Home / Opinion / Kohë të vështira provimesh

Kohë të vështira provimesh

Nga: KIÇO BLUSHI

lazaratMë në fund Shqipëria, si nxënësja më e dobët e më problematike e rajonit, pas disa herësh që hyri në “provim” e nuk e kaloi dot klasën, e fitoi statusin aq shumë të dëshiruar. 
U tentua, që edhe për këtë proces historik të integrimit, ashtu si ndodh rëndom kudo ndër ne, në arsim/ kulturë/ biznes/ mjekësi/ licencim/ legalizim/ punësim, në administratë etj., edhe provimi për statusin të merrej jo duke bërë “detyrat e shtëpisë”, me djersë, me meritë e përmirësim të standardeve, por me akraballëk, me sherre, grindje e konflikt të ndërsjellë. U synua t’i hidhej hi syve “profesorit”, madje duke tentuar blerjen e statusit me ryshfete, herë me sjellje kinse demokratike, duke bërë “lobime”, duke futur miq disa ndërkombëtarë (të blerë e të trajtuar jo si partnerë, por si sekserë!), ose duke dhënë kapar një copë të detit në Jug e tjetër herë duke e falur CEZ-in. Besohej se kësisoj do t’ia hidhnim Evropës, se edhe statusi mund të fitohej me allishverishe, me trafikim të influencës, si diplomat e ndonjë universiteti të këtueshëm privat. Rëndësi pra kishte që diploma e statusit të futej në xhep, paçka se do të kishte ose jo ndonjë lidhje me kulturën demokratike dhe standardet, me dijet dhe aftësitë, me mirëqenien dhe shëndetin moral të shoqërisë. 
Një provim tejet i vështirë e i pamundur për t’u fituar u konsiderua për vite të tëra edhe çlirimi i Lazaratit. U ngazëllyem kur ky fshat rebel e kanakar i një pjese të politikës iu bashkua, më në fund, Shqipërisë normale. U lumturuan madje edhe ndërkombëtarët, të cilët, të nesërmen nuk ngurruan të na e japin si shpërblim statusin. Por ja që pas dy ditësh u vra në mes të Bllokut bankieri Artan Santo. Çliruam Lazaratin, por tani po del që nuk qenkemi çliruar nga mafia dhe nga krimi i organizuar e i strukturuar në mënyrën më të ububushme. 
Pasiguria qenka badiguardi ynë. Ne nuk e dimë të nesërmen tonë, derisa askush nuk e di ku kanë shkuar gjithë ato të ardhura prej disa miliardë eurosh që nxirreshin e “pastroheshin” nga droga në këto 20 e kusur vjet. Thuhet se janë bërë rrush e kumbulla, se janë ndërtuar vila nëpër fshatra, se janë blerë makina luksoze, se me ato fitime është “edukuar” dhe mësuar të jetojë një brez të rinjsh pa djersë, pa mund dhe pa dije… Por edhe kjo nuk mjafton si justifikim. Aq më pak si ngushëllim. Shifra e fitimit nga droga ka pasuruar më shumë bosët, se skllevërit. Janë këta që do të kërkojnë shpagim, kusur, rikthim të fitimeve, të fuqisë, të tahmasë. Pyetja dramatike qarkullon nën zë gjithandej: Kush e ka radhën mbas sodit? Ky është kuptimi tragjik i vrasjes së Santos. “Lazarati” qenka bërë zot edhe në kryeqytet, edhe në epiqendër të Tiranës. Hapeni gojën, kundërshtoni dhe denonconi po guxuat, ju, o qytetarë të pafajtë që i besoni djersës së ballit dhe jetës me nder! 
E megjithatë tani na kërkohet të japim një tjetër provim, akoma më të vështirë. Na duhet jo vetëm të zbulojmë ku ndodhen e kush janë vrasësit dhe ideatorët, por edhe të sigurohemi që këta të mos ikin në drejtim të paditur e të mos dalin, po u kapën, të pafajshëm “me procedura”, me mungesë provash dhe dëshmitarësh, si po ndodh me “procesin Dajti” dhe si ka ndodhur rëndom me krerët më të lartë të politikës. Me fjalë të tjera, lipset të bëjmë reforma të thella në Drejtësi. Ky do të jetë një provim i vështirë të cilin nuk e japim dot ne qytetarët (ne shumë-shumë mund të ripërtypim si buajt lajmet dhe kronikën e zezë para gjumit…), por krerët e politikës, krerët e organeve të Drejtësisë, paçka se faturën jemi të detyruar ta paguajmë shtrenjtë ne. 
E pra, kush nga ne qytetarët e zakontë, që shkojmë për të votuar herë si delet e herë si mercenarë, është i sigurt që ky provim do të fitohet dhe Drejtësia nuk do të japë padrejtësi? Se organet e policisë, prokuroria dhe gjykatat nuk do të jenë më në krahun e më të fortit, më të pasurit, më të imunizuarit nga politika dhe nga paraja? Kjo është çështja. 
*** 
Qershori i statusit përkoi me provimet e maturës. Por edhe për këto provime pati zallamahi. Një e katërta e maturantëve nuk e fitoi provimin e Matematikës. Në provimin e Letërsisë vlerësimet u kundërshtuan nga qindra nxënës. Opozita dhe qeveria u përplasën, sipas zakonit, edhe për provimet e maturës. Opinioni publik u njoftua se këto ditë qenkan arrestuar katër mësues që trafikonin përgjigjet e provimeve me celular për 200 deri 250 euro… Nuk mënoi e nuk mungoi edhe në këtë rast facebook-u i ish-kryeministrit Berisha që të na njoftonte: “…gjatë këtyre ditëve kam marrë qindra mesazhe nga maturantët, në të cilat ata denonconin organizimin jo transparent të provimeve të maturës”… Sipas tij, Matura Shtetërore ka dështuar. Mirë që sivjet paskësh dështuar Matura Shtetërore, po arsimi, në tërësi, në të gjithë komponentët, në këto vite të lirisë, përse ka dështuar dhe përse jemi në këtë gjendje kaq mjerane e të pashpresë, aq sa mësuesit, profesorët, provimet dhe diplomat mund të shiten/blihen edhe me çmimin e një gjeli të Vitit të Ri? 
Nëse ka një fushë ku sundon padija, ryshfeti, mbrapshtia dhe agonia e vlerave, pa dyshim, pas mjekësisë, është arsimi. Është shkolla, vatra ku shitet droga dhe ku mbillet përditë si kanabis parazitizmi dhe mendësia e të riut “ku rafsha, mos u vrafsha”. Rrënimi i qëllimshëm i sistemit arsimor ka lidhje direkte me këtë klimë krimi, konsumizimi, papërgjegjshmërie dhe vaniteti që ka kapluar tejembanë shoqërinë tonë. Dihet tashmë se kultivimi i injorancës dhe ngritja e saj në “vlerë kombëtare”, hipja në majë të pushtetit, u krye, si proces, para se të kultivohej hashashi nëpër katunde dhe shumë kohë më parë se të trafikohej jashtë shtetit me gomerë, me gomone dhe së fundi edhe me avionë… Të mbetur pa punë, pa kulturë, pa profesione të zbatueshme për standardet e botës, si dhe pa shpresë, shumë të rinj u detyruan t’i drejtohen trafikimit, si e vetmja mënyrë mbijetese. Kjo ka ndodhur para se të merakoseshim për “kartën e Bolonjës”. 
Nuk ka dyshim që krimi ka lidhje me injorancën, sepse e përdor atë jo vetëm si “mish për top”, si ushqim për peshkaqenët, por edhe si armë. Nuk ka motor më të fuqishëm për të destabilizuar e për të mbajtur shoqërinë në krizë se injoranca. Hapja e dhjetëra universiteteve private, jo vetëm në kryeqytet, por edhe nëpër qytete-katunde, i dha dërrmën e fundit sistemit arsimor. Sa më shumë padije gjenerohet prej shkollave në një shoqëri, aq më shumë burgje, krime dhe pasiguri do të ketë. 
Ia vlen të thuhet se për të mbajtur një të burgosur ordiner shoqëria shqiptare qenka e detyruar të paguajë në një vit gati pesë mijë euro… Më shumë se ç’i duhet një prindi për të paguar studimet e fëmijës në universitet. Shumë më tepër se një zyrtar dhe disa fish më shumë se një pension i lartë, n’daç edhe special. Por kur injoranca, pasi pasurohet kërkon të ngjitet në pushtet, të bëhet njësh me strukturat e shtetit, d.m.th. kur hajduti thërret ‘kapeni hajdutin’, atëherë shoqëria mbetet për vaj medet, pa rrugëdalje. 
E pra, po ta vësh këtë shifër përballë mesatares që fiton në vit një qytetar i ndershëm e i thjeshtë, del që më “i fituar” je po të merresh me punë të zeza, me trafiqe, edhe sikur të biesh në burg, sesa të rropatesh e të nxjerrësh bukën e gojës me punë e djersë të ndershme. A ka absurd më të madh se ky? Gjeni një shoqëri tjetër që të ketë kontraste të tilla. Pikërisht në këtë nyje është lidhur djallëzisht e pabesisht morali i sotëm i shoqërisë sonë “demokratike”. Askush nuk merakoset të zgjidhet kjo nyje fatale. Politika jo se jo! 
Ndaj, kriza e mosbesimit na ka lënë shumë pak hapësirë të kërkojmë e të shpresojmë drejtësi nga Drejtësia, derisa këto organe janë pushtuar dhe vënë nën sundim më së shumti nga “gjashtëmujorët e plazhit të Durrësit”, si dhe nga zyrtarë e deputetë me diploma e mandate të blera… Nga gjysmëinjorantët, të cilët, duke marrë pushtet e duke u bërë të kamur nëpërmjet pushtetit, bëhen më arrogantë, më rreziksjellës e më kërcënonjës edhe se injorantët safi të provincës, të cilët prej fukarallëkut dhe padijes pranojnë të shkojnë të luftojnë në Siri. Madje zyrtarët gjysmëinjorantë janë edhe më të dëmshëm kombëtarisht e më të paskrupullt moralisht se kriminelët ordinerë që të vrasin për një gërvishtje makine… Sepse kriminelët ordinerë vrasin një person dhe mund të bien në burg, ndërsa zyrtarët e korruptuar vrasin shpresën dhe të ardhmen e një kombi dhe jo vetëm që nuk “ikin në drejtim të paditur”, po ngjiten lart e më lart. 
E pra, a mund të zbulohen kriminelët dhe mafiozët e sofistikuar nga këta komisarë, prokurorë dhe gjykatës, të cilët janë vënë në ato poste jo për devotshmëri dhe për merita profesionale, për bindje dhe për ideale, por si mercenarë të krerëve partiakë?! Nga asish mercenarësh që mendjen dhe sytë i kanë të orientuar e të mbërthyer vetëm në një pikë: sa fitove sot? E përkthyer në zhargonin e sotëm të politikëbërësve, kjo frazë do të thotë: Je apo nuk je i zoti t’i thuash derrit dajë, të bardhës e zezë? Je apo nuk je i aftë t’i bësh më të pabërën e më të pamundurën këtij populli, këtij mjedisi, kësaj shoqërie? 
Kjo quhet politikë. Ata që pyetjeve të mësipërme iu përgjigjen pozitivisht, “me vepra” e me rezultate konkrete (sigurisht vetjake), quhen burra të zotë, të nderuar, pse jo edhe “burra shteti”. Janë këta që e vranë jo vetëm Santon. 

Leave a Reply

%d bloggers like this: