Home / Opinion / Politika, diplomacia dhe statusi kandidat

Politika, diplomacia dhe statusi kandidat

Nga: Dr. JORGJI KOTE

europe_flagPas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në qershor 1991, në prill 1992 Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Parë të Bashkëpunimit…Fillim premtues Ekonomik me BE-në. Objektivi ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Europiane, siç njihej në atë kohë bashkë me “simotrat” tona lindore dhe juglindore. Ish-komisioneri i BE-së, Van den Broeck, erdhi në Shqipëri në vitin 1995 dhe u përhap gjerësisht lajmi se asocimi ishte çështje muajsh. Madje, në janar 1996, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ftoi Komisionin Europian që të përgatiste propozimin për një marrëveshje europiane “sui generis” me vendin tonë. Natyrisht, kishte shumë probleme, defekte, lideri i opozitës ishte në burg për motive jo shumë të qarta e të dyshueshme, kishte dështuar referendumi kushtetues në vitin 1994 etj. Gjithsesi, mendohej se duke e futur vendin tonë në “vathën” europiane, këto probleme do të zgjidheshin më shpejt e më mirë sesa duke e mbajtur jashtë. 
Mirëpo gjithçka u përmbys pas krizës zgjedhore të 26 majit 1996, e cila u pasua nga rënia e firmave piramidale dhe e shtetit më 1997. 
Gjërat nisën nga e para, por nuk qe e thënë se brenda një viti, sërish politika shqiptare u bë pengesë serioze. Më 14 shtator 1998, ditën që në Tiranë plasën trazirat tashmë të njohura, të dhunshme, duke qenë këshilltar në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel, kisha fiksuar takim me shefen e Njësisë së Komisionit Europian për Ballkanin, zonjën Tereza Sobieski, dashamirëse e vendit tonë. Sapo hyra në zyrën e saj, ajo e tronditur më thotë jo pa çudi dhe me njëfarë zemërimi: “Çfarë bëhet tek ju, kështu, zotëri? Ne sapo miratonim projekte e programe…” Nuk dija ç’t’i thosha. Të nesërmen, pasi u anulua e gjithë agjenda e mëparshme e integrimit, mora pjesë në Takimin e Grupit të Miqve të Shqipërisë, të krijuar nxitimthi me këtë rast nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Askush nuk e kishte menduar një “prapaktheu” të tillë. Gjithçka sërish nga fillimi. Megjithatë, pas krizës në Kosovë dhe kontributit të madh të vendit tonë, për fat të mirë u përfshimë në Procesin e Stabilizim-Asociimit të miratuar në vitin 2000 nga Komisioni Europian. Qeveria e atëhershme e kryesuar nga zoti Ilir Meta bëri mjaft në këtë drejtim. Në ato dy vite e kemi ndier nga afër se si politika mund të mbështeste fuqishëm procesin e integrimit europian. Ishim të lumtur që pas kaq vitesh, gjërat po ecnin për mirë. Qëndrimet parimore të qeverisë sonë e kishin ndryshuar shpejt imazhin negativ të mëparshëm. Pse jo, shkonim me njëfarë krenarie nëpër takime dhe veprimtari të ndryshme. Në vitin 2000 u dorëzua dosja e fizibilitetit dhe po bëhej gati miratimi i fillimit të bisedimeve. 
Hapa prapa 
Por sërish nuk qe e thënë, se më 2001-2003 ndodhën zhvillimet dhe grindjet politike brenda partisë qeverisëse; ato u shoqëruan me problemet zgjedhore në vitin 2001 (i ashtuquajturi fenomen që mori emrin e fshatit në afërsi të Lushnjës ku ndodhën parregullsitë – “Dushk”) si dhe grindje e akuza, të cilat çuan në rënien e qeverisë, në bllokimin e punës së saj, madje dhe në mosdekretimin e disa ministrave, ndërmjet të cilëve edhe ai i Jashtëm. Vetëm në fillim të vitit 2003, pas zhbllokimit të gjendjes dhe konsensusit pozitë-opozitë rifilluan bisedimet me BE-në, të cilat u hapën zyrtarisht në praninë e ish-presidentit të Komisionit Europian, mikut të mirë të vendit tonë, Romano Prodi, më 31 janar 2003 në Tiranë. 
Teknikisht bisedimet ecën mirë, por BE-ja duket se nuk kishte besim te klasa politike në pushtet, për shkak të përhapjes së madhe të korrupsionit, krimit të organizuar etj. Ndaj ajo vendosi të siglojë marrëveshjen e përfunduar në shkurt 2006 dhe nënshkrimin e saj në qershor 2006, kur u bind për vullnetin politik të qeverisë së re të ardhur në vitin 2005 për reforma dhe adresimin e problemeve të mësipërme. Megjithëse u duk se puna do të vijonte me ritëm, sërish politika e bllokoi këtë proces, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, atyre për pushtetin lokal me 2011, ngjarjet e 21 janarit 2011, akuza e kundërakuza etj., deri te dështimi për zgjedhjen me konsensus të Presidentit! Kësisoj, për tri vite rresht mbetëm prapa dyerve të BE-së. I mërzitëm dhe ata, derisa njëri prej europarlamentarëve në një rast e tha troç, pa kurrfarë dorashke diplomatike, se “na e keni sjellë në majë të hundës”. 
