Home / Opinion / “Himara, bashki e zgjeruar dhe jo të tkurret sikurse kërkon ‘Omonia’”

“Himara, bashki e zgjeruar dhe jo të tkurret sikurse kërkon ‘Omonia’”

Nga: IRAKLI GJICALI 

himaraReagimi i “Omonia” në faqet e shtypit shqiptar, lidhur me ndarjen e re territoriale, por veçanërisht qëndrimi i disa personave ekstremistë të saj në takime në Himarë, në Dhërmi etj., lë shijen e hidhur tek kushdo që lexon dhe dëgjon këta individë, që jo vetëm nuk paraqesin ndonjë argument rreth faktit “të jetë apo jo bashki më vete Himara”, por ata denigrojnë me sharje, fyerje e shpifje, madje edhe deri në kërcënime ndaj atyre që janë pro zgjerimit të Bashkisë Himarë me Lukovën dhe Vranishtin. Në takime, zënë vend në krye të ashtuquajtur “omonistë”, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me shoqatat komunitare dhe veprimtarinë e tyre, por ata vijnë aty vetëm për zhurmim, duke krijuar ilaritet e konfrontim me këdo tjetër që diskuton. Një Nasho e një Dano, një Robert e dy Andrea, një Vasil e një Vangjel apo disa të tjerë si këta nuk janë përfaqësues të asnjë shoqate civile dhe as zëri i Himarës dhe himarjotëve, ashtu sikurse i atribuojnë vetes dhe e trumbetojnë me të madhe ata, por edhe organizata “Omonia”. Këta individë vijnë nga shoqata fantazma, inekzistente dhe ndonjëri flet si përfaqësues i një shoqate pa autorizimin e saj, sikurse është edhe ai që flet në emër të Shoqatës së Pavarur të Intelektualëve të Himarës. Këto, ata i bëjnë për të shtuar artificialisht numrin e atyre që kundërshtojnë Reformën Territoriale. Po cilat janë “argumentet” e organizatës “Omonia” dhe këtyre përfaqësues fantazma të shoqërisë civile në Himarë që janë kundër zgjerimit të Bashkisë Himarë me Vranishtin?. “…Po të bashkohemi me Vranishtin – thonë ata – ata na prishin fenë… gjuhën… traditat… (për këto arsye na ka ndarë edhe mali i lartë ?!)…. Ata na rrezikojnë pronën…. Ekonomia e Himarës do të bjerë se ata janë të varfër… Neve jemi njerëz vetëm për turizëm e peshkim dhe jo për kullota e barinj. Neve jemi grekë dhe ata shqiptarë… ne jemi kristianë dhe ata janë myslimanë….etj., etj., broçkulla si këto. 
Mënyra si flasin këta elementë që zhurmojnë mbi këtë çështje vërteton plotësisht faktin se përçojnë një politikë të vjetër përçarëse. Ata e kuptojnë shumë mirë që me zgjerimin e propozuar, Himara bëhet një qendër e madhe dhe shumë e rëndësishme administrative në të cilën do të instalohen më shumë struktura shërbimi dhe institucione të shtetit, që Himara sot nuk i ka. Himara ka vuajtur ndër dekada me Vlorën edhe për shërbime shumë të vogla sikurse janë; një vulë në certifikate, një certifikatë nga gjendja civile e rrethit, shërbime nga zyra kadastrale, hipoteka, KSHA, e shumë të tjera pa harruar shërbimet e munguara deri sot nga gjykata, prokuroria dhe organe të tjera. Por edhe në rrafshin ekonomik, Himara do të ketë më shumë mundësi financimi nga shteti dhe prioritete në investime, sepse bëhet zona më e rëndësishme në vend e industrisë së turizmit dhe njëkohësisht do të jetë zona e privilegjuar në strategjinë kombëtare të zhvillimit. Pra, në fund të fundit, zgjerimi me një popullsi mbi 30.000 banorë, si një kusht i këtij zgjerimi dhe që nuk mund të arrihet vetëm me Lukovën, do të përbëjë një njësi më funksionale dhe më shumë të fuqishme administrativo–territoriale dhe kjo edhe për shkak të larmisë së vlerave së të gjithë zonës. 
