Politika

5 Maji- Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Përfaqësues të politikës, veteranë dhe të afërm po zhvillojnë të martën homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.
Ceremonitë e homazheve nisën paraditen e sotme nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike, të cilët vendosën kurora pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të  kujtimit të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se jemi sot këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para atyre që zgjodhën flijimin në emër të idealeve të larta të lirisë. 5 Maji, shtoi ai, është frymëzim për çdo shqiptar për të bërë zgjedhjen e duhur në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre.
“Sot rikthehemi në këtë altar të lirisë kombëtare për të kujtuar çmimin e lartë të saj dhe për të përkujtuar ata që dhanë jetën e tyre për lirinë. Liria është vlera më e shtrenjtë për të cilën luftojnë kombet dhe njerëzit. Shumica dërrmuese e dëshmorëve të atdheut, të atyre që u flijuan në emër të lirisë, ishin të rinj. Ata patën një zgjedhje, një zgjedhje më të rëndë se ajo që ka rinia sot: të flijoheshin për liri. Edhe ne sot kemi një zgjedhje, të forcojmë dhe të mbrojmë lirinë e qytetarëve për t’u shprehur, për të votuar dhe për të larguar me votë qeverinë”, u shpreh kryetari i PD-së

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button