te kisha e Shirqit, buzë Bunës, i ndihmuar nga Amfilohija i kishës serbe në Malin e zi dhe fatkeqësisht nga imzot Ignati, që së paku sa është rritur ka folur vetëm gjuhën shqipe. Kjo kishë është ngritur në shekullin VI, kur serbët nuk kishin hyrë në tokat e ilirëve-shqiptarëve dhe ka qenë nën juridiksionin e Peshkopatës së Shkodrës. Ajo u rikonstruktua nga gruaja e Uroshit I, që nuk zgjati shumë në mbretërim, dhe pastaj kaloi përsëri në lidhje të katolikëve. Irinej nuk di se çfarë është fisnikëria e shqiptarëve; bën mirë të merret me Kishën Ortodokse Ruse, pasi dhe ajo është e politizuar si kisha që drejton Irinej, dhe Kishës Ortodokse Serbe e Ruse nuk u vjen as erë, as ngjyrë fetare më, por janë kthyer në kisha të rrezikshme, si për vetë ortodoksinë, ashtu dhe për fqinjët e tyre dhe për Europën e civilizimin e saj. 
Nuk besojmë se sot ka ndonjë lider të Europës që të mund të harrojë deklaratën e fortë të ministrit të Jashtëm të Suedisë, Karl Bild, që theksoi në fillim të majit se: “Gabimi i madh i qeverisë ruse dhe i Vladimir Putinit është kthimi në ortodoksinë, e cila është më e keqe se terrorizmi islamik…” Më tej ai vazhdon: “Linja e re antiperëndimore e Vladimir Putinit bazohet në konservatorizmin e thellë të ideve ortodokse. Ortodoksia është rreziku kryesor për civilizimin perëndimor.” Irinej dhe Amfilohija bënë disa mesha, duke dënuar Karl Bild, siç bënin mesha për vrasjet e djegiet e shqiptarëve… Deri tani dimë se as Bartolomeu dhe as Janullatosi nuk u përfshinë në këto lloj meshash; urojmë që të jenë kthyer tek ekumenizmi, që ta mbajnë larg politikës fenë ortodokse, ta mbajnë si shërbëtore të njerëzve që besojnë tek mrekullia e saktë e krijuesit të madh, Zotit. 
Përmendëm këto aspekte historike, që ndoshta zgjerohen nga historianët, nëse ndihmohen nga qeveritë shqiptare, nga fondacionet bamirëse (nëse do të bëhen fisnikë në shpirt disa nga ata që janë pasuruar me rrëmbim), që akoma nuk janë krijuar në këtë truall të lashtë, ndonëse shumë janë pasuruar me shpejtësi marramendëse, që Europa të mos harrojë kurrë krimin që ka kryer ndaj popullit shqiptar gjatë historisë dhe të detyrohet të rishohë përqasjen e vet ndaj kombit shqiptar nga më të vjetrit në Europë e të mos i konsiderojë akoma turq, pse një pjesë për arsye historike ka përqasjen fetare myslimane, që duhet të nderohet njësoj e të respektohet siç respektohen katolicizmi, ortodoksia, protestantizmi dhe feja e hebrenjve. Europa ka plot injorantë të njëanshëm, por shqiptarët e ditur nuk do të rreshtin t’u tregojnë atyre realitetin historik e të tanishëm. Shqiptarët duhet të mësojnë nga izraelitët, që e mbajnë fort përkujtimin e Holokaustit ndaj tyre. 