Kundërshtarët e këtij zgjerimi, edhe Himarën aktuale me shtatë fshatra duan ta tkurrin në tri të tilla, duke lënë jashtë Vunoin, Pilurin, Qeparoin e Kudhësin dhe këta janë gati të bëjnë spastrim edhe në tri fshatrat që veçojnë nga ata që nuk janë greqishtfolës dhe që nuk pranojnë se janë minoritet grek. Himara ka vuajtur shumë, sepse nuk ka qenë trajtuar nga qeveritë shqiptare të derisotme për shumë shkaqe, për më shumë, ajo ka qënë edhe e vetizoluar, veçanërisht në këto 25 vitet e fundit nga politika ekstremiste e “Omonias” dhe e qarqeve ekstremiste. Se ku i shpie mushka këta maniakë, kjo dihet, por e keqja është se ata i shmangen historisë së Himarës, mbijetesës në këto troje në mënyrë të pazgjidhshme me fshatrat e Lumit të Vlorës dhe Labërinë dhe luftërat e përbashkëta shekullore, që kanë bërë në mbi 53 fshatrat që përbënin Himarën, (Chimera). Jeta e himarjotit edhe sot është e pandarë nga ajo e Labërisë matanë vargmaleve Acrokeraune. Aktualisht në Himarë janë me banim mbi 140 familje të ardhura nga zona e Labërisë, të cilët kanë 30 vjet e më shumë, që banojnë e punojnë në Himarë dhe janë integruar plotësisht në komunitetin himarjot. Në mes himarjotëve dhe Labërisë janë bërë qindra e mijëra krushqi, ku nipër e mbesa janë gati t’u hidhen në grykë dhe t’i mbysin autorët e këtyre reagimeve raciste. Malet e Vetëtimës nuk janë vijë ndarëse mes Himarës dhe Labërisë, por ato janë shtylla kurrizore e një organizmi të vetëm, ku njëra brinjë shtrihet nga Himara dhe brinja tjetër nga Labëria. Ky organizëm nuk rron dot pa të dyja brinjët e saj, ndërkohë që Himara dhe Labëria janë “dy shtëpi me një çati”. Këto përkufizime nuk i them unë, por ato i kanë lënë të parët tanë si testament të përjetshëm të mbijetesës së himarjotit. Himarjoti nuk ka qenë vetëm peshkatar, por ka qenë edhe bujk e blegtor nga më të zotët dhe në këtë rrafsh, ai ka qenë më i lidhur me fshatrat e Labërisë. Himarjoti shkonte në fshatrat e Labërisë e shkëmbente ullirin dhe vajin me drithëra buke, fasule e prodhime të tjera. Në të shkuarën, por edhe tani, blegtorët himarjotë gjatë muajve të verës dhe vjeshtës i shtegtojnë bagëtitë e tyre në malet e Labërisë e të Kurveleshit, ndërsa këta të fundit strehoheshin me bagëtitë e tyre në zonën e Himarës gjatë muajve të dimrit. Jo vetëm krushqi, por nuk ka himarjot pa një mik në çdo fshat të Lumit të Vlorës dhe të Kurveleshit të sipërm dhe denbabaden ka ekzistuar kjo miqësi, të cilën nuk e ka prishur dot as feja dhe asnjë indikator tjetër nacionalisto-racist, ndaj kjo miqësi është edhe sot e kësaj dite gjithmonë e më e fortë. Ata që e mohojnë këtë fakt janë vetëm “Omonia”, që nuk di për ç’qëllime të mbrapshta nxjerr këto broçkulla dhe jep ngjyra konfrontimi e përçarjeje mes Himarës dhe Labërisë. Një nga diskutantët në takim tha dhe madje propozoi që Himara të bashkohet edhe me Progonatin, sepse ky është vendi nga kanë ardhur në Himarë fiset: Milo, Bollano, Goro, Rexho, Dhima, etj., etj., Kjo nuk është shaka, por një e vërtetë historike që njihet nga të gjithë në Himarë dhe kudo. 
Në dritën e këtyre fakteve, të kësaj historie reale, të jetës së himarjotit, të mendimit e veprimit të himarjotit dhe perspektivës për të ardhmen e tij, me qëllim që Himara të jetë bashki dhe jo t’i bashkëngjitet Vlorës, janë shprehur në takime për ndarjen territoriale, kryetarët e fshatrave, drejtorë të shkollave, mësues e intelektualë, si dhe punonjës të thjeshtë e qytetarë, të cilët me gjithë ndërhyrjet brutale të “omonistëve”, kanë theksuar se zgjerimi dhe bashkimi i Himarës me Komunat Lukovë dhe Vranisht i jep Himarës një vlerë të shtuar dhe e bën atë qendër të rëndësishme administrative të kompletuar me të gjitha shërbimet, që sot i kryen në Vlorë si dhe prioritet më të lartë për investime në zonë. 
* Kryetar i shoqatës së Pavarur të Intelektualëve të Himarës 

Leave a Reply

Your email address will not be published.