Politika

“Hapja e dosjeve”, ligji publikohet në fletore zyrtare

Ligji “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, i quajtur ndryshe ‘ligji i dosjeve’ është publikuar të enjten në fletore zyrtare, ndërsa pritet të hyjë në fuqi pas dy javësh.
Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e tij, Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore për procedurën e kalimit në administrim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të materialeve arkivore. Ndërsa brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të kësaj strukture, Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek Autoriteti të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Neni 42 i ligjit përcakton ndër të tjera dhe kundërvajtjet administrative në raste shkeljesh, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, dhe që do të dënohen me gjobë.
I miratuar me 84 vota nga parlamenti më 30 prill, ligji përcakton rregullat dhe procedurat për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa nuk parashikon procesin e lustracionit, i cili bie ndesh me Kushtetutën. Fusha e veprimit parashikon zbatimin e ligjit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Brendshme për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin ne vitit 1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

Dokumentet që disponohen nga autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë, do të konsiderohen si dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm pasi të verifikohet vërtetësia dhe origjina e prejardhjes së tyre nga fondi i ish-Sigurimit të Shtetit.
Kreu i II-të i ligjit parashikon statusin e Autoritetit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të mëposhtme: a) dy anëtarë të propozuar nga parlamenti; b) një anëtar nga Këshilli i Ministrave; c) një përfaqësues i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë; ç) një përfaqësues i propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.
Kreu i IV-të i ligjit përcakton mënyrën e informimit dhe vënien në dispozicion të dokumenteve të ish-Sigurimit. Neni 19 flet për kërkesën për informim, ku personave të interesuar iu njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet, kur ai ka cilësinë e të prekurit, të palës së tretë, të bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit.
Autoriteti mund ta kufizojë pjesërisht ose plotësisht garantimin e së drejtës për informim, kur të dhënat përbëjnë kërcënim real për Sigurinë Kombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button