Kjo tablo bëhet edhe më e zymtë kur mendon se krahas Kroacisë që e meritonte statusin, na e kaluan Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, edhe pse kjo e fundit kishte të bartur në bilancin e vet 4 luftërat e Miloseviçit dhe probleme të tjera. Historia e pakëndshme e procesit të aderimit në BE për fatin tonë të keq vijon më tej. Pas dy vjet dështimi, edhe vitin e tretë, më 10 tetor 2012, me shumë zor mundëm të marrim propozimin, por sërish me kushte të Komisionit Europian, të cilin, gjithsesi Këshilli i BE-së në takimin e muajit dhjetor të atij viti nuk e miratoi për shkak të mungesës së konsensusit politik për tri ligje të rëndësishme. Kështu, për të tretin vit rresht, Shqipëria nuk mundi të marrë statusin kandidat, duke shtyrë për më tej çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Gjithçka ndryshoi dhe pas zgjedhjeve të vlerësuara të 23 qershorit dhe krijimit të koalicionit të ri qeverisës, Komisioni Europian dha pa rezerva rekomandimin për dhënien e statusit kandidat. Por, me sa duket, problemet e brendshme të BE-së, forcimi i prirjeve tashmë të njohura euroskeptike dhe koha vetëm prej disa muajsh e qeverisë së re, dukej e pamjaftueshme për ndonjë vend anëtar për të thënë me plot gojën “po”. Kësisoj, Këshilli i BE-së e shtyu dhënien e statusit me plot shpresa për në muajin qershor 2014. Ndaj marrja e këtij statusi do të jetë një hap madhor i rëndësishëm për vendin tonë, por me shumë vonesë dhe me përfitime të munguara. Dukuritë e mësipërme negative kanë pasur edhe efekte të tjera “kolaterale”. Veç zhgënjimit, masiv brenda vendit, kryesorja ka qenë rënia e besueshmërisë te partnerët tanë ndërkombëtarë dhe e veprimit politik sidomos në rajon. 
Supranacional dhe ndërqeveritar 
Në këtë drejtim do mbajtur parasysh se me gjithë prirjet e saj supranacionale, BE e ka mbajtur të paprekur karakterin ndërqeveritar. Kjo do të thotë se struktura drejtuese dhe përcaktuese në marrjen e vendimeve politike edhe në BE janë autoritetet përkatëse të vendeve anëtare, e sidomos ato më me peshë. Madje, faktet po dëshmojnë se ky komponent kohët e fundit ka prirjen të forcohet më tej, sidomos nga vende të mëdha anëtare të tij. Dimensioni ndërqeveritar i BE-së përfaqësohet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm, të Financave, të Brendshëm e të Drejtësisë si dhe nga Këshilli Europian; ky i fundit përbëhet nga kryetarët e shtetit ose të qeverive të 28 vendeve anëtare të BE-së, të cilët japin vendimin përfundimtar. Të gjithë jemi dëshmitarë se si ky Këshill ka bërë të pavlefshme në disa raste propozimet e Komisionit dhe të Parlamentit Europian. Këtu bën pjesë edhe shtyrja për disa muaj e rekomandimit të Komisionit Europian për statusin tonë kandidat në dhjetor 2013. Në këto kushte, në media, në shtyp dhe në foltore të ndryshme është shprehur dhe habia për një gjë të tillë, kur Komisioni dhe Parlamenti Europian e kanë miratuar dhënien e këtij statusi. Mirëpo, në rast se njihet dhe vlerësohet mirë karakteri “ndërqeveritar” i BE-së dhe prirjet e sotme për theksimin e tij, do të kuptohet se në fund është vota e të 28 vendeve anëtare ajo që vendos! Natyrisht që Komisioni apo Parlamenti Europian kanë rëndësinë e tyre të pamohueshme, sepse pa rekomandimin ose mbështetjen e tyre nuk mund të bëhet fjalë për vendime të Këshillit. Ndoshta pas zgjedhjeve europiane të datës 25 maj 2014, pas të cilave për herë të parë në historinë e BE-së, presidenti i Komisionit Europian dhe komisionerët e tij do të propozohen dhe zgjidhen nga formacionet politike të Europarlamentit, që do të jenë të zgjedhur direkt nga populli, ky realitet mund të ndryshojë dhe Komisioni Europian të ulet sërish në “driver’s seat” (në sediljen e drejtuesit). Gjithsesi, siç sugjerojnë shumë ekspertë të fushës, mirë është që në punën dhe lëvizjet diplomatike të tregohet kujdes për një vlerësim dhe ekuilibër sa më të drejtë ndërmjet këtyre tri institucioneve të BE-së, duke i dhënë secilit “hakun” e vet. Mençuria e politikës dhe diplomacisë është që të mos lërë asnjë vend për teprime, të çara e keqkuptime të ndryshme ndërmjet tyre. 

Leave a Reply

%d bloggers like this: