Bota

Lavrov: Fajin për Ukrainën e kanë SHBA

Lavrov_1-320x180Ministri i Jashtëm rus akuzon drejtpërdrejt amerikanët dhe shpreh preferencë për europianët

Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse akuzoi dje drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po inkurajojnë trazirat në Ukrainë për t’iu kundërvënë Moskës. Sergej Lavrov, në një fjalim dje në televizion, tha se “kolegët amerikanë ende preferojnë të nxisin udhëheqjen e Ukrainës drejt një rruge konfliktuale”. Më tej ai theksoi se shanset për zgjidhjen e krizës në Ukrainë do të kishin qenë më të mira, nëse negociatat do të vareshin vetëm nga Rusia dhe partnerët e saj europianë. Një ditë më parë, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, e zgjati edhe me tri ditë armëpushimin e njëanshëm me separatistët pro-rusë. Ndërkohë, disa nga separatistët, thanë se do ta respektojnë armëpushimin, për sa kohë që ushtria ukrainase bën të njëjtën gjë. Gjithsesi, pak orë para shpalljes së armëpushimit, zyrtarët ukrainas theksuan se katër ushtarë të tyre u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm të separatistëve në Kramotorsk në pjesën lindore të rajonit Donjeck. Brukseli dhe zyrtarët e BE-së u kanë kërkuar separatistëve dhe përkrahësve të tyre në Moskë, që të ndërmarrin hapa për të qetësuar situatën në Ukrainën Lindore, përfshirë këtu edhe zhvillimin e bisedimeve frytdhënëse për paqe dhe lejimin e një ekipi europian për të mbikëqyrur respektimin e armëpushimit. Në mënyrë ceremoniale dhe shumë pompoze, një ditë më parë, Ukraina, bashkë me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, nënshkruan një marrëveshje historike mbi bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë e lirë me Bashkimin Europian, duke revoltuar pa masë Rusinë, e cila ka kërcënuar se do të hakmerret me sanksione e masa shtrënguese. Bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje të refuzuar në fund nga ish-presidenti i rrëzuar, Viktor Janukoviç, gjë që solli një seri ngjarjesh kaotike, plot trazira dhe viktima që u bënë në thelb shkak për atë që tanimë prej muajsh njihet si “kriza ukrainase”.

SHBA nisin operacionin ajror mbi Bagdad

Njëkohësisht, ushtria irakiane nis ofensivë në shkallë të gjerë ndaj rebelëve të SISL-it në Tikrit

Gjithçka duket si një “deja vue” e radhës. Amerikanët sulmojnë sërish mbi Irak, por tanimë nën kushte e rrethana të tjera. Shtetet e Bashkuara kanë nisur kësisoj dje një operacion të gjerë fluturimesh të aeroplanëve të tyre luftarakë pa pilot, por të armatosur më së miri mbi kryeqytetin irakian, Bagdad. Pentagoni deklaroi dje se aeroplanët pa pilot do të mbrojnë ushtarët amerikanë, të mbërritur tashmë në Bagdad, për të vlerësuar situatën pas përkeqësimit të sigurisë gjatë javëve të fundit. Në një fjalim dje, Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të forcave tokësore në Irak, por ka shprehur përkushtim për dërgimin e 300 këshilltarëve të dërguar së fundmi në terren, kryesisht pjesëtarë të forcave speciale. Përgjatë dy javëve të fundit, militantët sunitë, që kërkojnë themelimin e një shteti mbi baza islamike, anëtarë të grupimit që tashmë njihet si “Shteti Islamik i Irakut dhe Levant” – ISIL, kanë siguruar tashmë kontrollin ndaj pjesës më të konsiderueshme të Irakut Verior dhe atij Perëndimor, duke hasur në një rezistencë të vogël nga grupime të lokalizuara qeveritare, kurde apo ato shiite, ndërsa i janë afruar kryeqytetit Bagdad duke e kërcënuar seriozisht. Një nga krerët e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, Martin Dempsey, tha dje me rastin e nisjes së këtij operacioni, se “opsione alternative” për veprime të mëtejshme potenciale ushtarake amerikane në Irak do të jenë edhe ndjekja e “individëve VIP, që gjenden në udhëheqjen e ISIL-it”. Po dje raportohet se mijëra ushtarë të Irakut, të mbështetur nga aeroplanët dhe tanket, po i afrohen qytetit Tikrit, në veri të kryeqytetit Bagdad, i cili në fillim të qershorit ishte pushtuar nga grupet militante sunite, aleate të Al-Kaedës. Dje, një zëdhënës i ushtrisë irakiane deklaroi se, herët në mëngjes, ishin ndërmarrë disa sulme ajrore nga helikopterët e trupave qeveritare. Dy ditë më parë, anëtarë të mirëstërvitur të këmbësorisë irakiane u ulën me helikopterë mbi kompleksin universitar në Tikrit, duke hasur nën të shtëna sporadike që vinin nga grupet e SISL-it dhe mbështetësve të tyre.

Obama u uroi besimtarëve myslimanë fillimin e Ramazanit

Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka uruar dje besimtarëve myslimanë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në deklaratën e Presidentit Obama me këtë rast, theksoheshin kontributet e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë fusha si arsimi, aktivitetet humanitare dhe reduktimi i diferencave në të ardhura dhe në varfëri. Presidenti Obama tha se ai i pret me nderim myslimanët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë për iftarin tradicional, me të cilin përfundon një ditë e agjërimit. Muaji i Shenjtë i Ramazanit nisi dje dhe karakterizohet nga shtylla e tij kryesore, agjërimi, që nis prej agimit e deri në muzg të ditës. Ramazani përfundon me festën myslimane të Bajramit të Madh.

Presidenti serb fishkëllehet në Gazimestan

Agjencia serbe e lajmeve BETA raportonte dje se fjalimi i presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliç, mbajtur në Fushë-Kosovë, me rastin e asaj që njihet në historiografinë serbe, si “Vidovdan”, në vendin e quajtur Gazimestan, ku në vitin 1389 u zhvillua “Beteja e Kosovës” e që u bë më shumë i famshëm nga fjalimi famëkeq i ish-diktatorit serb, Millosheviç në vitin 1989, është ndërprerë për shkak të brohoritjeve fyese të një grupi të rinjsh serbë. Një grup i spikatur i tyre mësohet se i ka ndërprerë fjalimin Presidentit Nikolliç duke thirrur në kor: “E keni shitur Kosovën”, duke e cilësuar Nikolliçin dhe Kryeministrin serb Aleksandar Vulinin, me shprehje pezhorative që në thelb nënkuptojnë “shqiptarët”. Njëkohësisht, një grupim i dytë qytetarësh serbë të Kosovës, të mbledhur në atë tubim, ka duartrokitur fjalimin e Presidentit të Serbisë, nën thirrjet “Rroftë Nikolliç” dhe “Rroftë Serbia”. Presidenti i Serbisë në disa raste u përpoq ta qetësojë situatën me fjalët: “Të gjithë ne jemi serbë”. Fjalimi është ndërprerë, ndërsa policia e Kosovës mësohet se nuk ka ndërhyrë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button