– 5 – 
Në këtë linjë domethënëse të kontributit të madh për mbijetesën e bashkëpunimin me të gjitha fetë që ka përqafuar populli shqiptar në histori e deri më sot, e vështrojmë dhe shenjtërimin e Katedrales së Tiranës të ortodoksëve shqiptarë, “Lindja e Krishtit”. Shqiptarët e meritojnë një katedrale të tillë dhe për këtë ndihmesë duhet përgëzuar Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Ardhja e Patriarkut të Konstandinopojës (Stambollit) është shumë e vlerësueshme dhe do të kishte qenë mirë që shtypi ynë apo televizionet të kishin intervistuar Patriarkun Bartolome, për të shprehur urimin e mirë të tij. Duam të besojmë se në moshën që ka i është kthyer ekumenizmit, siç duam të themi se, deri tani edhe Janullatosi duhej ta kishte perfeksionuar pozicionin fetar e dashamirës ndaj kombit shqiptar, që e nderon nga 20 vjet, e jo të merret me politikë progreke. Edhe Bartolomeu, edhe Janullatosi, vërtet janë grekë, por janë dhe fetarë e duhet të çmojnë drejt e ta përdorin sipas parimeve te saj fenë. Deri tani Bartolomeu nuk është pozicionuar ndaj domosdoshmërisë që Kisha Ortodokse Shqiptare duhet të ketë Kryepeshkopin e saj shqiptar (ai dërgoi eksark – pra dërgues i tij, përfaqësues i tij, i cili u kthye në Kryepeshkop), meqenëse është kishë autoqefale (pra kokë më vete), por që respekton kishat dhe fetë e tjera. Janullatosi ndihmoi në ringritjen e kësaj kishe, pra kreu më shumë se kishte menduar dhe besoj se e ka mençurinë të gëzojë të shohë në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare një shqiptar, sipas respektimit të Kushtetutës së kësaj kishe. Vetë Janullatosi nuk është pozicionuar për këtë akoma. Ndoshta pas shenjtërimit të kësaj Katedraleje madhështore, do ta rimendojnë këtë dhe do ta njoftojnë Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ky do të ishte një shenjtërim tjetër i ortodoksisë shqiptare dhe Bartolomeu e Janullatosi do të ndiheshin të respektuar e të lumturuar për këtë vepër të mençur. Ata do të duhej të ishin të ftuar nderi në këtë ngjarje të madhe të pritshme. Besoj në dijeninë e tyre se do ta bëjnë. 
Ky besim më vjen dhe nga thënia e çmuar e Patriarkut Bartolome, se populli shqiptar është një ndër popujt më të vjetër të Europës. E falënderojmë shumë për këtë guxim, ndjeshmëri, për të pranuar të vërtetën historike për këtë popull fisnik, të vuajtur por të paepur, që ka kontribuar që në lashtësi për civilizimin e Europës, që sot ndihet e pasur. Dijet e botës së lashtë, si Bartolomeu, si Janullatos, si dhe Patriarku i Greqisë, i kanë mësuar dhe prezenca e tyre në shenjtërimin e Katedrales së ortodoksëve shqiptarë, bashkë me prezencën e thuajse të gjitha kishave ortodokse që ndodhen në rajonet e afërta me ne, mendojmë se është pranim e një kthim tek e vërteta e lashtë historike e popullit dhe e kishës shqiptare, është një mirënjohje (ndonëse e vonuar), një rikthim tek ekumenizmi dhe një shprehje se Kisha Ortodokse botërore do rishikojë parimet mbi të cilat është ngritur si shërbëtore e shoqërisë njerëzore e jo si komanduese politike, siç është shfaqur shpesh në Serbi, Rusi, por dhe në Greqi. Shpresojmë të kemi të drejtë, pasi kisha e disa llojeve (katolike, ortodokse e myslimane, por dhe ajo protestane në disa vende të rëndësishme të Europës) loz një rol të rëndësishëm në paqtimin e shpirtit njerëzor e afrimin e tij me saktësinë e rregullave që ndërtojnë jetën njerëzore e jo me kaotizmin, që është elementi i parë i flakjes tutje të Biblës e krijimit të ndasive shoqërore e ndasive midis popujve, krijimit të mosbesimit, urrejtjes dhe malinjitetit, që janë të huaja e luftohen nga fjala e Zotit. 
– 6 – 
E dimë që midis kishave, ashtu si midis kombeve, nuk ka dashuri, por respektim të njëri-tjetrit, krijim të mirëbesimit e ndihmesës për t’u zhvilluar e përhapur dijenitë, aq të nevojshme për çdo shtet e popull. Diku ndihmohet më shumë ky apo ai komb nga kombe të pasura, diku nëpërkëmbet deri në përbuzje e nënvlerësim. Në këtë qëndrim politik të qeverive që drejtojnë vende të ndryshme loz rrol të rëndësishëm kisha, pra dhe Bartolomeu, dhe Papa, dhe Patriarku i Rusisë, dhe kryerabini i Izraelit etj. Nëse ajo nxit mbështetjen e një politike të gabuar të shtetit ku vepron, siç ndodh në Rusi, gjë për të cilën tërheq vëmendjen me të drejtë Karl Bild, atëherë kjo kishë nuk është më ekumenike, por politike dhe e rrezikshme për zhvillimin e shoqërisë njerëzore e marrëdhënieve ndërkombëtare normale. Pra nuk janë e nuk ka përplasje qytetërimesh, pasi qytetërimet drejtohen nga qendrat e fuqisë, (që shkaktojnë dhe luftëra për të grumbulluar pasuri), por përplasje të kësaj e asaj feje, që merr pjesë direkt në politikë. 
Shqiptarët janë shembulli botëror i respektimit të barabartë të tri feve kryesore e bektashizmit, që ka lulëzuar kryesisht nga shqiptarët dhe në Turqi e botën arabe. Besojmë se drejtuesit e kishave ortodokse që morën pjesë në shenjtërimin e katedrales së Tiranës, “Lindja e Krishtit”, e kanë vlerësuar këtë përqasje të pashoqe të shqiptarëve fisnikë me pjesëmarrjen e tyre për ndërtimin e bashkëpunimin mes feve, se sa janë ndihmuar nga ato. Urojmë që shqiptarët të ndihmohen e të respektohen më shumë në të ardhmen nga fetë kryesore. Urojmë që patriarkët e Greqisë dhe Rumanisë (nuk besojmë tek Irinej, që shkon pas Patriarkut të Rusisë e ka harruar Biblën) do të ndihmojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar kështu një gur të fortë në murin e paqes që kërkohet në Ballkan, që të njohë zhvillimin ekonomik në dobi të popujve që jetojnë në këtë rajon. E dimë që Patriarku i Greqisë do të përballet me Presidentin Papulias, i cili, para dy muajsh, gjatë vizitës zyrtare në Zvicër deklaroi se Greqia nuk do ta njohë Kosovën, për interesat e saj kombëtare. Cilat janë këto interesa, duket se vetëm ai e di, që nuk ka kohë të shohë nga e ardhmja, ndonëse kur ishte i ri e kishte këtë forcë, nga sa e njoh unë nga afër, siç njoh Janullatosin. Papulias dhe Patriarku i Greqisë mund të japin sinjale ecurie paqeje, nëse nuk kanë harruar se populli grek dhe ai shqiptar nuk janë sllavë, kanë jetuar bashkë që në historinë e lashtë, kanë kontribuar bashkë për civilizimin europian, për fetë që sundojnë sot dhe duhet të bashkëpunojnë shumë edhe sot. Le të shpresojmë në kthesën e tyre. Vetëm të flasësh nuk do të thotë që e do paqen. Patriarku i Rumanisë ndoshta e ka më të lehtë me presidentin e tij, pasi kryeministri i tij, kur ishte në Tiranë deklaroi se së shpejti Rumania do ta njohë Kosovën. Të shpresojmë se kemi një rishikim në interes të realizimit konkret të paqes nga këto vende, jo më fjalë. 
Shpresojmë se këtë do të bëjë dhe Papa Françesku i Kishës Katolike Botërore, që do të bëjë vizitën e parë në rajon dhe Europë, në shtator, në mbështetje të fisnikërisë së lartë të shqiptarëve, që e mbajtën gjallë me sakrifica të jashtëzakonshme kishën katolike për 20 shekuj, pavarësisht vuajtjeve të tmerrshme e luftës për ekzistencë, pasi u rrezikua shumë herë drejt shfarosjes. Kosovës së vuajtur e të sakrifikuar i takon një veprim i mençur, i matur, me vlera reale nga Papa Françesku, që po kontribuon realisht për paqen dhe vlerën e çdo njeriu. Urojmë të jetë një gjë e tillë e frymëzuar në mendjen e tij të ditur. Urojmë, pasi dhe vizita e tij është përcaktuar për respekt të sakrificave të mëdha të popullit shqiptar, që nga lashtësia, periudhën e diktaturës e deri më sot, dhe të tolerancës së pashembullt fetare që mbretëron ndër shekuj në shpirtin e këtij populli që e gjymtuan pa mëshirë. 
– 7 – 
Ky popull që vazhdon të jetë i ndarë në pesë shtete, që e kufizojnë, meriton të ketë ndoshta dhe një peshkop shqiptar për këto troje të lashta ku mori forcë krishterimi. Ashtu siç duhet të ketë një peshkop ortodoks shqiptar në Greqi e një kishë ortodokse shqiptare për mbi 500 mijë emigrantë, nëse vërtet e çmojmë dhe e duam ortodoksinë, siç shkruhet në Bibël. Kështu do të kishim dhe në vendet fqinje ku jetojnë e kontribuojnë shqiptarë. Kjo do kishte vlerë po të shihte realizimin për një kohe jo të largët. Kisha katolike ka pasur nëpër histori disa papë e peshkopë ilirë-shqiptarë. Po ashtu dhe kisha ortodokse. 
Ndoshta, Papa i nderuar i kapërcen paragjykimet e rrënjosura në Europë, por dhe në Itali, se Shqipëria është një vend i vogël me shumicë myslimane (sikur kjo është krim për këtë gazetë injorantësh të pasur), në periferi të Europës, siç shkruan këto ditë “La Stampa”. Nuk ia vlen të komentojmë shkrimin e kësaj gazete, se ndoshta i shkon kjo pjesë historike e shkruar në këtë shkrim, për kontributin e shqiptarëve në respektimin e bashkëpunimin e rrallë mes feve, më shumë se çdo popull tjetër, dhe së paku do mësojnë diçka me vlerë. E vogël është Shqipëria, se ia morën më shumë se gjysmën e territorit të saj fuqitë europiane bashkë me Rusinë (Italia më shumë interesohej të merrte Vlorën e Sazanin), por shpirti i saj fisnik do ta bëjë këtë vend si Izraeli, apo Zvicra, shtet modern, me ekonomi të fortë dhe të aftë t’u kërkojë të tjerëve me forcë respektimin e kësaj Shqipërie të vogël. Shqipëria nuk pushtoi ndonjë vend, nuk rrëmbeu pasurinë e këtij apo atij vendi e të ishte sot vend i pasur si disa shtete në Europë. 
Vizita e Papa Françeskut, shumë e mirëpritur dhe shumë e dëshiruar nga populli e vendi ynë, nuk do krijojë rrethana të reja të favorshme vetëm për marrëdhëniet mes feve, por dhe për vendin tonë, që duket është në fazën e mbarimit të rrëmujës e lëvizjeve kaotike të deritanishme. 
Është domosdoshmëri që, ajo pjesë e politikës që u jep shkas të përditshëm disa qarqeve europiane të përbaltin akoma Shqipërinë, të dalë nga loja politike. Shanset tani për Shqipërinë janë të forta. Ndodhitë e këtyre ditëve në luftën kundër krimit të organizuar, drogës, paaftësisë së disa institucioneve që vegjetojnë nën bilbilin e atyre që duan ta mbajnë të varfër këtë vend, se punojnë për shtete të tjera (siç shkruhet shpesh në shtypin tonë), sinjalet për marrjen e statusit të vendit kandidat, vizitat e prelatëve të rëndësishëm të kishës ortodokse botërore, vizita e planifikuar e Barosos, Merkelit, personaliteteve të tjera europiane e në shtator të Papa Françeskut, do të mund të qartësojnë qeverinë shqiptare më shumë, për forcën e vullnetit dhe mençurisë, që të vijojë pa u tërhequr që të krijojë sa më shumë mundësi reale për ta bërë Shqipërinë një shtet me dinjitet, ku politikanët të dinë të sillen e të mos dezinformojnë çdo gjë, duke mbjellë mosbesim, për këtë popull e vend fisnikësh të lartë. Së paku të mësojnë nga ky popull, i cili, që nga lashtësia përdor zgjuarsinë se “punët e shtëpisë nuk dalin në pazar”, ndryshe shtëpia bëhet lolo. Fol me të huajt a partnerët, por jo vetëm t’i marrësh të mirëqena ato që të thuhen, pa kërkuar çfarë duhet për këtë vend. Pa qenë realë, nuk bëhet punë për këtë vend. Uroj që të mësojnë e ta duan më shumë mençurinë e këtij populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published.