Kosova

70 përqind e të rinjve të Kosovës janë të papunë

Përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe vende të tjera të rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë në një uorkshop me temë: “Krijimi i Punësimit dhe Prosperitetit”.

Kjo konferencë ndërkombëtare është thirrur nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, zyra e Tiranës, dhe qëllimi është të kontribuojë në Samitin e Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Vjenë midis datave 26 dhe 27 gusht.

Të pranishmit në takim theksuan se pjesëmarrja e shoqërisë civile ka një rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e integrimit Evropian në vendet më të reja të BE-së.

Diskutimet në këtë seminar u fokusuan në çështjet më të rëndësishme në lidhje me krijimin e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në vendet e rajonit që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesja e shoqërisë civile të Kosovës në këtë aktivitet, Bardha Ahmeti tha për KosovaPress në Tiranë se gjatë seminarit është punuar për përgatitjen e disa rekomandimeve mbi çështjet më kyçe të secilit vend, siç është punësimi, investimet etj, tema këto që do të paraqiten të përmbledhura për Ballkanin në Samitin e Vjenës.

Lidhur me Kosovën ajo tha se papunësia e të rinjve mbetet një problem akut, ku sipas statistikave, ndër 10 të rinj vetëm 3 janë të punësuar.

‘Është punuar në disa ‘papers’ përgatitore që kanë pasur si qëllim çështjet më kyçe dhe më emergjente në shoqërinë e secilit nga vendet. Për Kosovën është bërë një grup punues ‘ad-hoc’ i cili ka pasur për detyrë që ti grumbullojë çështjet, dhe të bëjë një prezantim të situatës aktuale në çështjet e punësimit dhe të prosepritetit. Edhe rekomandimet janë të natyrave të ndryshme. Për shembull për çështjen e punësimit, për të cilën edhe unë jam këtu sot kemi shqyrtuar disa nga çështjet më të ndjeshme që janë ngecjet me sistemin e arsimit; mungesën e investimeve që do të krijonin vende të reja të punës. Por pak a shumë është e njëjta fotografi në të gjithë rajonin. Në Kosovë për moshën deri në 30 vjeç papunësia shkon deri në 70 %, ku nga 10 të rinj 3 janë të punësuar. Pak a shumë e njëjta situatë tragjike është në të gjithë rajonit me spumatura në disa vende që kanë pasur investime më të mëdha në vitet e fundit, mirëpo realiteti është se papunësia sidomos tek të rinjtë mbetet jashtëzakonisht e lartë në të gjithë rajonin,” tha Bardha Ahmeti, përfaqësuese e shoqërisë civile të Kosovës.

Lidhur me pyetjen nëse është pikërisht kjo papunësi e lartë shkak që shumë të rinj jo vetëm nga Kosova por edhe nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit po zgjedhin të largohen dhe të kërkojnë azil, Ahmeti mendon që po, pra se papunësia është shkaku primar për azil, pasi të rinjtë nuk po kanë shpresë dhe të ardhme në vendet e tyre.

“Nuk e di nëse jam autoriteti për të thënë këtë por megjithatë mendimi im është që është shkaku kryesor. Njerëzit përveçse e kanë humbur besimin në gjetjen e një vendi të punës dhe në sigurinë shoqërore dhe ekonomike ata e kanë realisht të pamundur për shkak se tregu i punës nuk iu ofron asnjë mundësi. E kanë të pamundur që të inkuadrohen dhe që të gjejnë apo të ruajnë një të ardhme që e lidh atë me vendin,” thotë më tej Ahmeti, si përfaqësuese e shoqërisë civile në Kosovë.

Çështjet më të rëndësishme të Konferencës ishin edukimi i drejtuar drejt tregut të punës, zhvillimi i degëve më të rëndësishme ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja në vend dhe krijimi i markave vendase të cilat janë konkurruese në tregun Evropian.

Gjithashtu u propozuan iniciativa për integrimin e shoqërisë civile në procesin e zhvillimit ekonomik dhe politik, kjo duke ndjekur modelet e suksesshme të vendeve të reja të BE siç është Kroacia dhe Sllovenia.

Ky punim i konferencës do ti prezantohet më vonë udhëheqësve politikë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button